Impetigo tek fëmijët
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Impetigo tek fëmijët karakterizohet nga këto simptoma
- Shfaqja e njollave të kuqe në lëkurë, që kruhen (erupsion kutan)
- Formimi i fshikëzave që përmbajnë ujë ose qelb
- Kur fshikëzat plasin, formohen kore të verdha.
- Mund të shoqërohet me ethe dhe dobësi të përgjithshme. Në këtë rast fëmija duhet të konsultohet menjëherë nga mjeku.
Këshilla:
- Në rast se dyshohet për impetigo, fëmija duhet të qëndrojë në shtëpi, sepse egziston rreziku i infektimit të fëmijëve të tjerë. Ai mund të rikthehet në kopësht ose në shkollë vetëm pas rënies spontane të koreve.
- Përshtatja e masave higjenike tepër të forta. Kjo nënkupton larjen e shpeshtë të duarve, ndërrimin dhe larjen në temperatura të larta të çarçafëve dhe peshqirëve.
- Të prihen thonjtë
- Të mos kruhet, fërkohet, madje as të preket plaga
- Mjekimi plagëve duhet të kryhet me doreza mbrojtëse, me një përdorim të vetëm. Përpara dhe pas mjekimit të tyre, duart duhet të lahen me kujdes me sapun dhe të dezinfektohen me solucionet përkatëse.

Përgjithësisht, mjeku e vendos diagnozën e impetigos duke u bazuar vetëm në të dhënat klinike dhe simptomat e pacientit. Për të identifikuar agjentin shkaktar të impetigos, rekomandohet mbjellja e materialit të marrë nga plaga nëpërmjet një tamponi (strisho). Analiza e urinës mund të nxjerrë në pah një prekje të mundshme të veshkave.

Mjeku i trajton plagët me antiseptikë (medikamente që luftojnë infeksionin duke u vendosur mbi sipërfaqen e lëkurës) me efekt të fortë. Përgjithësisht, kjo shoqërohet edhe nga përdorimi i një antibiotiku.
Në rastet me higjienë të keqe, impetigo përhapet shpejt, duke ndikuar negativisht në gjendjen e përgjithshme të pacientit. Kështu, shfaqja e gjendjes febrile (temperaturës) e ndërlikon situatën dhe vonon shërimin e sëmundjes. Gjithashtu, ndërlikimet mund të vijnë edhe si pasojë e përdorimit të antibiotikëve, prej efekteve të padëshiruara të tyre. Si të tilla mund të përmendim: lodhjen e theksuar, vështirësi në frymëmarrje, erupsione, enjtje, kruarje në lëkurë ose çrregullime të stomakut. Në të tilla raste duhet të njoftohet menjëherë mjeku.
Ndërlikim tepër i rrallë i impetigos është përhapja e infeksionit nga streptokoku në veshka, me shfaqjen e një inflamacioni të tyre. Për këtë arsye, pas zhdukjes së simptomave, rekomandohet kryerja e analizës së urinës çdo 6 javë.