logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Këmbët e enjtura ose edema e këmbëve zakonisht ka shkaqe të padëmshme
Këmbët e enjtura ose edema e këmbëve zakonisht ka shkaqe të padëmshme
Flitet për këmbë të enjtura në rastet kur në to grumbullohet likid (ujë). Për shkak të ecjes vertikale të njeriut dhe efektit të forcës së rëndesës, lëngjet grumbullohen fillimisht në këmbë. Kjo enjtje, e quajtur edemë, mund të ketë origjina të ndryshme, nga zemra, veshkat, gjendra tiroide, etj.

Enjtja e këmbëve është rezultat i një sasie të madhe të ujit me origjinë nga enët e gjakut dhe ato limfatike, që infiltron në indet fqinje. Për shkak të grumbullimit të ujit në inde (e quajtur edemë), lëkura duket e qullët në prekje. Kur shtypet me gisht, në zonën e edemës formohet një gropëz, që mbetet edhe pas heqjes së gishtit.

Edema mund të manifestohet në shumë mënyra, që lejojnë të ngrihet një hipotezë kryesore rreth shkakut të saj. Kështu:

  • Edema prek njërën ose të dy këmbët
  • Enjtja mund të lokalizohet vetëm në një pjesë të këmbës (psh. tek gjuri, kavilja, kurrizi i këmbës) ose të përfshijë të gjithë këmbën.
  • Edema mund të shfaqet në mënyrë të menjëhershme, brenda një periudhe të shkurtër kohore (disa ditësh) ose të theksohet gradualisht për një periudhë më të gjatë kohore (disa javësh)
  • Shpesh edemat shoqërohen me çrregullime të tjera, si: këmbët e "lodhura" dhe "të rënduara", ndjenja e tendosjes, kruajtja , mpirja ose ndjesia e shpimit të gjilpërës, dhimbjet në pulpat e këmbëve gjatë natës, nxehtësia lokale, temperature e lartë, vështirësia në ecje.

Nëse këmbët mbeten të enjtura për kohë të gjatë, mund të provokohen dëmtime në inde, madje të shfaqen edhe plagë në këmbë ose flebit.

Shpesh, edemat e këmbëve janë beninje dhe shkaktohen nga temperaturat e larta ose nga periudha të gjata të kaluara në këmbë ose ulur. Gjithsesi, shkaku mund të jetë më i rëndë nga sa duket, si psh. një sëmundje e zemrës, e veshkave ose e mëlçisë. Këmba e enjtur është gjithashtu simptomë kryesore e një sëmundjeje të quajtur flebit. Gjithsesi, të mundshme janë edhe shumë shkaqe të tjera.

Shkaqet e edemave:

Nëse këmbët janë të enjtura për shkak të një çrregullimi të venave, pacienti mund të kryejë disa proçedura që mund të pakësojnë dhimbjet, madje edhe të evitojnë shfaqjen e tyre. Ja disa këshilla:

  • Ecja dhe qëndrimi shtrirë është lehtësues, ndërsa qëndrimi ulur dhe në këmbë është i dëmshëm për venat
  • Ngrini këmbët lart. Kujdes: nuk duhet t’i ngrini këmbët lart nëse ato janë të enjtura nga një sëmundje kardio-vaskulare, nga një çrregullim i furnizimit me gjak ose një flebit, sepse ngritja e këmbëve mund ta shtojë edemën.
  • Lëvizni më shumë gjatë ditës: preferoni shkallët dhe jo ashensorin, ngrihuni në këmbë në intervale të rregullta kohore gjatë aktiviteteve ku qëndroni për kohë të gjatë ulur.
  • Ushqyerja e shëndetshme dhe e ekuilibruar, si dhe aktiviteti fizik i mjaftueshëm ndihmojnë në pakësimin e mbipeshës trupore dhe përmirësojnë furnizimin me gjak. Aktivitete fizike veçanërisht të favorshme për venat janë: noti, ecja, çiklizmi, vallëzimi.
  • Gjimnastika për këmbët: kontraktimi i përsëritur i muskujve të vitheve, si dhe lëvizjet rrethore të këmbëve përmirësojnë furnizimin me gjak në venat dhe ulin edemën.
  • Dushet e alternuara me ujë të ftohtë dhe të ngrohtë përmirësojnë funksionin e venave: evitoni banjat e nxehta dhe saunat.
  • Alkooli dhe duhani dëmtojnë enët e gjakut, dhe për këtë arsye duhet të evitohen.

Pacientët që paraqesin për herë të parë ose në mënyrë të përsëritur edema të gjymtyrëve të poshtme, duhet të konsultohen patjetër me një mjek. Konsulta mjekësore është urgjente kur edema shfaqet menjëherë dhe/ose kur është e shoqëruar nga çrregullime të tjera, të tilla si dhimbjet, nxehtësia lokale, temperatura e lartë, dhimbjet e kraharorit ose dispnea .

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • · Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
  • · Mjeku internist
  • · Mjeku kardiolog
  • · Mjeku flebolog

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me enjtjen e këmbëve: nëse është prekur vetëm njëra këmbë apo të dyja, nëse është enjtur e gjithë këmba apo një pjesë e saj, prej sa kohësh është shfaqur edema, menjëherë apo në mënyrë graduale, faktorët që e përkeqësojnë apo lehtësojnë, etj.
  • Analiza e faktorëve të rriskut për një flebit: mbipesha trupore, mungesa e lëvizjeve (periudha të gjata të qëndrimit shtrirë, qëndrimi ulur për shumë orë (tromboza e udhëtarit), ndërhyrje kirurgjkale të kaluara, variçet egzistuese, pilulat, duhanpirja, shtatzania.
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, sëmundje të njohura të zemrës, veshkave ose mëlçisë, përfshirë dhe operacionet.
  • Informimi mbi sëmundje ose shkaqe vdekjesh të rëndësishme në familjen e pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi fizik

Gjatë egzaminimit fizik, mjeku auskulton zemrën dhe kërkon për shenja të insufiçiencës kardiake (venat e qafës janë tipikisht të enjtura) dhe palpon mëlçinë. Gjatë inspektimit, mjeku egzaminon kryesisht shkallën e edemës, lëkurën dhe veçori të tjera, dhe verifikon funksionimin e mirë të arterieve të këmbëve, duke i palpuar dhe auskultuar ato.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike

  • Eko Dopler e këmbëve: egzaminimi i fluksit të gjakut dhe gjendjes së venave  të këmbëve.
  • EKG (elektroklardiografia): paraqitja grafike e aktivitetit elektrik të zemrës
  • Ekografia e zemrës
  • Ekografia e barkut (veçanërisht për mëlçinë)
  • Analizat e gjakut
  • Flebografia (radiografia e venave me injektimin e një lënde kontrasti)
  • Egzaminime imazherike, si skaneri, rezonanca magnetike
  • Në varësi të edemës, mund të nevojiten edhe egzaminime të tjera mjekësore, përveç këtyre të përmendura më sipër.

Për më tepër informacion lidhur me egzaminimet mjekësore diagnostike, mund të përdorni lidhjen korresponduese me sëmundjen e kërkuar (faqja kryesore).

Trajtimi mjekësor i edemave të gjymtyrëve të poshtme varet nga shkaku i tyre. Ja disa shembuj:

  • Përdorimi i diuretikëve në insufiçiencën kardiake ose sëmundjet e veshkave.
  • Në rastin e flebitit: ulja e ngarkesës, përdorimi i antikoagulantëve, sipas rastit mund të kryhet operacion për heqjen e trombit.
  • Në varësi të madhësisë së variçes, egzistojnë disa proçedura kirurgjikale: sklerotizimi, operacioni me lazer ose heqja e venës.
  • Për edemat limfatike: drenimi limfatik manual , nuk rekomandohet përdorimi i diuretikëve.
  • Për reaksionet inflamatore me natyrë alergjike: antihistaminikët, medikamentet me bazë kortizoni për kohë të shkurtër.
  • Për infeksionet bakteriale në lëkurë rekomandohet përdorimi i antibiotikëve.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.