logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Sinuziti: inflamacion akut ose kronik.
Sinuziti: inflamacion akut ose kronik.

Sinuset nazale janë zgavra (kavitete) që gjenden brenda kockave të fytyrës, në të dy anët e saj dhe vishen nga një shtresë mukoze. Ato janë të vendosura pranë (sipër dhe poshtë) hundës dhe komunikojnë me zgavrat e saj. Për këtë arsye, ato emërtohen sinuse nazale (të hundës).

Termi "sinuzit" përfaqëson pikërisht inflamacionin akut ose kronik të sinuseve, që shoqërohet shpesh me rrufë.

Siç përmendet edhe më poshtë, sinuziti mund të zhvillohet pas një inflamacioni të grykës, pas një rrufe ose një gripi.Agjentët shkaktarë janë më shpesh të tipit bakterial, si pneumokoku, streptokoku dhe Hemofilus influence. Këto baktere shkaktojnë enjtje të mukozës (pjesës së brendshme) së hundës, që pasohet nga ngushtimi i hapësirës së saj dhe rrjedhja e mukusit (sekrecioneve). Inflamacioni i sinuseve mund të favorizohet nga disa veçori të ndërtimit të hundës, si: hunda në formë shale (me kurriz) ose deformimet e ndarëses së hundës (septumi nasal).

Sinuziti mund të shkaktohet edhe nga faktorë të tjerë, si:

  • Polipet nazale (mishi i huaj në hundë) dhe bajamet e enjtura
  • Riniti kronik alergjik (rrjedhja e hundëve me natyrë alergjike)
  • Infeksionet nga kërpudhat
  • Rrënjët e dhëmbëve në gjendje të keqe
  • Gjatë zhytjeve me kokë në ujë, uji mund të depërtojë në sinuse, duke shërbyer si shkak i një inflamacioni të mundshëm të tyre.

 

Sinuziti: dhimbja e kokës.
Sinuziti: dhimbja e kokës.

Një rrufë e thjeshtë shpesh mund t`i paraprijë një sinuziti. Simptomat kryesore që paraqet pacienti në rastin e sinuzitit nasal janë: dhimbja e kokës dhe dhimbje në zona të ndryshme të fytyrës, në varësi të sinusit të prekur. Dhimbjet janë pulsatile (rrahëse), veçanërisht të forta kur pacienti përkulet përpara, kur ngrihet në mënyrë të menjëhershme, si dhe në rastet e përplasjeve (gjatë vrapimit, ecjes me bicikletë, etj).

Këto simptoma shoqërohen edhe nga një dobësi e shprehur trupore, ndjesia e të qënit sëmurë dhe prania e etheve. Kur sekrecioni që rrjedh nga hundët është me ngjyrë të verdhë dhe i trashë, vështirësohet frymëmarrja dhe ulet shkalla e nuhatjes.

Në formën kronike të sëmundjes, simptomat janë më pak të shprehura, por rrjedhja nga hundët është e përhershme.

 

Sinuziti: ekzaminimi i hundës.
Sinuziti: ekzaminimi i hundës.

Vendosja e diagnozës bazohet kryesisht në përshkrimin e simptomave nga ana e pacientit. Egzaminimi endoskopik (në brendësi) i hundës nga mjeku specialist otorinolaringolog (ORL) mundëson përcaktimin e origjinës së sekrecioneve të hundës, si dhe identifikimin e deformimeve në pjesën e brendshme të saj.

Egzaminimet shtesë:

  • Ekografia e sinuseve
  • Radiografia e sinuseve
  • Skaneri i kokës, me fokusim tek sinuset
  • Marrje e sekrecionit të hundës për mbjellje (antibiogramë), për vlerësimin e pranisë së mikrobeve në të.

 

Sinuziti: pika në hundë për lehtësimin e dhimbjes.
Sinuziti: pika në hundë për lehtësimin e dhimbjes.

Sinuziti akut:

  • Përdorimi i liruesve të hundës në formën e pikave, për jo më shumë se një javë, favorizon rrjedhjen e sekrecioneve nga sinusi dhe daljen e tyre nga hunda.
  • Përdorimi i medikamenteve antialgjike, si paracetamoli, ibuprofeni, etj. për qetësimin e dhimbjeve.
  • Nuk rekomandohet përdorimi i medikamenteve që hollojnë sekrecionet (si acetilicisteina), pasi nuk është konstatuar ndonjë përfitim i rëndësishëm prej tyre.
  • Përdorimi i medikamenteve me bazë kortizoni ka rezultuar efikas në studimet klinike të deritanishme.
  • Ndërprerja e duhanit
  • Konsumi në sasi të mëdha i lëngjeve
  • Regjim në shtrat, me një pozicion sa më të ngritur të kokës së shtratit, në mënyrë që të favorizohet rrjedhja e sekrecioneve nga hunda.
  • Lavazhi i hundës me solucion me kripë, që lagështon mukozën e saj. Kjo mund të shoqërohet me thithjen e avujve të solucioneve të përziera, si psh. ujë me kamomil, ujë me eukalipt, që ulin shkallën e enjtjes së mukozave (terapia inhalatore).
  • Kompresa të ngrohta disa herë në ditë, për gjatë 5-15 minutave, ose ekspozimi ndaj rrezeve infra të kuqe përmirësojnë simptomat dhe ndihmojnë eleminimin e sekrecioneve.

Në rastet kur, pas përfundimit të trajtimeve të mësipërme, pacienti nuk referon për përmirësim të gjendjes, ose në rastet me infeksione të rënda, rekomandohet përdorimi i antibiotikëve. Termi "infeksione të rënda" nënkupton një sinuzit prej 10 ditësh, me rrufë purulente prej më shumë se 4 ditësh, dhimbje në njërën anë të fytyrës, dhimbje e dhëmbëve në nofullën e sipërme gjatë një periudhe të zgjatur, përkeqësim i simptomave pas përmirësimit fillestar të tyre.

Sinuziti kronik

  • Përdorimi i medikamenteve të njëjta, si në rastin e sinuzitit akut
  • Nëse trajtimi me medikamente nuk i përmirëson simptomat, rekomandohet trajtimi kirurgjikal, i cili mund të konsistojë në heqjen e polipeve të hundës ose të sinuseve
  • Sinuziti purulent (bakterial) fillimisht trajtohet nëpërmjet shpëlarjes së hapësirës së hundës me ujë me kripë, më pas aty hidhet me pika një solucion që përmban antibiotikë kundër infeksionit bakterial.
  • Gjithashtu mund të rekomandohet terapia inhalatore (në rastin e rinitit alergjik) ose e rrezatimit infra të kuq.

 

Sinuziti akut shërohet përgjithësisht pa ndërlikime. Nëse nuk trajtohet, ose nëse trajtohet në mënyrë jo korrekte, inflamacioni i pakontrolluar mund të jetë përgjegjës për zhvillimin e një sinuziti kronik.

Kujdes: Në rast se simptomat nuk përmirësohen në fund të trajtimit mjekësor, ose rishfaqen menjëherë pas tij, duhet të rikonsultoheni me mjekun specialist ORL.

 

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.