Mastiti (Inflamacioni i gjinjve) (Inflamacioni i gjinjve, Mastiti)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Termi "mastit" përkufizon një inflamacion të gjirit të femrës, që ndodh më shpesh gjatë periudhës së ushqyerjes me gji të fëmijës (mastiti puerperal). Mastitet që shfaqen jashtë periudhës së shtatzënisë dhe laktacionit, të emërtuara mastite jopuerperale, janë më të rralla.
Shkaqet e mastitit janë të ndryshme. Mastiti mund të paraqitet në formën e tij akute, me shfaqje të menjëhershme, ose si një mastit kronik që ka tendencë të përsëritet. Ky i fundit është i shpeshtë në rastin e mastitit jopuerperal. Mastiti puerperal konstatohet përgjithësisht dy deri në tre javë pas fillimit të lakatacionit (ardhjes së qumështit pas lindjes).
Në rastet e mastitit që shfaqet jashtë periudhës së shtatzanisë dhe laktacionit, me tendencë për t`u përsëritur, duhet të përjashtohet prania e një tumori të gjirit ose kisti të gjirit.

Shkaqet e mastitit puerperal, që shfaqet në kushtet e shtatzënisë janë:
- Infeksioni bakterial: bakteret (shpesh me origjinë nga lëkura dhe nga goja), mund të depërtojnë nga të çarat ose dëmtimet e vogla të thithit në brendësi të gjirit dhe të përhapen më tej nëpërmjet rrugëve limfatike.
- Qëndrimi i qumështit për një kohë të gjatë në gji pa u zbrazur (staza e qumështit), favorizon shumëzimin e baktereve në rrugët e tij.
Shkaqet e përgjithshme të stazës së qumështit:
- Fëmija nuk thith mjaftueshëm
- Prania e pengesave në rrjedhjen e qumështit
- Zbrazje e pamjaftueshme e gjirit
- Shtimi i prodhimit të hormonit prolaktinë, që nxit zmadhimin e gjirit dhe shton prodhimin e qumështit gjatë laktacionit.
Shpesh nuk gjendet shkak konkret.
Shkaqe të tjera të mundshme:
- Zmadhimi beninj i gjirit (mastopatia)
- Sëmundjet e ndryshme si: tuberkulozi, sifilizi, diabeti i sheqerit
- Traumat: në rastet e aksidenteve, pas goditjeve në gjoks ose shtypjeve të gjinjve, mund të shfaqet staza e qumështit.
Shkaqet e mastitit jopuerperal, që shfaqet jashtë periudhës së laktacionit
- Edhe në këtë rast, bakteret depërtojnë në gji nëpërmjet dëmtimeve të lëkurës që janë me origjinë inflamatore. Megjithatë, në shumë raste, infektimi prej tyre është dytësor, si pasojë e e një staze të qumështit në gji.
- Si pasojë e kësaj staze, kanalet e qumështit zgjerohen. Në to fillojnë të shfaqen dëmtime që lejojnë sekrecionet e qumështit të depërtojnë në indin lidhor në afërsi. Meqenëse në këtë nivel këto sekrecione konsiderohen si një "trup i huaj" nga indi lidhor, zhvillohet një reaksion inflamator. Në këto kushte, mbivendosja e infeksioneve bakteriale është shumë e shpeshtë.

Mastiti mund të shkaktojë këto simptoma:
- Dhimbje dhe ndjenjë tensioni në gjoks.
- Pak ose aspak përmirësim i simptomave pas ushqyerjes së fëmijës me gji.
- Skuqje në nivelin e gjoksit, rritje e temperaturës në zonën e skuqur.
- Plagë në nivelin e thithit të gjirit (mamelës).
- Ndjesia e të qënit sëmurë, me dhimbje koke dhe dhimbje të kyçeve.
- Ethe, të dridhura
- Zmadhim i gjendrave limfatike të sqetullave
- Formimi i abcesit (rrallë)

Diagnostikimi i një mastiti bazohet në kryerjen e këtyre proçedurave:
- Njohja e mjekut me historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientes
- Palpimi i gjinjve (egzaminimi nëpërmjet prekjes)
- Ekografia e gjirit
- Në rastet kur gruaja ka rrjedhje sekrecionesh ose qumështi nga gjiri, rekomandohet marrja e një monstre prej tyre për egzaminim bakteriologjik dhe identifikimin e shkaktarit
- Dozimi i nivelit të prolaktinës në gjak.
- Mamografia, veçanërisht në rastet me mastit të përsëritur, me qëllim që të përjashtohet prania e një tumori malinj të gjirit.
- Biopsia, nëpërmjet heqjes së indit të gjirit për ekzaminimin mikroskopik të tij.

Masat e përgjithshme:
- Krijimi i kushteve optimale për nënën, në mënyrë që ajo të pushojë mjaftueshëm, në intervale të rregullta kohore.
- Fashimi i gjoksit
- Kontrolli i pozicionit të gjirit gjatë ushqyerjes së fëmijës me gji: pozicioni i gjirit dhe i kokës së fëmijës duhet të jetë i tillë që të lehtësojë zbrazjen sa më të mirë të gjirit nga qumështi.
- Masazhi i gjirit, për të favorizuar zbrazjen e plotë të tij. Drejtimi i masazhimit duhet të jetë nga zona e stazës (grumbullimit të qumështit) në drejtim të thithit (mamelës).
- Përpara vënies së fëmijës në gji, rekomandohet vendosja e kompresave të lagura, të ngrohta, që nxisin rrjedhjen e qumështit për në mamelë. Pas ushqyerjes së femijës me gji, rekomandohen kompresa freskuese, që lehtësojnë dhimbjen dhe enjtjen e gjirit.
- Në rast nevoje, zbrazja e gjirit me pompë.
- Banjat e diellit dhe banjat në ujë të ngrohtë (aplikimi i nxehtësisë) përmirësojnë rrjedhjen e qumështit.
Medikamentet:
- Përdorimi i antibiotikëve nuk duhet të shoqërohet nga ndërprerja përfundimtare e ushqyerjes me gji të fëmijës.
- Përdorimi i frenuesve të sekretimit të prolaktinës: konsiderohen trajtimi preferencial për rastet e mastitit me origjinë jobakteriale. Këto medikamente frenojnë sekretimin e qumështit nga gjendrat mamare (gjinjtë).
Operacionet:
- Zbrazja e abcesit
Mënyrat e ushqyerjes së fëmijës me gji në rastin e mastitit:
- Ndërprerja e menjëhershme e gjirit mund ta rëndojë mastitin. Për këtë arsye, ushqyerja e fëmijës me gji duhet të vazhdojë, sa më shumë të jetë e mundur. Megjithatë, mund të ndodhë që fëmija të mos pranojë ta kapë thithin e inflamuar, për shkak të shijes jo të këndshme të tij prej inflamacionit. Në këtë rast rekomandohet zbrazja e gjirit me pompë.
- Kur simptomat nuk përmirësohen brenda 24 orëve ose nëse fillojnë të shfaqen simptoma të ngjashme me gripin, është i domosdoshëm konsultimi nga një mjek specialist. Fillimi i terapisë me antibiotikë nga ana e nënës, nuk do të thotë që duhet të ndërpritet ushqyerja e fëmijës me gji, pasi antibiotikët e përshkruar nuk janë domosdoshmërisht toksikë (helmues) për bebin.
- Ushqyerja me gji e fëmijës është shumë shpesh e mundur, madje edhe në prani të abcesit.
- Në rastin e mastitit të dyanshëm, që nuk është i rrallë, rekomandohet ndërprerja e ushqyerjes me gji të fëmijës për 24-48 orë. Në këtë rast gjinjtë zbrazen me ndihmën e pompës dhe fëmija ushqehet me produkte të gatshme për moshën përkatëse të tij.
Nëse trajtohet në mënyrë korrekte, mastiti akut mund të shërohet brenda disa ditëve.
Në rast se nuk trajtohet, ose trajtohet në mënyrë të papërshtatshme, mund të shfaqet formimi i abcesit, me grumbullimin e qelbit. Në këto raste, nëse abcesi nuk hapet vetë, bëhet e domosdoshme ndërhyrja kirurgjikale për hapjen dhe zbrazjen e qelbit prej tij. Në mungesë të plotë të trajtimit, mund të formohen fistula (lidhje) ndërmjet kanaleve të qumështit, të cilat mund të shërbejnë si porta të hyrjes së baktereve.
Pothuajse një e treta e mastiteve të shfaqura jashtë periudhës së shtatzënisë dhe laktacionit kanë një ecuri kronike.

Parandalimi i mastitit bazohet në trajtimin e përshtatshëm të çdo staze të qumështit. Kjo përfshin: ushqyerjen e shpeshtë të fëmijës me gji, kompresat e ngrohta në gji, banjat me ujë të ngrohtë të fokusuara në gji, masazhimi i gjirit.
Gjithashtu, duhet respektuar një higjienë sa më e mirë e gjinjve. Çarjet e vogla që mund të konstatohen në nivelin e thithave (mamelave), duhet të trajtohen me kujdesin më të madh, pasi ato mund të shërbejnë si porta të hyrjes së mikrobeve në gji. Grumbullimi i qumështit në gji mund të evitohet nëpërmjet zbrazjes së plotë të tij.