logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Ethet Chikungunya: mushkonja tigër Aedes albopictus.
Ethet Chikungunya: mushkonja tigër Aedes albopictus.

Ethja chikungunya është një infeksion viral që shfaqet kryesisht në zonat tropikale. Megjithatë, raste të importuara nga udhëtimet në këto zona janë konstatuar edhe në rajonin tonë.
Kjo sëmundje është tepër e përhapur në Afrikë dhe Azinë juglindore. Transmetimi i virusit shkaktar të saj kryhet nëpërmjet mushkonjës tigër, që është aktive gjatë ditës. Në disa vende aziatike është konstatuar transmetimi nga njeriu tek njeriu gjatë sezonit të shirave dhe gjatë infektimit masiv të mushkonjave.
 
Gjatë viteve të fundit, edhe në Evropë raportohet shtim i rasteve me infeksione të importuara nga persona që kanë udhëtuar për në Tailandë, Sri Lanka, Filipine dhe Afrikën e jugut. 
 
Termi “chikungunya” (në gjuhën Kisvahili “njeriu i përkulur”) përkufizon dhimbjet e gjymtyrëve dhe dhimbjet e kyçeve, që janë karakteristike, dhe që i detyrojnë personat e infektuar të qëndrojnë të përkulur.
Rreziqet e kësaj sëmundjeje, të zbuluar që në vitin 1957, janë nënvlerësuar për një kohë të gjatë.

Përgjithësisht, ajo është një sëmundje beninje, edhe pse në Azi dhe në arqipelagun e Oqeanit Indian janë konstatuar vdekje prej saj.

Virusi chikungunya, një alfavirus i familjes togaviridae, është përgjegjës për këtë sëmundje. Ai transmetohet tek njeriu nga mushkonjat tigër, që janë aktive gjatë ditës. Në Azi janë dokumentuar edhe raste ku transmetimi ka ndodhur nga njeriu tek njeriu.

Ethja chikungunya është veçanërisht e rrezikshme për pacientët e prekur nga sëmundje kronike, fëmijët e vegjël, personat e moshuar dhe gratë shtatzana.

 

Ethet Chikungunya: dhimbje e papritur e fortë e kyçeve.
Ethet Chikungunya: dhimbje e papritur e fortë e kyçeve.

Periudha e inkubacionit  (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para të sëmundjes) për këtë virus zgjat nga 1-12 ditë. 

Simptomat karakteristike jane:
  • Dhimbjet e kyçeve, që janë të forta dhe të menjëhershme, kryesisht në nivelin e kyçit të dorës, bërrylit, shpatullës, gjurit dhe kyçit të këmbës.
  • Ngurtësim të rëndësishëm, enjtje dhe inflamacione të kyçeve. Pacienti ecën me vështirësi (chikungunja-njeriu i përkulur).
  • Simptoma karakteristike të një gripi, si temperatura, ethet, dhimbja e kokës, lodhja, ulja e rendimentit.
  • Inflamacioni i konjuktivës (pjesa e brendshme e qepallave), që emërtohet konjuktivit.
  • Shfaqja e puçrrave në lëkurë.
  • Faza akute (e menjëhershme) e sëmundjes zgjat 2-4 ditë dhe shërohet përgjithësisht në mënyrë spontane.
  • Në disa raste, pas fazës së përmirësimit, mund të shfaqen periudha të shkurtra me temperaturë dhe dhimbje të forta.
Ethet Chikungunya: zbulimi i antitrupave në gjak.
Ethet Chikungunya: zbulimi i antitrupave në gjak.

Diagnoza e ethes chikungunya përcaktohet nga mjeku specialist infeksionist, duke u bazuar në:

  • Simptomat që paraqet pacienti.
  • Informimin e tij në mënyrë të detajuar lidhur me udhëtimet e mundshme të pacientit në zonat e rrezikuara nga virusi përkatës.
  • Kryerjen e analizave të gjakut, për identifikimin e antitrupave të drejtuara kundër virusit në gjak.
  • Simptomat akute (të menjëhershme) ngjajnë me ato të ethes tropikale. Pikërisht për këtë arsye, fillimisht duhet të përjashtohet një infeksion i mundshëm nga virusi tropikal, i cili gjithashtu transmetohet nga mushkonja tigër.
Ethet Chikungunya: trajtimi i simptomave.
Ethet Chikungunya: trajtimi i simptomave.

Aktualisht, nuk ekziston asnjë medikament specifik kundër virusit chikungunya. Për këtë arsye, trajtimi në rastet e infektuara prej tij është vetëm simptomatik, pra për qetësimin e simptomave që paraqet pacienti.

Për trajtimin e dhimbjeve dhe enjtjeve të kyçeve, është mjaft efikase fizioterapia. Përdorimi i medikamenteve që lehtësojnë dhimbjet (antialgjikët) dhe që ulin temperaturën (antipiretikët) përmirëson gjendjen e përgjithshme të pacientit.

Në pjesën më të madhe të rasteve, shërimi është i plotë dhe i përhershëm.

Në raste të rënda, inflamacionet dhe dhimbjet e kyçeve mund të vazhdojnë për  disa muaj.

Rreth 12% e pacientëve paraqesin simptoma të theksuara të sëmundjes (ngurtësim, enjtje dhe dhimbje të kyçeve) edhe  pas 3 vjetësh. 

Personat veçanërisht të ekspozuar ndaj ethes chikungunya mund të vdesin gjatë sëmundjes.

Ethet Chikungunya: mbrojtja me rrjeta të mushkonjave dhe veshje mbrojtëse.
Ethet Chikungunya: mbrojtja me rrjeta të mushkonjave dhe veshje mbrojtëse.

Në ditët e sotme, nuk ekziston asnjë vaksinë kundër ethes chikungunya. Personat që e kalojnë sëmundjen, janë të imunizuar (të mbrojtur) ndaj saj për gjithë jetën.

Mënyra më e mirë e parandalimit të saj konsiston në mbrojtjen kundër mushkonjave, nëpërmjet përdorimit të produkteve që i luftojnë ato, të veshjeve të përshtatshme (bluza me mëngë të gjata dhe pantallona) në zonat me lagështirë dhe kënetat, si dhe duke përdorur rrjeta kundër mushkonjave. 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.