Ethja hemorragjike
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Ethja hemorragjike është një sëmundje virale e rëndë, që manifestohet me një tendencë të theksuar për gjakrrjedhje.
Ajo shfaqet vetëm në zonat tropikale ose subtropikale. Virusi shkaktar i saj mund të transmetohet nga njeriu tek njeriu.
Në të përfshihet:
- Ethja Ebola dhe ethja Marburg, që transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë.
- Ethja Lasa, që transmetohet nëpërmjet kontaktit me jashtëqitjet e kafshëve.
- Ethja tropikale, që transmetohet nëpërmjet pickimit nga mushkonjat.
- Ethja e verdhë, që transmetohet gjithashtu nëpërmjet pickimit nga mushkonjat.
- Ethja e Kongos, që transmetohet nëpërmjet pickimit nga këpushat.

Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e simptomave të para) për ethen hemorragjike zgjat disa ditë. Simptomat janë të ndryshme, në varësi të tipit të ethes. Gjithsesi, ato kanë edhe simptoma të përbashkëta, si:
- Temperatura tepër e lartë
- Dhimbjet
- Të vjellat
- Diarrea
- Prania e gjakut në urinë / prania e gjakut në jashtëqitje
- Përkeqësimi i gjendjes së përgjithshme të pacientit
- Dëmtimi i funksionit të veshkave (insuficienca renale) me gjendjen e shokut.
- Konvulsionet (krizat epileptike) dhe paralizat e mundshme.

Simptomat që paraqet pacienti me ethe hemorragjike përbëjnë një element mjaft të rëndësishëm për mjekun, që e ndihmojnë atë për vendosjen e diagnozës së saj. Përcaktimi i antitrupave specifike në gjak lejon identifikimin e virusit përgjegjës për sëmundjen. Personat e infektuar nga ethja hemorragjike duhet të izolohen dhe të trajtohen në klinika të specializuara.

Nuk egziston asnjë trajtim efikas për pacientët e diagnostikuar me ethen hemorragjike. Medikamentet virostatike, që frenojnë shumëzimin e virusit, janë pjesërisht efikase. Aktualisht, është e disponueshme vetëm një vaksinë kundër ethes së verdhë. Vaksinat e tjera janë ende në studim e sipër.
Ndërlikimet e mundshme të ethes hemorragjike janë:
- Dëmtimi i funksionit të veshkave (insufiçienca renale) dhe gjendja e shokut
- Paralizat dhe konvulsionet (krizat epileptike)

Masat kryesore parandaluese për ethen hemorragjike janë:
- Vaksina e ethes së verdhë, që është e vetmja vaksinë e disponueshme për ethen hemorragjike, por duhet të përdoret vetëm me rekomandimin e mjekut.
- Duhet të evitohen zonat e rrezikut për infektimin nga ethja hemorragjike.
- Duhet të evitohet pickimi nga mushkonjat dhe këpushat, duke përdorur veshje të gjata dhe të trasha mjaftueshëm.
- Duhet të evitohet kontakti me personat e infektuar.
- Duhet të evitohet kontakti me jashtëqitjet e kafshëve dhe të respektohen plotësisht rregullat e higjienës.
Dr. med. Gerhard Emrich
Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.
Dr. med. Daniel Desalmand
Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.
Doris Zumbühl
Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.