Fisura anale
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Shkaku kryesor i shfaqjes së një fisure anale konsiderohet përmbajtja e fortë e materialeve që do të jashtëqiten (feçet e forta), që janë karakteristike për personat që vuajnë nga kapsllëku kronik. Gjatë nxjerrjes së tyre, këto feçe kalojnë sfinkterët analë (muskulin rrethor që mban të mbyllur anusin dhe e liron atë vetëm në momentin e jashtëqitjes), duke ushtruar në këtë zonë një presion të lartë.
Shpesh, kjo zonë është paraprakisht e pafurnizuar mjaftueshëm me gjak, si pasojë e pranisë së hemorroideve ose ekzemës, që ushtrojnë shtypje të rëndësishme tek sfinkterët.
Më poshtë renditen shkaqet e formimit të fisurës anale:
- Feçet e forta
- Furnizim i pamjaftueshëm me gjak i zonës anale, i shkaktuar nga një presion i lartë muskular i feçeve të forta mbi sfinkterin (tensionim)
- Prania e hemorroideve, që emërtohen ndryshe "variçet" e zones së anusit
- Kriptiti, që përfaqëson inflamacionin e kripteve (gjendrat që prodhojnë sekrecionet e zorrës)
- Ekzema anale (sëmundje e lëkurës)
- Prania e polipeve inflamatore në zorrë
- Inflamacionet e ndryshme kronike

- Dhimbjet me intensitet mesatar deri të fortë gjatë dhe pas jashtëqitjes
- Gjakderdhje në zonën e anusit, me ngjyrë të kuqe të qartë, veçanërisht pas jashtëqitjes, që konstatohen në letrën higjienike ose në sipërfaqen e feçeve.
- Ndjesia e lagështisë në zonën anale
- Shtimi i presionit muskular mbi sfinkterët analë (tensionimi i tyre)

Për vendosjen e diagnozës së fisurës anale aplikohen proçedura të ndryshme. Është mjaft e rëndësishme që ato të diskutohen ndërmjet mjekut dhe pacientit, në konsultën e parë tek mjeku specialist proktolog, e cila konsiston në:
- Informimin e tij rreth simptomave të pacientit, historisë së fillimit dhe faktorëve shpërthyes ose rëndues të tyre.
- Ekzaminimin me sy të lirë të anusit
- Ekzaminimin klinik, nëpërmjet palpacionit (prekjes) lokale.
- Kryerjen e proktoskopisë, që mundëson egzaminimin e pjesës së brendshme të anusit, me ndihmën e një pajisjeje speciale.
- Nëse pacienti është mbi 40 vjeç, ose nëse pavarësisht moshës së tij, mjeku ka sado pak dyshim për praninë e një kanceri të zorrës së trashë, duhet të kryhet kolonoskopia, që mundëson përjashtimin e një tumori beninj ose malinj të zorrës.
Në përgjithësi, fisurat anale shërohen shpejt, në mënyrë spontane, kur feçet bëhen të buta, pra kur korrigjohet kapsllëku. Nëse kjo nuk realizohet, merren në konsideratë mundësitë e mëposhtme të trajtimit, në varësi të formës së fisurës.
Fisura anale akute (e menjëhershme)
Masa e menjëhershme që zbatohet në këto raste është zbutja e feçeve, nëpërmjet produkteve që kanë efekt laksativ, pra nxisin jashtëqitjen. Si të tilla konsiderohen ushqimet e pasura me fibra vegjetale, banjat lokale me kamomil dhe pomadat me nitrat, të cilat lëshojnë sfinkterin.
Gjithashtu, në drejtim të uljes së tensionimit të sfinkterit, mund të përdoret injektimi i toksinës botulinike, djegia e zonës së dëmtuar të mukozës nëpërmjet nitratit të argjendit ose favorizimi i mpiksjes së gjakut nëpërmjet dritës infra të kuqe. Mund të aplikohet edhe pomadë cikatrizuese.
Nëse këto mënyra nuk mjaftojnë, mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale për trajtimin përfundimtar të fisurës anale, që konsiston në heqjen kirurgjikale të saj (fisurektomia).
Pas kësaj, plaga shërohet në drejtimin nga jashtë brenda, e shoqëruar nga banja të vazhdueshme lokale me lëndë dezinfektuese. Nëse fisurat rishfaqen ose nuk përmirësohen, bëhet fjalë për fisura anale kronike. Nëse të çarat infektohen vazhdimisht dhe nuk shërohen, formohen ulçerat e vogla të thella.
Fisura anale kronike
Trajtohet në të njëtën mënyrë si fisura anale akute. Stabilizimi i jashtëqitjes dhe zbutja e feçeve janë mënyra më e mirë për një ecuri të favorshme të fisurave anale. Gjithashtu të nevojshme janë: banjat lokale me kamomil, pomadat e nitruara dhe, nëse është e nevojshme, kryerja e fisurektomisë.