Sindroma e vështirësimit akut të frymëmarrjes (Detresi respirator akut, Detresit respirator akut, SARS, SVAF)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Në mars të vitit 2003, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tërhoqi vëmendjen e të gjitha vendeve në lidhje me shfaqjen e një sëmundjeje ngjitëse të rrugëve të frymëmarrjes në Vietnam dhe Kinë. Bëhej fjalë për Sindromin e vështirësimit akut (të menjëhershëm) të frymëmarrjes, i quajtur “ Sindromi akut i rëndë respirator” (në gjuhën angleze me inicialet “SARS”). Rasti i parë me këtë sindromë ishte konstatuar në Hong-Kong. Ky infeksion ishte pasojë e një virusi të transmetuar tek njeriu nga kafshët, gjatë kontaktit të ngushtë mes tyre. Dyshohej se në transmetimin e tij tek njerëzit ka ndikuar një tip i veçantë ushqimi, që ishte mjaft i preferuar në jug të Kinës.
Virusi merret nga rrugët e frymëmarrjes, nëpërmjet spërklave të pështymës së personit të infektuar, gjatë kontaktit të ngushtë me të. Gjithsesi, dyshohet që ky virus mund të transmetohet edhe në distanca më të mëdha, nëpërmjet ajrit, ujit të pijshëm, jashtëqitjeve dhe pajisjeve të ajrit të kondicionuar. Deri më sot, studiuesit kanë konstatuar se virusi përgjegjës i SARS mund të mbijetojë jashtë një organizmi për të paktën 24 orë.
Përkundrazi, temperaturat mbi 56°C e shkatërrojnë atë.
Virusi që shkakton sindromin e vështirësimit akut të frymëmarrjes (SVAF ose SARS) bën pjesë në familjen e koronaroviruseve. Me kalimin e viteve, këto viruse kanë pësuar ndryshime në strukturën e e tyre, duke rezultuar përgjegjëse për rreth 30% të rrufave dhe infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes.
Sipas organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) virusi i SARS ka egzistuar prej shumë kohësh, por pa u transmetuar tek njerëzit.
Studime intensive janë përqëndruar në zbulimin e rrethanave të transmetimit të virusit tek njeriu. Ato po tregojnë gjithnjë e më tepër rëndësinë e madhe që kanë në këtë drejtim zakonet e ushqyerjes në disa zona të Kinës. Testet e këtyre studimeve janë kryer tek minjtë, derrat dhe shpendët.
Rreziku më i lartë për t’u infektuar nga virusi shkaktar i SVAF (SARS), paraqitet tek familjarët dhe të afërmit e pacientëve të prekur prej tij. Gjithashtu, të ekspozuar ndaj këtij risku janë edhe personeli mjekësor dhe infermier, personat e moshuar dhe personat me sistem imunitar (mbrojtës) të dobësuar paraprakisht (me diabet, SIDA, etj).
Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para të sëmundjes) për virusin e SVAF (SARS) zgjat nga 2-7 ditë. Në raste të rralla, ajo mund të zgjasë deri në 12 ditë. Nëse pas kthimit nga një vend me risk për këtë sindromë, një person paraqet simptomat karakteristike të saj, ai duhet të konsultohet menjëherë nga një mjek.
Simptomat e mundshme:
- Temperaturë e lartë (deri në 38°C)
- Kollë e fortë
- Vështirësi në frymëmarrje, që mund të arrijë deri në bllokim (ndërprerje) të saj.
- Dhimbje fyti
- Dhimbje koke
- Dhimbje të muskujve
- Mungesë e oreksit
- Turbullime të ndërgjegjes (konfuzion)
- Diarre
- Irritim të lëkurës
- Dobësi e përgjithshme trupore
Sipas mikrobiologëve, virusi i SVAF (SARS) po prek gjithnjë e më shumë jo vetëm rrugët e frymëmarrjes, por edhe stomakun dhe sistemin e tretjes. Si pasojë, ai mund të shkaktojë dëmtim të funksionit të veshkave dhe organeve të tjera të rëndësishme, duke rrezikuar në këtë mënyrë jetën e pacientit.

Në çdo rast, nëse dyshohet për sindromën e vështirësimit akut të frymëmarrjes (SVAF ose SARS), është tejet i rëndësishëm informimi i mjekut në mënyrë të hollësishme në lidhje me mundësinë e kontaktit të pacientit me një rast të infektuar nga virusi SARS, rrethanat dhe momenti i kontaktit, udhëtimi i mundshëm i tij gjatë ditëve të fundit në vendet me risk për këtë sindromë.
Më pas, egzaminimi klinik, analizat laboratorike, radiografitë e mushkërive dhe gjendja e përgjithshme e pacientit ndihmojnë mjekun për të përforcuar diagnozën e SVAF (SARS). Në radiografitë e mushkërive konstatohet imazhi i një pneumonie (inflamacioni të mushkërive) virale jotipike, që mund të konfirmohet nga skaneri i tyre. Agjenti shkaktar i infeksionit (virusi) identifikohet në gjak me anën e disa proçedurave tepër të komplikuara dhe të kushtueshme.
Pjesa më e madhe e pacientëve paraqesin simptoma tepër të rënda, që kanë nevojë për trajtim të specializuar, në njësitë e terapisë intensive (reanimacion).


Parandalimi i sindromit të vështirësimit akut të frymëmarrjes (SVAF ose SARS) konsiston në evitimin e udhëtimeve në zonat e rrezikuara. Për mbrojtjen nga infektimi, gjatë kontaktit direkt me persona të infektuar, rekomandohet mbajtja e maskave mbrojtëse në zonën e hundës dhe gojës. Nje masë e tillë mbrojtëse ul shkallën e rrezikut për t’u infektuar nga virusi, por nuk eviton 100% transmetimin e tij. Personeli që kujdeset për personin e infektuar duhet të mbajë veshje speciale mbrojtëse dhe të jetë i pajisur me maska mbrojtëse për rrugët e frymëmarrjes.
Kërkimet shkencore për prodhimin e një vaksine efektive kundër virusit shkaktar të kësaj sindrome, që do të mundësonte mbrojtjen ndaj tij, ende vazhdojnë.