Variçela (Varicella)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Variçela është sëmundja më ngjitëse e moshës fëminore. Agjenti shkaktar i saj është i përhapur në të gjithë botën. Transmetimi i tij bëhet nëpërmjet spërklave të pështymës, kur personi i infektuar teshtin ose kollitet. Ecuria e sëmundjes është përgjithësisht e mirë.
Në sajë të përdorimit të vaksinës kundër variçelës, numri i të infektuarve nga kjo sëmundje është ulur ndjeshëm.
Agjenti shkaktar i variçelës është virusi variçela-herpes zoster, që bën pjesë në grupin e viruseve të herpesit. Sëmundja është ngjitëse edhe kur personi i infektuar nuk paraqet asnjë simptomë. Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para) zgjat nga 2-3 javë.
Tabloja tipike e sëmundjes karakterizohet nga puçrrat e kuqe, në majën e të cilave formohen fshikëzat, që shoqërohen me të kruajtura. Pas 2-3 ditësh, fshikëzat transformohen, duke kaluar në disa stade: makula (ndryshim i ngjyrës së lëkurës), papula (puçrra të rrumbullakta, me kufij të rregullt, zakonisht me diametër nën 1 cm), fshikëza (qese me ujë në brendësi) dhe korja.
Puçrrat shfaqen fillimisht në fytyrë dhe në trung, por mund të konstatohen gjithashtu edhe në lëkurën e kokës, të krahëve, të këmbëve, si dhe në mukozat (pjesën e brendshme) e gojës, organeve gjenitale, etj.
Skuqja fillon në formën e njollave të vogla të kuqe. Fshikëzat formohen shpejt, pastaj shfaqet ndjesia e të kruajturit (pas 1-2 ditësh), me përsëritjen e ciklit çdo 6 ditë.
Varicela mund të manifestohet me:
- Ethe (jo gjithmonë)
- Gjatë fazës akute të sëmundjes, të rriturit ndihen shumë më të sëmurë se fëmijët
Mjeku e vendos diagnozën e varicelës gjatë egzaminimit fizik të pacientit, duke u bazuar në të dhënat e pacientit dhe në pamjen tipike të fshikëzave.
Trajtimi konsiston në qetësimin e simptomave që paraqet pacienti. Kështu, rekomandohen medikamente që qetësojnë ndjesinë e të kruajturit, lehtësojnë dhimbjet dhe largojnë ethet.
Vetëm në raste tepër të rënda, mund të rekomandohet nga mjeku përdorimi i medikamenteve antivirale (që luftojnë virusin).
Çfarë mund të bëjmë vetë?
- Të evitohet kruajtja e fshikëzave; të prihen thonjtë dhe të vendosen doreza kur pacienti shkon në tualet.
- I ftohti i lehtëson të kruajturat. Për këtë arsye, rekomandohet përdorimi i pudrës me 1% mentol, e cila mund të merret pa recetë në farmaci.
- Fëmijët të mbahen në shtëpi, nëse ndihen të sëmurë.
- Gjatë fazës ngjitëse të sëmundjes (pa u shfaqur ende koret), duhet të evitohet kontakti i personit të infektuar me gratë shtatzana dhe personat e moshuar.
Në përgjithësi, ndërlikimet janë të rralla: sëmundja shërohet brenda 7-10 ditëve, pa lënë pasoja.
Tek personat që mund ta kenë shfaqur sëmundjen herët, ose e kanë kaluar atë në formë mjaft të lehtë, mund të ndodhë riinfektimi. Gjithashtu, për shkak të pranisë në organizëm të virusit në formë të heshtur (joaktive), mund të shfaqet infeksion i dytë nga i njëjti virus, tek i njëjti person, pas shumë vitesh, tashmë në formën e herpes zoster. Kjo është një sëmundje që karakterizohet nga dhimbje të shumta dhe të forta, që prek vetëm të rriturit.
Rëndimi i sëmundjes:
- Mbivendosja e infeksioneve bakteriale mbi fshikëzat
- Prekja e syve dhe mushkërive
- Në raste tepër të rënda, veçanërisht në personat me ulje të aftësive mbrojtëse të organizmit (ose që mjekohen me medikamente që frenojnë imunitetin), virusi mund të prekë shumë organe, si trurin, zemrën dhe mushkëritë.
Të evitohet kontakti me personat e infektuar. Formimi i koreve tregon që sëmundja nuk është më ngjitëse.
Pas kalimit të sëmundjes, mbetet imunitet për gjithë jetën. Siç e theksuam edhe më lart, tek të rriturit, pas disa vitesh, mund të shfaqet një infektim i dytë në formën e herpes zoster.