Kanceri i zorrës së trashë (Kanceri i kolonit dhe rektumit, Kanceri kolo-rektal)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Termi "kancer kolo-rektal" përfaqëson së bashku kancerin e kolonit (karcinoma e kolonit) dhe të rektumit, që është segmenti i fundit i zorrës së trashë (karcinoma rektale). Ai karakterizohet nga shumëfishimi i pafrenueshëm i qelizave kanceroze në nivelin e mukozës (shtresës së brendshme) së këtyre organeve. Ndonjëherë flitet edhe për kancer intestinal. Gjithsesi, ky term përdoret edhe për tumoret e zorrës së hollë, që janë shumë më të rralla.
Meshkujt me moshë mbi 50 vjeç përbëjnë grupin më të rrezikuar për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë, veçanërisht ata që i përkasin vendeve në zhvillim.
Në rast se diagnostikohet në stade të hershme dhe trajtohet në mënyrë korrekte, mundësitë e shërimit të këtij kanceri janë të mëdha. Duke nisur nga mosha 55 vjeç, rekomandohet depistimi i rregullt për kancerin e zorrës në grupet më të rrezikuara prej tij.

Pjesa më e madhe e kancereve të zorrës së trashë janë rezultat i shndërrimeve kanceroze të adenomave ose polipeve të zorrës (tumore beninje).
Faktorët e rrezikut për kancerin e zorrë së trashë janë:
- Gjinia, ku dominojnë meshkujt me moshë mbi 50 vjeç.
- Historia për praninë e kancerit të zorrës së trashë në familje.
- Prania e polipeve të zorrës dhe historia familjare për to
- Mënyra e ushqyerjes, e pasur në mish dhe yndyrna dhe e varfër në fibra (fruta dhe perime).
- Mbipesha trupore
- Duhanpirja
- Sëmundjet kronike inflamatore të sistemit të tretjes (sëmundja e Kronit dhe koliti ulçeroz)
Në stadin e hershëm, kanceri i zorrës së trashë është më shpesh asimptomatik. Për këtë arsye, personat që bëjnë pjesë në grupet e rrezikuara për shfaqjen e kësaj sëmundjeje, duhet t’i nënshtrohen një ekzaminimi depistues të rregullt pas moshës 50 vjeç.
Pacienti me kancer të zorrës së trashë paraqet këto simptoma:
- Prania e gjakut në feçe (jashtëqitje), i cili nuk është gjithmonë i dukshëm me sy të lirë.
- Ndryshime të feçeve, me alternime të diarresë me kapsllëkun, si dhe mosmbajtje e feçeve (jashtëqitje e detyruar, me urgjencë)
- Dhimbje e barkut dhe fryrje të barkut
- Mungesë e oreksit, rënie në peshë, lodhje trupore
- Anemi, për shkak të humbjeve të gjakut me jashtëqitjet
- Tumoret malinje mund të jenë shkaku i një bllokimi të zorrës, që përbën një urgjencë mjekësore.

Për të konfirmuar diagnozën e kancerit të zorrës së trashë janë të nevojshme këto ekzaminime:
- Kolonoskopia, me anën e të cilës ekzaminohet mukoza e të gjithë zorrës së trashë, deri në nivelin e zorrës së hollë.
- Marrja e materialit indor për ekzaminim mikroskopik (biopsi)
- Ekografia e barkut
- Radiografia e mushkërive, për të përjashtuar metastazat e mundshme
- Skaneri
- Rezonanca magnetike

Diagnoza e hershme e kancerit të zorrës së trashë është thelbësore, pasi ajo siguron mundësi të mëdha për shërimin e pacientit. Trajtimi në këto raste përfshin:
- Kirurgjinë, pra ndërhyrjen kirurgjikale: shërimi i kancerit të zorrës së trashë është i mundur vetëm nëse hiqet plotësisht zorra e trashë ose vetëm tumori, nëse ka qenë i kufizuar mirë. Kur ekziston mundësia, rivendoset vazhdimësia e zorrës së trashë, duke evituar vrimën e jashtëqitjes artificiale, të përkohshme ose të përhershme.
- Radioterapia: terapia me rreze aplikohet para dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale.
- Kimioterapia: konsiston në përdorimin e medikamenteve citostatike (që luftojnë qelizat kanceroze).
Mënyra të tjera të trajtimit:
- Menaxhimi i dhimbjes
- Përfshirja dhe mbështetja psiko-sociale
- Kontrollet e rregullta mjekësore
Ecuria e kancerit të zorrës së trashë varet nga lokalizimi i tij, nga madhësia dhe nga stadi i zhvillimit. Mundësitë për të mbijetuar varen nga stadi i sëmundjes në momentin e diagnostikimit të saj. Këto stade klasifikohen në:
- A: Prekje e mukozës (shtresës së brendshme të zorrës), që konsiderohet stad i lehtë.
- B: Prekje e muskulaturës
- C: Prekje e gjendrave limfatike
- D: Metastaza në distancë (përhapje e kancerit në organet e largëta), që konsiderohet stad tepër i rëndë i sëmundjes.
Ndërlikimet e mundshme të kancerit të zorrës së trashë:
- Anemia
- Bllokimi i zorrës
- Shpimi i tumorit (çarja e tij)
- Përhapja e tumorit në nivelin e organeve të tjera, si mëlçia, fshikëza e urinës, më rrallë mushkëritë ose kockat.
- Rikthimi i sëmundjes pas një suksesi fillestar të mjekimit (recidiva)

Tek personat e rrezikuar, çdo 2-5 vjet duhet të kryhet kolonoskopia (ekzaminimi që mundëson eksplorimin e pjesës së brendshme të të gjithë zorrës së trashë, deri në nivelin e zorrës së hollë, dhe gjatë të cilit mund të merret material indor për biopsi).
Tek të gjithë personat e tjerë, duhet të kryhet në periudha të rregullta kohore ekzaminimi i feçeve (jashtëqitjeve), për praninë e gjakut në to. Çdo person mbi 50 vjeç, duhet t’i nënshtrohet kolonoskopisë çdo 10 vjet.
Masat parandaluese (eleminimi i faktorëve të rrezikut) për kancerin e zorrës së trashë:
- Ushqyerja e shëndetshme dhe e ekuilibruar (e varfër në mish dhe yndyrna dhe e pasur në fruta dhe perime)
- Aktiviteti fizik i rregullt
- Rënia në peshë, në rastin e mbipeshës trupore
- Ndërprerja e duhanit
- Konsumi i sasive sa më të pakta të alkoolit