logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Vitamina C e mjaftueshme e parandalon skorbutin.
Vitamina C e mjaftueshme e parandalon skorbutin.

Skorbuti është një sëmundje që shkaktohet nga mungesa e vitaminës C. Ajo shfaqet kur në trupin e njeriut ka mungesë të madhe ose mungesë totale të acidit askorbik (të quajtur vitamina C) prej disa muajsh. Skorbuti fëminor ndryshe quhet edhe sëmundja Barlow ose Möller-Barlow. Shkaqet e mungesës së vitaminës C janë mosmarrja e mjaftueshme e acidit askorbik me anën e ushqimeve dhe/ose rritja e nevojave trupore për të.

Shumica e njerëzve që jetojnë në vende të industrializuara konsumojnë ushqime të pasura me vitaminën C, ose shtesa ushqimore që e përmbajnë atë, për pasojë praktikisht skorbuti nuk është më një sëmundje. Megjithatë, mangësitë e lehta të kësaj vitamine jane të shpeshta. Shpesh, në të njëjtën kohë mund të konstatohet edhe mungesë e vitaminave të tjera. 

Burimet e acidit askorbik janë kryesisht frutat dhe perimet. Në bazë të rekomandimeve aktuale të lidhura me ushqyerjen, për të parandaluar mungesën e vitaminës C dhe skorbutin, mjafton që të konsumohen 5 lloje të ndryshme frutash dhe perimesh në ditë. Sigurohuni që frutat dhe perimet të jenë të freskëta, sepse vitamina C shkatërrohet kur këto produkte ekspozohen gjatë ndaj nxehtësisë, apo kur janë të ndenjura.

Funksionet e vitaminës C 

Vitamina C është thelbësore për prodhimin e kolagjenit, i cili është i nevojshëm për formimin e indit lidhor, lëkurës dhe kockave. Përveç kësaj, vitamina C luan rol të madh në përgjigjen e sistemit imunitar ndaj infeksioneve, në cikatrizimin (mbylljen e plagëve), si dhe në përthithjen e hekurit, duke kontribuar kështu në formimin e qelizave të gjakut. Vitamina C gjithashtu mbron enët e gjakut dhe ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kardio-vaskulare (të zemrës dhe enëve të gjakut). Si rezultat, pasojat e mungesës së vitaminës C janë të ndryshme dhe varen nga shkalla e mungesës së acidit askorbik.

Meqenëse trupi nuk mund ta prodhojë vitaminën C, është e nevojshme që ajo të sigurohet në sasi të mjaftueshme nga dieta ushqimore. Skorbuti zhvillohet atëherë kur vitamina C nuk sigurohet në sasi të mjaftueshme, ose nëse ka një problem gjatë përthithjes së saj.

Arsyet e mos marrjes së mjaftueshme të vitaminës C

  • Ushqyerja jo e rregullt, p.sh tek alkoolistët
  • Ushqyerja e paekuilibruar, kur konsumohen vetëm ushqime të shpejta (fast-food)
  • Përthithja e pamjaftueshme e vitaminës C në sistemin e tretjes, si për shembull gjatë gastritit ose sëmundjeve të tjera të aparatit tretës, që shkaktojnë mospërthithje të mirë të ushqimit.
  • Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, me heqjen e një pjese të zorrës, që shkakton ulje të përthithjes së vitaminës C.

Arsyet e rritjes së nevojës për vitaminën C

  • Gjatë shtatzënisë ose periudhës së ushqyerjes së femijës me gji 
  • Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale 
  • Gjatë infeksioneve
  • Gjatë aktivitetit të lartë fizik
  • Gjatë trajtimeve të caktuara, si psh. kimioterapisë, radioterapisë, etj.

Vitamina C depozitohet në organe të ndryshme të trupit tonë, kryesisht në mëlçi, gjendrat mbiveshkore dhe hipofizë. Këto depozita të vitaminës C janë të mjaftueshme për 4 deri në 8 javë, gjë që shpjegon faktin pse simptomat e mungesës së vitaminës C nuk manifestohen përpara 8-12 javësh.

Shenjat klinike të mungesës së vitaminës C janë:

  • Lodhja e përgjithshme trupore dhe ulja e performancës
  • Mungesa e oreksit dhe rënia në peshë
  • Dobësimi i sistemit imunitar (me infeksione të përsëritura, ftohje, grip, etj.)
  • Vonesë në mbylljen e plagëve 
  • Pakësim i përthithjes së hekurit, i shoqëruar me anemi nga mungesa e hekurit.

Simptomat e mungesës së thellë të vitaminës C

  • Hemoragji të lëkurës dhe mukozave (dobësim i kapilarëve)
  • Hemoragji në kyçe dhe në muskuj, e shoqëruar me dhimbje dhe enjtje të tyre.
  • Dhimbje të kockave, për shkak të rrjedhjes së gjakut në periost (përgjatë membranës që mbulon kockat).
  • Hemoragji dhe inflamacion i mishit të dhëmbëve 
  • Lëvizje e dhëmbëve
  • Rënie e flokëve dhe dobësim i tyre
  • Çrregullime në rritjen e kockave tek fëmijët 

Nëse nuk trajtohet, skorbuti mund të shkaktojë dëmtime të parikthyeshme në zemër, gjë që çon deri në vdekje.


Skorbuti: mungesa e vitaminës C mund të zbulohet në gjak.
Skorbuti: mungesa e vitaminës C mund të zbulohet në gjak.

Diagnoza e mungesës së vitaminës C duhet të bazohet në historikun mjekësor të pacientit, ekzaminimin fizik të tij dhe në kryerjen e testeve te gjakut.

Një anamnezë (historik mjekësor personal) e detajuar mbi zakonet dhe mënyrën e jetesës së pacientit e orienton mjekut drejt një një mungese të mundshme të vitaminës C, që mund të jetë e hershme ose jo, dhe si pasojë e një diete të pabalacuar.

Ekzaminimi fizik: gjatë ekzaminimit fizik mjeku njihet me mënyrën e ushqyerjes, gjendjen e përgjithshme shëndetsore të pacientit, dhe i kushton vëmendje të veçantë simptomave të një defiçiti të mundshëm të vitaminës C (të përmendura më sipër, si anemia, zbehja, plagët në lëkurë, prishja e dhëmbëve, shërimi i vonuar i plagëve, kyçet e enjtura dhe të dhimbshme, dhimbjet muskulare, etj.)

Testet e gjakut

Në përgjithësi, kur pacienti ka mungesë të vitaminës C, niveli i acidit askorbik në gjak është i ulët, ndërsa proteina C-reaktive (tregues i inflamacionit) është e lartë.

Ekzaminime të tjera

Mungesa e vitaminës C është gjithashtu e dukshme në radiografinë e kockave dhe kyçeve.

Doza ditore e nevojshme për vitaminën C është 1 mg për 1 kg peshë trupore. Në përgjithësi, një dietë e ekuilibruar është e mjaftueshme për të arritur normën e duhur. Për të trajtuar mangësinë e vitaminës C mjafton ushqyerja e balancuar dhe konsumimi i rregullt i lëngut të frutave, si p.sh. lëngu i portokallit.

Personat me mungesë të theksuar të vitaminës C, duhet të marrin doza të larta të acidit askorbik në rrugë orale (nga goja) dhe në rrugë intravenoze. Përveç kësaj, rekomandohet edhe ushqyerja e balancuar, e pasur me fruta dhe perime. Edhe simptomat shoqëruese të mungesës së vitaminës C, si ethet, dhimbjet dhe diarreja, duhet të trajtohen për kohë të gjatë, në mënyrë korrekte.

Një dietë e ekuilibruar (e pasur me fruta dhe perime të freskëta) dhe një mënyrë jetese e shëndetshme (me sasi të kufizuara të alkoolit) mund të parandalojnë mungesën e vitaminës C.

Disa rekomandime të dobishme në këtë drejtim: 

Duhet që një individ të marrë 5 racione perimesh dhe frutash në ditë (3 lloje të ndryshme perimesh, 2 fruta të ndyshme), ku 1 racion konsiderohet sasia prej 120 gramësh, që janë ekuivalentë me 2 decilitër lëng frutash ose perimesh, pa sheqer të shtuar. 

Marrja e shtesave ushqimore (suplementeve) me përmbajtje të lartë të vitaminës C (acid askorbik):

Këto suplemente rekomandohet të përdoren në periudhat kur nevojat e organizmit për vitaminën C rriten (në moshën e tretë, gjatë shtatzënisë, gjatë ushqyerjes me gji, pas operacioneve, gjatë aktivitetit fizik intensiv ose praktikimit të sporteve të ndryshme, për qëllime parandaluese ose për forcimin e sistemit imunitar).

Megjithatë, është e rëndësishme të dimë që nuk duhet të marrim sasi të mëdha të tyre, për një kohë të gjatë, për të zëvendësuar vitaminën C, sepse përthithja e vitaminës C në zorrë është e kufizuar. Për këtë arsye, rekomandohet të merren në doza të vogla, në mënyrë të rregullt, duke mos e kaluar dozën 70 mg në ditë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.