Flebiti (Inflamacioni i venave, Tromboflebiti)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Flebiti është një inflamacion i thjeshtë i murit të venave, që prek vetëm venat sipërfaqësore. Si i tillë nuk konsiderohet serioz, por gjatë inflamacionit të venave ekziston relativisht shpesh rreziku i formimit të trombeve (mpiksjeve të gjakut).
Nëse këto dy dukuri, inflamacioni dhe trombi, ndodhin në të njëjtën kohë, atëherë bëhet fjalë për një tromboflebit. Duhet të bëjmë dallimin midis tromboflebitit sipërfaqësor dhe trombozës së venave të thella.
Tromboflebiti ndodh më shpesh në venat e mbingarkuara të këmbëve ku qarkullimi i gjakut ngadalësohet, tek venat me variçe ose gjatë qëndrimit për kohë të gjatë në shtrat. Faktorë të tjerë të rrezikut janë dëmtimet e murit të venave dhe ndërhyrjet kirurgjikale. Tromboflebiti zakonisht ndodh papritur.
Një inflamacion i thjeshtë i venave (flebiti) është zakonisht i parrezikshëm dhe shërohet brenda pak ditësh me një trajtim të përshtatshëm.
Në rastin e tromboflebitit - sidomos në zonën e ijës - ekziston edhe rreziku i formimit të mpiksjeve të gjakut në venat e thella, pra tromboza e venave të këmbëve (në rreth 30% të rasteve). Kjo, nga ana tjetër, mund të shkaktojë emboli pulmonare, një ndërlikim potencialisht kërcënues për jetën. Për shembull, një qëndrim në shtrat për kohë të gjatë ose moslëvizja e gjymtyrës për shkak të vendosjes së allçisë, favorizon një ndërlikim të tillë të rëndë.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, tromboflebiti (i quajtur edhe flebit) ndikon në venat sipërfaqësore të këmbës. Shpesh, variçet shkaktojnë inflamacion të murit të venave ku janë shfaqur. Faktorë të tjerë të përbashkët të rrezikut janë qëndrim në shtrat për kohë të gjatë dhe moslëvizja për shkak të allçisë.
Shkaqet dhe faktorët e tjerë të rrezikut
- Dështimi i punës së zemrës (insufiçienca kardiake) ose infarkti akut i miokardit
- Septicemia (infeksioni i gjakut)
- Infeksionet
- Ndërhyrjet kirurgjikale
- Historia familjare për flebite dhe tromboflebite
- Mosha
- Mbipesha e rëndë
- Duhanpirja
- Dehidratimi
- Dëmtimi i venave pas një traume
- Irritimi mekanik i murit të venave (p.sh. nga një kateter, perfuzion, djegie, etj.)
- Medikamentet që irritojnë muret e venave
Raste të veçanta të inflamacionit të venave
- Tromboflebiti fluturues: manifestohet në pjesë të ndryshme të trupit duke u përhapur shpejt. Ai është një reagim ndaj alergjive, sëmundjeve të rënda infektive ose kancerit.
- Sëmundja Mondor: është një dhimbje në venë në anë të kraharorit, me shkak ende të panjohur.
Inflamacioni i një vene shfaqet lokalisht me shenjat klasike të inflamacionit, që janë:
- Skuqja e venës së prekur
- Ndjeshmëria ndaj nxehtësisë në atë zonë
- Dhimbje, ënjtje
- Shpesh pakësohet shkalla e funksionimit të gjymtyrëve të prekura
- Dhimbja në shputën e këmbës
- Gjatë tromboflebitit sipërfaqësor, shpesh gjatë palpacionit mund të preket një pjesë e venës, që është e fortë dhe e dhimbshme.
Mjeku mund ta diagnostikojë relativisht shpejt një flebit, duke u orientuar nga simptomat, shenjat e dukshme dhe palpacioni (prekja). Gjithsesi, është e vështirë të përcaktohet nëse është thjesht një tromboflebit apo janë prekur edhe venat e thella.
Në rast dyshimi, mjeku i rekomandon pacientit të gjitha testet e nevojshme për diagnozën e trombozës ose parandalimin e embolisë pulmonare, që janë:
- Ekzaminimi me ultratinguj i venave të këmbëve
- Vlerësimi i sistemit venoz nëpërmjet përdorimit të një lënde kontrasti (flebografia)

Trajtimi i flebitit sipërfaqësor është relativisht i thjeshtë dhe local.
Ai konsiston në:
- Kryerjen e lëvizjeve, duke evituar qëndrimin në shtrat
- Shmangia e qëndrimit shtrirë ose ulur për një kohë të gjatë
- Përdorimi i çorapeve të llastikut
- Aplikimi lokal i proçedurave të ftohta, në formën e xhelit ose kremit
- Përdorimi i medikamenteve anti-inflamatore dhe qetësuesve të dhimbjes
- Në përgjithësi nuk rekomandohen antibiotikë, përveç rastit të tromboflebitit infektiv
- Vendosja në pozicionin ngritur të gjymtyrës së sëmurë gjatë natës
Një tromb sipërfaqësor dhe i ri (mpiksje gjaku) mund të hiqet me rrugë kirurgjikale. Në këtë rast, zona e venës së prekur prihet dhe nxirret koaguli.
Në rastin e tromboflebitit të madh, e gjithë vena e prekur duhet të hiqet me rrugë kirurgjikale. Sipas rastit, është mjeku që do të vendosë nëse duhet të përdoren antikoagulantët (holluesit e gjakut). Sigurisht që ato përdoren në rastet që rrezikojnë jetën, dhe kur dyshohet për përhapjen e trombozës në venat e thella.