Dhimbja e fytit
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Dhimbjet e fytit jane dhimbje të zonës së qafës dhe faringut. Shpesh ato shoqërohen me:
- Skuqje të fytit
- Tharje të fytit
- Djegie të fytit
- Dhimbje gjatë të folurit dhe gëlltitjes
Shqetësimet mund të shfaqen brenda një kohe shumë të shkurtër (prej disa orësh) ose zhvillohen ngadalë, gjatë disa ditëve. Simptoma të tjera që lidhen me dhimbjen e fytit janë:
- ethet
- dhimbja e kokës
- dhimbjet e gjymtyrëve
- nyjet limfatike të zmadhuara
- vështirësia në gëlltitje
- ngjirja e zërit
Këto lloj simptomash më shpesh vijnë nga viruset që qarkullojnë në përjudhat e ndryshme të vitit, por që janë të pa dëmshëm. Megjithatë dhimbjet e fytit mund të jenë gjithashtu një shenjë e sëmundjeve më serioze që prekin fytin dhe faringun. Tek fëmijët dhimbjet e fytit shpesh shoqërohen me skarlatinën, shytat ose inflamacionin e bajameve.
Shkaqet e mundshme të një dhimbjeje të fytit janë:
- Ftohja
- Gripi
- Inflamacioni i faringut (Faringiti)
- Inflamacioni i bajameve (Tonsiliti)
- Abcesi i bajameve (bajamet e qelbëzuara), abcesi peritonsilar
- Inflamacioni i trakesë ose i kordave të zërit (Laringiti)
- Inflamacioni i epiglotës (Epiglotiti)
- Mononukleoza infektive
- Kandida (mykoza) e gojës dhe/ose e trakessë
- Alergjitë
- Skarlatina
- Shytat
- Laringo-trakeo-bronkiti
- Difteria
- Faktorët mjedisorë (si psh. tymi i cigares, ajri i ftohtë, thithja e pluhurave dhe/ose helmeve kimike)
- Mbingarkesa ose lodhja e grykës, gjatë teknikave të këqia të të folurit dhe/ose të kënduarit.
- Refluksi gastro-ezofageal
- Hernia diskale në zonën e qafës
Shumica e dhimbjeve të fytit shkaktohen nga viruset gjatë periudhave të ftohta të vitit, dhe zakonisht zhduken brenda pak ditësh.
Për të lehtësuar dhimbjen e fytit, këshillohet:
- Të menaxhohet mirë gryka: duke folur pak dhe me zë të ulët; të evitohet pirja e duhanit
- Të praktikohet gargar me ujë të kripur
- Të përdoren tableta, solucione, sprai për dhimbjen e fytit
- Të përdoren çajra bimore (kamomil, sherebel).
- Përdorimi i medikamenteve analgjezike (qetësues të dhimbjeve) dhe antipiretikë (që ulin temperaturën) rekomandohet për një kohë të shkurtër, për të lehtësuar simptomat e ftohjes (si ethet, dhimbjet e kokës dhe dhimbjet e trupit).
Në rastin e ftohjes, dhimbja e fytit zakonisht largohet brenda disa ditësh, duke u kujdesur për veten, duke qëndruar ngrohtë dhe duke pirë çajra të ndryshme. Nëse edhe pas një jave simptomat vazhdojnë, duhet të konsultoheni me një mjek.
Një vizitë e menjëhershme tek mjeku rekomandohet në rast të:
- Dhimbjes së fytit me temperaturë të lartë dhe dobësim të gjendjes së trupit në përgjithësi
- Dhimbjes së përsëritur të fytit
- Dhimbjes së fytit të shoqëruar me ethe dhe vështirësi në frymëmarrje, ngjirje zëri ose ënjtje në fyt
Fëmijët me dhimbje të forta në pjesën e fytit duhet të dërgohen menjëherë tek një pediatër!
Tek cili mjek duhet të drejtoheni për konsultë?
- Mjeku i familjes
- Mjeku specialist i veshit, hundës dhe i fytit (ORL)
- Mjeku pediatër (në rastin e fëmijëve).
Në mënyrë që të ketë një tablo më të qartë të problemeve aktuale, dhe për të kuptuar shkaqet e dhimbjes së fytit, mjeku duhet të njihet me historinë mjekësore të pacientit (anamneza), të bëjë ekzaminimin fizik (vëzhgimi i zonës së prekur, dëgjimi me stetoskop, prekja e zonës, testet funksionale, etj.). Më pas, anamneza dhe ekzaminimi fizik mund të plotësohen me disa ekzaminime specifike.
Anamneza konsiston në informimin e mjekut rreth:
- Dhimbjes së fytit: kur ka nisur, me çfarë intensiteti, a ka pasur përkeqësim ose përmirësim gjatë ditëve të fundit, a janë dhimbjet të shpeshta, etj.?
- Sëmundjeve të mëparshme dhe shoqëruese, përfshirë aksidentet dhe operacionet
- Sëmundjeve dhe shkakut të vdekjes së anëtarëve të afërt të familjes
- Alergjive dhe shkaktarëve të tyre
- Mjekimeve që mund të jetë duke marrë pacienti
- Gjëndjes sociale dhe profesionale
- Zakoneve të pacientit, si dieta, gjumi, stimulantët (kafja, alkooli, nikotina, drogat), stresi etj.
- Sforcimin e kordave të zërit prej profesionit.
Ekzaminimi fizik
- Palpacioni i qafës, në kërkim të nyjeve limfatike të zmadhuara
- Vëzhgimi i gojës dhe i trakesë me një dritë dhe një spatul, për të parë nëse ka skuqje, ëntje ose qelbëzim.
Nëse dyshohet për një infeksion bakterial (për shembull tonsilit), duhet të merret material për ekzaminim në një laborator, për të përcaktuar shkakun dhe llojin e infeksionit.
Ekzaminime të tjera specifike
- Ekzaminimi ekografik i qafës
- Ekzaminimi i laringut me laringoskopi, ndoshta duke marrë një mostër indi për biopsi.
Dhimjet e fytit në terrenin e një ftohjeje të zakonshme shërohen brenda disa ditësh, dhe nuk kërkojnë kujdes mjekësor. Kujdesi për fytin, me çajra bimorë të ngrohtë dhe produkte farmaceutike për dhimbjen e fytit mund të ndihmojnë në shërim.
Medikamentet
- Në rast të dhimbjeve të fytit që lidhen me ftohjen, antibiotikët janë të padobishëm sepse shkak i infeksionit janë viruset.
- Infeksionet bakteriale, siç është streptokoku i fytit ose qelbëzimi i tonsilave, duhet të trajtohen me antibiotik, për të vrarë mikrobet dhe për të shmangur ndërlikimet.
Ndërhyrja kirurgjikale
Në rastet e bajameve të qelbëzuara të përsëritura, duhet të merret në konsideratë heqja kirurgjikale e tyre.