logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Çrregullimet e gjumit: nevoja për gjumë është individuale për secilin individ.
Çrregullimet e gjumit: nevoja për gjumë është individuale për secilin individ.

Sipas ekspertëve, gjumi ndryshon gjatë natës. Kur faza e gjumit të thellë shkurtohet dhe ndërprerjet e gjumit shtohen, personi, të nesërmen, ndihet përgjithësisht më pak i çlodhur. Ankesat e lidhura me ndërprerjet e shpeshta të gjumit ose me mungesën e gjumit të thellë duhen konsideruar me seriozitet, pasi ato, veçanërisht tek personat e moshuar, mund të jenë pasojë e një shkaku organik (sëmundjeje të mirëfilltë).

Si të tillë mund të përmendim çrregullimet e frymëmarrjes gjatë natës, shumë shpesh të shfaqura tek personat me mbipeshë trupore.

Në këtë këndvështrim, çdo person që fle keq për një periudhë të gjatë kohore, duhet të konsultohet nga një mjek.

Simptomat tipike të një apneje të gjumit janë: gërrhitja e fortë, gjumë i çrregullt, dhe episode të apnesë (ndalimit të frymëmarrjes) gjatë natës. Nëse këto simptoma vazhdojnë për një periudhë të gjatë kohore, ato mund të ndikojnë negativisht në rendimentin intelektual të personit përkatës, të shoqëruara me ndryshime të karakterit, dhimbje koke në mëngjes dhe lodhje trupore gjatë ditës.

Sëmundje të shumta mjekësore, të natyrës neurologjike dhe reumatizmale, kanë një ndikim negativ mbi gjumin. Megjithatë, trajtimi i përshtatshëm i tyre lejon përmirësimin e çrregullimeve të gjumit.

Përveç këtyre sëmundjeve, gjumi mund të çrregullohet edhe prej efektit të padëshiruar të disa medikamenteve që përdoren tek personat e moshuar, për sëmundje të caktuara të lidhura me moshën.

Një tjetër sëmundje që shoqërohet me çrregullime të gjumit është sindroma e "këmbëve të shqetësuara", që karakterizohet nga një nevojë thuajse e detyrueshme dhe e parezistueshme për të lëvizur këmbët. Kjo situatë e pengon personin përkatës që të flejë.

Gjithashtu si shkaktare në këtë drejtim konsiderohen edhe sëmundjet psiqike si depresioni dhe stresi, kryesisht të lidhura me moshën.

 

Nëse çrregullimet e lidhura me gjumin shfaqin pasoja negative mbi cilësinë e jetës së pacientit gjatë ditës, me ulje të aftësive të tij intelektule, duhet domosdoshmërisht të kontaktohet mjeku.
 
Ndërmjet pasojave negative mbi pacientin, mund të përmendim: lodhjen gjatë ditës, uljen e shkallës së përqëndrimit, gjendjen e ankthit dhe luhatjet e shpeshta dhe të rëndësishme të humorit.

Për të parandaluar shfaqjen e çrregullimeve të gjumit, rekomandohen këto masa:

  • Çdo person që qëndron i ulur në tavolinën e tij të punës për disa orë gjatë ditës, duhet të bëjë një shëtitje në mbrëmje përpara se të flejë, ose të ushtrojë një sport gjatë pasdites, me qëllim që jo vetëm të lodhet fizikisht, por edhe të shkarkohet nga ana emocionale.
  • Vakti i darkës duhet të jetë i lehtë. Vaktet e rënda janë të vështira për t’u tretur dhe mund të japin shqetësime që prishin cilësinë e gjumit.
  • Të praktikohet dushi skocez, i alternuar me ujë të ftohtë dhe të ngrohtë çdo mëngjes, me qëllim që të nxisë sistemin nervor vegjetativ.
  • Evitoni konsumin e kafesë, çajit, duhanit dhe alkoolit. Edhe pse alkooli ndihmon gjumin, ai çrregullon në mënyrë të theksuar ritmin 24 orësh gjumë-zgjim dhe anasjelltas.
  • Sistemoni shtratin dhe dhomën tuaj të gjumit në mënyrë sa më të këndshme dhe të rehatshme, dhe përdorini ato vetëm për të fjetur.
  • Dhoma e gjumit duhet të jetë e freskët, e qetë dhe e errët.
  • Evitoni gjumin pas ngrënies së drekës, ose të paktën kufizoni zgjatjen e tij në maksimumi 15 minuta.
  • Rënia në gjumë dhe zgjimi prej tij duhet të bëhen në të njëjtën orë çdo ditë. Vetëm në këtë mënyrë organizmi mund të përshtatet me këtë ritëm gjumë-zgjimi.
  • Krijoni një ritual tuajin përgatitor për gjumin,, psh. praktikoni larjen e dhëmbëve, lexoni disa faqe libri, qëndroni qetësisht të ulur në një karrige duke vështruar natën jashtë, duke lejuar në këtë mënyrë organizmin tuaj të futet në fazën e gjumit.
  • Në vend që të rrotulloheni në shtrat për disa orë, kur nuk mund të flini, ngrihuni, lexoni pak (gjithnjë në shtrat), përgatitni një filxhan çaji me kamomil ose një gotë me qumësht të ngrohtë me mjaltë.
  • Numëroni, sepse ju ndihmon për qetësimin shpirtëror. Ju mund t’i thoni vetes: nuk jam i detyruar të fle, mjafton të qëndroj shtrirë. Kështu evitoni stresin apo ankthin e pritjes.
  • Disa produkte kimike (medikamente) mund të shkaktojnë shumë shpejt një gjendje varësie. Në vend të tyre mund të përdorni çajin e valerianës (bimë që ndihmon gjumin).  

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...