logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Tuberkulozi: sëmundje shumë ngjitëse e mushkërive e shkaktuar nga bacili i tuberkulozit.
Tuberkulozi: sëmundje shumë ngjitëse e mushkërive e shkaktuar nga bacili i tuberkulozit.

Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike, që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit, ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose të gëlbazës, kur personi i infektuar flet, teshtin ose kollitet.

Mykobakteri i tuberkulozit është zbuluar për herë të parë në vitin 1882, nga Robert Koh. Pacienti i infektuar prej tij, e hedh mikrobin në ambientin përreth tij gjatë kollitjes, nëpërmjet spërklave të gëlbazës. Duke qenë tashmë i pranishëm në ajrin e ambientit, mikrobi mund t`u transmetohet personave të tjerë që ndodhen aty, nëpërmjet ajrit që ata thithin.

Një studim i kohëve të fundit i OBSH -s (organizatës botërore të shëndetsisë) raporton një trefishim të numrit të rasteve me tuberkuloz gjatë viteve të fundit në Afrikë. Kjo mund të shpjegohet me rritjen e numrit të të prekurve nga SIDA dhe nivelin e ulët të kujdesit shëndetsor në këtë kontinent. Në Afrikë, një e treta e të gjitha vdekjeve vjetore janë të lidhura me tuberkulozin.

Edhe në Evropën lindore raportohet rritje e numrit të rasteve me këtë sëmundje, por në këtë rast si shkak cilësohet rezistenca e mikrobit ndaj medikamenteve të përdorura. Kështu, në Rusi po vërehen gjithnjë e më shumë variacione (shtame) të bakterieve rezistente ndaj mjekimit tradicional të përdorur, që për fat të keq është edhe i kushtueshëm. Megjithatë, është mjaft pozitiv fakti që, në përgjithësi në botë, numri i rasteve të infektuara nga tuberkulozi është pakësuar me 20% pas vitit 1990.

Nëse nuk trajtohet sipas protokollit përkatës, ose në rast se mikrobi paraqet rezistencë ndaj antibiotikëve të përdorur, ecuria e sëmundjes mund të jetë e keqe, duke shkaktuar edhe vdekjen e pacientit. Tuberkulozi përfshihet tek sëmundjet ngjitëse me deklarim të detyrueshëm.

 

Veçanërisht të rrezikuar për t`u prekur nga kjo sëmundje janë personat e kequshqyer ose me imunitet të ulur. Pikërisht ky fakt shpjegon edhe shpeshtësinë e lartë të tij në Afrikë, Azinë juglindore dhe në vendet në krizë.

Bakteri mund të futet në organizëm nga mushkëritë (nëpërmjet frymëmarrjes), nga lëkura ose nga aparati i tretjes, nëpërmjet ushqimeve të infektuara. Në personat me dobësim të aftësive mbrojtëse të organizmit (me imunitet të ulur), bakteriet mund të përhapen nëpërmjet gjakut në të gjithë organizmin. Në këtë stad, sëmundja mund të prekë pleurën (cipën e mushkërive), meningjet (cipat e trurit), kockat, aparatin e tretjes ose lëkurën.

Pak kohë pas infektimit shfaqet tuberkulozi parësor, i cili karakterizohet nga një vatër inflamatore e izoluar në nivelin e mushkërive, e cila në vazhdim kapsulohet (rrethohet nga një kapsul). Normalisht, në këtë stad bakteriet duhet të shkatërrohen plotësisht nga makrofagët e sistemit imunitar (qeliza që gëlltisin bakteriet). Gjithsesi, mykobakteri i tuberkulozit është i aftë të mbijetojë dhe të vazhdojë të shumëfishohet në këto qeliza. Nëse sistemi imunitar është i aftë të mobilizojë mekanizmat e tij të mbrojtjes imunitare, për të lufuar kundër këtij infeksioni, sëmundja mund të kufizohet dhe të qëndrojë në gjendje “të fjetur”.

Në të kundërt, nëse sistemi imunitar është i dobët, për shkak të kequshqyerjes, moshës, stresit, konsumit të alkoolit, drogës, pranisë së diabetit të sheqerit ose të një kanceri, tuberkulozi mund të prekë disa organe të organizmit. Bëhet fjalë për tuberkuloz “të hapur” ose aktiv, në të gjitha rastet kur vatrat e infeksionit komunikojnë me mjedisin e jashtëm nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, që në fakt përfaqëson fillimin e periudhës së ngjitshmërisë. Në varësi të lokalizimit të vatrës infeksioze tuberkulare, transmetimi i infeksionit mund të bëhet nëpërmjet gëlbazës dhe ajrit të nxjerrë në ambienin përreth ose lëngut të stomakut (në rastin e tuberkulozit të mushkërive), nga urina (në rastin e tuberkulozit të rrugëve urinare) dhe nëpërmjet jashtëqitjeve (në rastin e tuberkulozit të zorrëve).

Në pjesën më të madhe të rasteve, infektimi ndodh pas kontaktit me persona që vuajnë nga një tuberkuloz aktiv, kryesisht nëpërmjet thithjes së spërklave të vogla të infektuara të pështymës gjatë të folurës, teshtitjes dhe kollitjes së tyre. Çdo person që thith sasi të mëdha të bacilit mund të infektohet prej tij, edhe pse rreziku i infektimit mbetet i ulët krahasuar me sëmundje të tjera infektive. Personat e ushqyer mirë dhe me një sistem imunitar të fortë, kanë një propabilitet të lartë për të mos u prekur nga kjo sëmundje.

Në rastin e tuberkulozit aktiv, është thelbësore vendosja e diagnozës në fazën e hershme dhe izolimi i të sëmurit, për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para) zgjat si rregull nga 4-6 javë.

 

Në fazën fillestare, tuberkulozi mund të jetë krejtësisht pa simptoma (asimptomatik). Ai mund të manifestohet me shenjat e një gjendjeje gripale, me dobësi të përgjithshme trupore, lodhje të shpejtë, mungesë të oreksit, rënie në peshë. Karakteristike për këtë sëmundje janë krizat e djersitjes gjatë natës.

Vetëm gjysma e pacientëve të infektuar nga bacili i tuberkulozit ankohen për shqetësime të lidhura me frymëmarrjen. Në këtë kontigjent pacientësh, është tepër karakteristike prania e një kolle të thatë, pa gëlbazë. Në rastet me prekje të pleurës, mund të shfaqen edhe dhimbje gjatë thithjes dhe nxjerrjes së ajrit (frymëmarrjes dhe frymënxjerrjes).

Në një stad të avancuar, pacientët paraqesin gëlbazë me gjak, madje në raste të rënda edhe hemorragji nga mushkëritë.

Shenjat e urgjencës, që kanë nevojë për trajtim mjekësor të menjëhershëm janë:

  • Kolla e vazhdueshme, gjatë më shumë se 3 javëve, me gëlbazë në ngjyrë të verdhë në të gjelbër.
  • Gjendje gripale e vazhdueshme, me pak ethe, dobësi trupore, rënie në peshë pa arsye të njohur, dhe episode të djersitjes së shprehur gjatë natës.
  • Në rastin e kontaktit me pacientë të prekur nga tuberkulozi ose në rastin e shfaqjes së simptomave të përshkruara më sipër pas një udhëtimi në një vend tropikal.

Grupet në rrezik për t`u infektuar nga tuberkulozi janë:

  • Foshnjat, fëmijët nën 4 vjeç dhe të moshuarit
  • Personat me sistem imunitar të dobët, siç janë pacientët e prekur nga SIDA, nga diabeti i sheqerit, etj.
  • Personat e kequshqyer
  • Personeli mjekësor
  • Personat në kontakt të ngushtë me pacientë me tuberkuloz aktiv.

Përhapja e sëmundjes në organe të tjera si pleura (cipa e mushkërive), perikardi (cipa e zemrës), meningjet (cipat e trurit), ose dhe shfaqja e një pneumonie, varet drejtpërdrejt nga aftësia mbrojtëse e organizmit të pacientit të infektuar. Kështu, sëmundja mund të qëndrojë e fjetur (joaktive) për disa vite, për t`u rizgjuar më pas, duke prekur organe të tjera të trupit.

 

Për diagnostikimin e saktë të tuberkulozit, janë të nevojshme:

  • Njohja në mënyrë të detajuar me simptomat e pacientit në momentin e konsultimit nga mjeku, si dhe të rrethanave familjare dhe shoqërore të tij (shiko grupet e rrezikuara)
  • Egzaminimi fizik i pacientit (perkusioni dhe auskultacioni i mushkërive)
  • Përcaktimi i sasisë së antitrupave në gjak, nëpërmjet testit të tuberkulinës në lëkurë; në rastet e dyshimta për tuberkuloz, por që rezultojnë me test të tuberkulinës negativ, rekomandohet përsëritja e testit pas 3 muajsh.
  • Radiografia e mushkërive, mundësisht e përforcuar me skaner të tyre (veçanërisht në rastet me testin e tuberkulinës pozitiv)
  • Konfirmimi i diagnozës nëpërmjet evidentimit të bakterieve në gëlbazë, në lëngun e stomakut ose në urinë.
  • Marrja e materialit për biopsi nga mushkëritë dhe bronket gjatë kryerjes së bronkoskopisë (egzaminim që mundëson eksplorimin e hollësishëm dhe marrjen e materialit për biopsi në rrugët e frymëmarrjes)

 

Tuberkulozi trajtohet me antibiotikë për një periudhë nga 6 muaj deri në 2 vjet. Gjatë kësaj periudhe, janë të detyrueshme kontrrollet e rregullta tek mjeku specialist pneumolog, në mënyrë që të verifikohet marrja e rregullt e medikamenteve dhe shfaqja e mundshme e efekteve të padëshiruara të tyre.

  • Pas 6-12 muajsh, pacienti i nënshtrohet egzaminimeve dhe, nëse ato rezultojnë negative, pra nuk evidentohet më prania e bacilit Koh, trajtimi i përdorur konsiderohet efikas. Megjithatë, pacienti duhet të vazhdojë t`i nënshtrohet kontrrolleve të rregullta tek mjeku specialist gjatë një periudhe dy vjeçare, në mënyrë që të konstatohet sa më herët ndonjë rizgjim i mundshëm i bacilit.
  • Një pacient me tuberkuloz aktiv duhet të izolohet dhe të trajtohet në kushte spitalore. Kjo sëmundje nuk konsiderohet më ngjitëse pas dy-tre javëve nga fillimi i trajtimit specifik. Për këtë arsye, në këtë faze, izolimi i pacientit nuk është më i nevojshëm.

Në rastet kur bacilli i tuberkulozit shfaq rezistencë ndaj antibiotikut të përdorur, rekomandohet kombinimi i disa antibiotikëve. Sipas të dhënave të OBSH-s (Organizata Botërore e Shëndetsisë), rezistenca ndaj medikamenteve antituberkulare është mjaft e përhapur. Për fat të keq, tek ky kontigjent pacientësh, përparimi i pandalshëm i sëmundjes mund të çojë në vdekje të pacientit.

 

Në rastet e diagnostikuara herët dhe që trajtohen në bazë të protokollit të rregullt të sëmundjes për një periudhë të gjatë, ecuria e sëmundjes është e mirë.

Ndërlikimet e rënda (shiko simptomat, grupet e rrezikuara) mund të përfshijnë: prekjen e mushkërive, të trurit, të kockave, të aparatit të tretjes dhe të rrugëve urinare. Në të tilla raste, tuberkulozi mund të jetë me pasoja vdekjeprurëse për pacientin.

 

Mënyra më e mirë për t`u mbrojtur nga bacili i tuberkulozit është ushqyerja e shëndetshme dhe e ekuilibruar, një gjendje e mirë shëndetsore, kushtet e banimit sa më të shëndetshme dhe respektimi i rregullave bazë të higjienës personale dhe asaj familjare.

Personat e infektuar duhet detyrimisht të izolohen dhe trajtohen sa më shpejt të jetë e mundur. Pas kontaktit me një person të infektuar nga tuberkulozi, mund të fillohet trajtimi me një medikament specifik (antituberkular). Ky trajtim ka për qëllim parandalimin e infektimit, dhe mund të rekomandohet në personat që:

  • kanë sistem imunitar të dobësuar
  • janë planifikuar për operacion
  • janë duke përdorur medikamente që ulin imunitetin
  • kanë të dhëna pozitive për tuberkuloz, me praninë e vatrave inflamatore në mushkëri
  • kanë udhëtuar në zona endemike, me përhapje të gjerë të sëmundjes në popullatë
  • kanë kontakt me persona të infektuar me tuberkuloz, SIDA, ose persona që vijnë nga një vend endemik

Vaksinimi për parandalimin e infektimit nga bacili i tuberkulozit nuk është më i rekomandueshëm nga OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetsisë).

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...