logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel Desalmand)
Tërbimi: sëmundje infektive e rrezikshme që transmetohet nga kafshimi i kafshëve.
Tërbimi: sëmundje infektive e rrezikshme që transmetohet nga kafshimi i kafshëve.
Tërbimi është një infeksion viral, shpesh me pasoja vdekjeprurëse, përgjithësisht i transmetueshëm tek njeriu nëpërmjet kafshimit nga një kafshë e infektuar. Virusi është i pranishëm kudo në botë, me disa përjashtime, si Zelanda e Re, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda.

Për kafshët, si burim i infeksionit më shpesh shërben dhelpra, ndërsa për njerëzit shërben qeni. Në Zvicër, sëmundjen mund ta transmetojnë kafshët e egra si dhelprat, baldosat, madje edhe macet. Edhe familja e ripërtypësve mund të jetë kërcënuese për njeriun në këtë drejtim.

Që prej disa vitesh, si burim i tërbimit konsiderohen edhe lakuriqët e natës. Virusi eliminohet kryesisht nëpërmjet pështymës dhe transmetohet nga kafshimi. Në rastin e një plage të hapur egzistuese, transmetimi mund të kryhet edhe thjesht nga pështyma.

 

Periudha e inkubacionit (koha ndërmjet momentit të infektimit dhe shfaqjes së parë të shenjave klinike) është e ndryshme:  mund të zgjasë nga disa javë në disa muaj. Kohëzgjatja e periudhës së inkubacionit varet shumë nga sasia e virusit dhe nga distanca ndërmjet pikës së kafshimit dhe sistemit nervor qendror

Tek njeriu, zhvillimi i tërbimit kalon në tre stade:

  • Stadi I. Simptomat e hershme: depresion, ethe, çrregullime te sistemit të tretjes, çrregullime të ndjeshmërisë, kruarje në pikën e kafshimit. Këto simptoma mund të kalojnë pa u vënë re.
  • Stadi II. Faza neurologjike akute: ankth, axhitim, tkurrje të muskujve të gëlltitjes e shoqëruar me ndjesinë e frikës për të konsumuar lëngje, si dhe shtim i sasisë së pështymës në gojë. Gjithashtë, të rëndësishme janë çrregullimet e humorit, që reflektohen me alternime të gjendjeve agresive me ato depresive. Frika nga uji: vetëm perceptimi i ujit nëpërmjet shikimit ose dëgjimit mund të provokojë axhitimin e personit të infektuar, me tkurrje të të gjithë muskulaturës së trupit.
  • Stadi III. Faza përfundimtare: Në këtë fazë personi i infektuar ndodhet në gjendjen e komës, gjatë së cilës ai mund të vdesë, prej paralizës së muskujve të frymëmarrjes. Intervali maksimal nga momenti i shfaqjes së shenjave të para deri në momentin e vdekjes është 7 ditë.

 

Diagnoza e tërbimit nuk mund të konfirmohet gjatë periudhës së inkubacionit. Fillimisht ajo është vetëm një diagnozë e supozuar.

  • Përcaktimi i agjentit patogjen mundësohet nëpërmjet marrjes së monstrave nga lëngjet trupore dhe lëkura.

 

  • Pas kontaktit me një kafshë të tërbuar, duhet të lahet dhe të shpëlahet me ujë të bollshëm dhe me sapun vendi i kafshimit, si dhe të dezinfektohet. Menjëherë pas kësaj, duhet konsultuar me mjekun.
  • Edhe në rast se dyshohet për kontakt me një kafshë të infektuar, duhet detyrimisht të fillohet trajtimi parandalues i tërbimit.
  • Në rast se kanë filluar të shfaqen simptomat e para të sëmundjes, vaksinimi ose përdorimi i imunoglobulinave nuk janë më të efektshëm.
  • Të gjitha kafshët e infektuara dhe të gjitha kafshët e ngordhura të dyshimta për tërbim, duhet të raportohen pranë qendrave të inspektimit veterinar të zonës përkatëse.
  • Mënyra më e mirë mbrojtëse për udhëtarët konsiston në evitimin e kafshimit nga kafshët. Kafshët endacake, edhe nëse duken të parrezikshme, nuk duhet as të ledhatohen dhe as të merren në shtëpi.
  • Vaksinimi kundër tërbimit rekomandohet për personat që qëndrojnë për një periudhë të gjatë kohore në një zonë endemike (të infektuar).

 

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.