Herpesi gjenital (Fshikëzat e herpesit)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Me herpes kuptojmë daljen e fshikëzave (vezikulave) të vogla dhe të dhimbshme në zonën e buzës, gjuhës dhe mukozave gjenitale. Sëmundja është shumë ngjitëse dhe përhapet përmes kontaktit fizik, puthjes apo marrëdhënieve seksuale.
Një person që ka patur kontakt me persona me herpes mund të ketë shpërthime të mëtejshme të këtij të fundit, ku njerëzit me sistem imunitar të dobësuar janë veçanërisht të ndjeshëm. Sëmundja mund të transmetohet edhe nga nëna tek fëmija në kohën e lindjes.
Virusi Herpes Simplex1 (HSV-1) shkakton vezikula në buzë, gjuhë dhe mukoza. Herpesi gjenital zakonisht shkaktohet nga virusi herpes simplex 2 (HSV-2).
Për shkak të ndryshimeve në praktikat seksuale, HSV-1 është përgjegjës për rreth 40% të infeksioneve gjenitale të shkaktuara nga virusi herpes.
Më parë, këto infeksione gjenitale shkaktoheshin nga HSV-2.
Faktorët e mëposhtëm mund ta aktivizojnë virusin herpes:
- Efektet e diellit, veçanërisht në malet e larta dhe rrezet UV
- Trajtimet dentare
- Temperatura e lartë (ethja), ftohja, gripi
- Stresi
- Cikli menstrual
- Alergjitë nga ushqimet
- Dobësimi i sistemit imunitar në raste të sëmundjejeve të rënda, pas operacioneve ose pas çrregullimeve mendore.
Shumë njerëz infektohen me virusin e herpesit gjatë fëmijërisë. Megjithatë, ky infeksion nuk jep ndërlikime. Nuk ka mbrojtje imunitare ndaj herpesit: nëse personi e merr këtë virus, simptomat mund të rishfaqen rregullisht.
Shenjat paralajmëruese të hershme përfshijnë kruajtjet, djegien dhe cimbimin. Disa orë më vonë, vezikulat e vogla mbushen me një lëng të qartë. Më pas ato hapen dhe shndërrohen në kore të verdhë, dhe shërohen ngadalë. Këto vezikula mund të shfaqen në gojë, në buzë, në vaginë ose në uretër.
Më vonë, mund të shfaqet edhe temperatura, enjtja e gjendrave limfatike dhe simptomat e gripit. Simptomat zbehen pas rreth dhjetë ditësh.

Diagnoza e herpesit konfirmohet nëpërmjet anamnezës mjekësore dhe ekzaminimit fizik të pacientit. Për këtë shërben:
- Historia aktuale mjekësore dhe simptomat e referuara nga pacienti
- Marrja e materialit nga elementët specifikë (fshikëzat) dhe identifikimi mikroskopik i virusit herpes
- Testet e gjakut

Shërimi i sëmundjes së herpesit është i pamundur dhe simptomat mund të rishfaqen shumë herë. Me kalimin e moshës virusi bëhet më pak aktiv dhe më pak agresiv.
Nuk ka trajtim medikamentoz për virusin e herpesit; është i mundur vetëm lehtësimi i simptomave duke administruar medikamente për dhimbjen, ethen dhe inflamacionin. Kremrat antivirale (p.sh. aciklovir) mund të shkurtojnë pak kohëzgjatjen e sëmundjes.
Studimet e fundit kanë treguar se përdorimi i rregullt i prezervativëve redukton ndjeshëm rrezikun e infeksionit nga HSV-2.
Ndërlikimet e mundshme nga herpesi gjenital janë:
- Infeksione të fshikëzave të lëkurës nga bakterie të ndryshme
- Në rastet kur infeksioni përhapet në zonën e syve, rrezikon të provokojë një inflamacion të kornesë, me ulje të aftësisë së të parit, deri në verbim.
- Një formë shumë e rëndë e infeksionit herpetik rrezikon të shfaqet në formën e neurodermatitit (ekzema herpetike): për shkak të dobësimit të sistemit imunitar, infeksioni mund të përhapet nga goja drejt kafazit të kraharorit. Ai mund të zgjasë 2-3 javë dhe përgjithësisht shoqërohet me gjendje gripale.

Kujdes: nëse keni herpes puthja është e ndaluar!
Këshilla
- Përdorni prezervativë (madje edhe në rast të seksit oral, për shkak të rrezikut të transmetimit të HSV-1)
- Mos kryeni marrëdhënie seksuale gjatë sëmundjes, për shkak të rrezikut të infektimit, edhe në mungesë të elementeve në lëkurë.
- Mos i prekni vatrat e lëkurës për shkak të rrezikut të riinfektimit të tyre.