logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Gjaku në feçe duhet të kontrollohet gjithmonë nga një mjek
Gjaku në feçe duhet të kontrollohet gjithmonë nga një mjek
Gjaku i freskët në feçe (materialet e jashtëqitura) është përgjegjës për ngjyrën e saj të kuqe. Por, egziston edhe gjaku që nuk është i dukshëm në feçe dhe shkakton ngjyrosjen e tyre në të zezë (melena).
Gjaku në feçe shfaqet në tre forma të ndryshme:
  • Gjak i kuq i çelët, që duket në feçe ose në letrën higjienike pas pastrimit anal.
  • Feçet mund të jenë të kuqe të errëta në të zezë (e quajtur melena), shpesh të ndritshme, të ngjitshme dhe me erë të rëndë.
  • Gjaku nuk është i dukshëm, që mund të evidentohet vetëm nëpërmjet një analize të gjakut në feçe (testi i gjakut okult në feçe).

Gjaku me ngjyrë të kuqe të çelët është shenjë e gjakut të freskët, që e ka origjinën në rrugët e poshtme të aparatit të tretjes (zorra e trashë ose anusi). Gjaku që vjen nga rrugët e sipërme të aparatit të tretjes (stomaku, duodeni) është në kontakt me acidet e stomakut dhe meqenëse ndryshohet prej tyre, ai del në feçe me ngjyrë të zezë (melena).

Një humbje e menjëhershme e gjakut me feçe, veçanërisht nëse është në sasi të mëdha, është tepër traumatike për personin që e vuan. Gjurmë të vogla të gjakut në feçe janë përgjithësisht të padallueshme me sy të lirë, dhe shpesh kalojnë pa u vënë re. Gjithsesi, nëse ato vazhdojnë për një kohë të gjatë, mund të shkaktojnë anemi. Për këtë arsye, duhet të kërkohet kryerja e testit për gjak okult në feçe, sa herë që një person rezulton me anemi të pashpjegueshme. Shenjat e anemisë janë: dobësia e përgjithshme trupore, ndjesia e lodhjes së vazhdueshme, dhimbja e kokës, zbehja e mukozave (e dukshme në pjesën e brendshme të qepallave) dhe e lëkurës.

Megjithatë, ngjyrosja e feçeve nuk është gjithmonë shenjë e gjakut në to. Disa ushqime (si boronica, panxhari, manaferrat) ose suplementet e hekurit (tableta ose flakone) mund të shkaktojnë ngjyrosje në të zezë të feçeve, që është e padëmshme.

Simptoma shoqëruese të mundshme

Në rastin e hemorragjisë akute: dhimbje barku, diarre ose kapsllëk (të alternuara), fryrje barku, të vjella me gjak, shenjat e shokut qarkullues (ankth, axhitim, palpitacione, vështirësi në frymëmarrje, hipotension, zbehje, djersë të ftohta).

Në rastin e hemorragjisë kronike shfaqen shenjat e anemisë: dobësia e përgjithshme trupore, ndjesia e lodhjes së vazhdueshme, dhimbja e kokës, zbehja e mukozave (e dukshme në pjesën e brendshme të qepallave) dhe e lëkurës.

Në rastin e kancerit: rënie e pavullnetshme në peshë, prania e mukusit në feçe, diarre dhe kapsllëk (të alternuara).Në rastin e hemorroideve: kruajtje dhe djegie në zonën e anusit.

Gjaku në feçe është gjithmonë shenjë e një sëmundjeje ose një dëmtimi të rrugëve të tretjes. Shpesh si shkak shërbejnë hemorroidet ose fisurat e mukozës anale, por gjithashtu edhe ulçerat ose inflamacionet e ezofagut , stomakut ose duodenit, ose edhe inflamacionet dhe infeksionet e zorrës së trashë. Gjithashtu, në origjinën e kësaj simptome mund të jetë edhe një sëmundje kanceroze.

Shkaqet e gjakut të kuq në feçe (Sëmundje të rrugëve të poshtme të tretjes):

  • Fisura anale
  • Kanceri i zorrës
  • Polipi i zorrës
  • Divertikuliti
  • Hemorroidet
  • Sëmundjet inflamatore të zorrës (Sëmundja Kron , Koliti ulçeroz )
  • Infeksionet e zorrës (psh.enteriti ulçeroz)
  • Tumori i zorrës së hollë
  • Dëmtimet aksidentale (traumat) ose trupat e huaj në hapësirën e barkut
  • Keqformimet e lindura të enëve të gjakut

Shkaqet e lidhura me rrugët e sipërme të tretjes (feçe të zeza = melena):

  • Inflamacioni i mukozës së stomakut (gastriti)
  • Ulçera e stomakut ose e zorrës
  • Fisura e ezofagut gjatë të vjellave të forta (Sindromi Mallory-Weiss)
  • Mosfurnizimi i mjaftueshëm me gjak i zorrës (ishemia)
  • Dëmtimet aksidentale (traumat) ose trupat e huaj në hapësirën e barkut
  • Variçet e ezofagut
Për parandalimin e sëmundjeve të stomakut dhe zorrëve, që shkaktojnë daljen e gjakut me jashtëqitjet, mund t’ju ndihmojnë disa masa të tipit të përgjithshëm, si:
  • Ushqyerja më e ekuilibruar, e pasur në fibra dhe lëngje, për të evituar kapsllëkun dhe daljen e feçeve të forta.
  • Aktiviteti fizik i rregullt dhe ushqyerja e shëndetshme, parandalojnë kapsllëkun dhe aciditetin e madh në stomak.
  • Evitimi i substancave të dëmshme për stomakun dhe zorrët, si alkooli.
  • Kryerja e testeve depistuese për sëmundjen e kancerit.
Prania e gjakut në feçe nuk do të thotë domosdoshmërisht që keni sëmundjen e kancerit. Për të vlerësuar gjendjen dhe sqaruar shkaqet e mundshme të kësaj simptome, rekomandohet konsulta tek mjeku, edhe nëse mendoni se keni hemorroide apo vuani prej kohësh prej hemorroideve. Melena konsiderohet urgjencë mjekësore, pasi sasia e gjakut të humbur nëpërmjet saj është e madhe. Për këtë arsye, trajtimi i pacientit duhet të kryhet në kushte spitalore, në mënyrë emergjente.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni ?

  • Mjeku i familjes
  • Mjeku internist
  • Mjeku gastro-enterolog
  • Mjeku proktolog
  • Mjeku kirurg
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me gjakun në feçe: kur është shfaqur fillimisht, në çfarë sasie, me çfarë ngjyre (e kuqe e çelët, e kuqe e thellë, e zezë), dhe karakteristika të tjera (me qelb, mukus, etj).
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih rubrikën "Si manifestohen simptomat?")
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë aksidentet dhe operacionet.
  • Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit.
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti (psh. kundër reumatizmës, kundër dhimbjeve, për hollimin e gjakut, etj.)
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji ose intolerancë ushqimore të mundshme të pacientit
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi klinik

  • Inspeksioni i zonës anale dhe tusheja rektale

Egzaminime të tjera specifike diagnostike:

Trajtimi i gjakut në feçe varet nga shkaku dhe shkalla e humbjes së gjakut. Kështu që:
  • Në rastin e hemorragjisë akute të aparatit tretës (psh.hemorragjia nga një ulçer në stomak), lokalizohet burimi i gjakderdhjes nëpërmjet gastroskopisë ose kolonoskopisë, dhe më pas ndalohet hemorragjia.
  • Nëse humbja e gjakut është e vazhdueshme ose në rastet me anemi të rëndë të shkaktuar nga humbja e sasive të mëdha të gjakut me jashtëqitje, janë të nevojshme transfuzionet e gjakut.
  • Në rastin e e hemorroideve, mund të ndihmojë përdorimi i një kremi ose suposteve, por nëse hemorroidet janë tepër problematike, duhet të trajtohen me rrugë kirurgjikale.
  • Në rastin e fisurës anale, rekomandohet përdorimi i suposteve, kremrave dhe një ushqyerje e pasur me fibra, por nëse simptomat vazhdojnë nevojitet ndërhyrja kirurgjikale.
  • Polipet e zorrës zakonisht hiqen gjatë kolonoskopisë.
  • Sëmundjet infeksioze të zorrës trajtohen me antibiotikë; sëmundjet inflamatore kronike të zorrës trajtohen me medikamente antiinflamatore (kortizon).
  • Sëmundje të tjera, si divertikujt e zorrës ose sëmundja Kron kanë nevojë ndonjëherë për ndërhyrje kirurgjikale.
  • Për kancerin kolo-rektal, mund të nevojitet ndërhyrja kirurgjikale, medikamentet antikanceroze, radioterapia dhe kimioterapia.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...