Polisomnografia (Ekzaminimi laboratorik i gjumit, Poligrafia e gjumit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është polisomnografia?
Polisomnografia përdoret kryesisht për të diagnostikuar me saktësi sindromën e apnesë së gjumit (gërhitje me zë të lartë dhe me pushime në frymëmarrje) ose lodhjen e pashpjegueshme gjatë ditës. Megjithatë, ky ekzaminim ndihmon edhe në sqarimin e problemeve të tjera shëndetësore që ndodhin gjatë natës, si p.sh. Sindromi i këmbëve të shqetësuara. Ekzaminimi kërkon që pacienti të flejë një natë në laboratorin e gjumit, në mënyrë që të monitorohen dhe regjistrohen funksione të ndryshme trupore.
Polisomnografia është një ekzaminim i mjekësisë së gjumit. Mjekët që e rekomandojnë kryerjen e tij janë zakonisht mjeku Otorinolaringolog dhe ai Pnemonolog.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë parapërgatitje të veçantë?
Polisomnografia mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë. Ditën e ekzaminimit, këshillohet evitimi i gjumit gjatë ditës.
Çfarë duhet të sqarohet para këtij ekzaminimi?
- Diskutimi me mjekun i problemeve shëndetsore dhe informimi i tij, mundësisht me anën e pyetësorëve, mbi zakonet e gjumit në shtëpi.
- Informimi i mjekut për medikamentet që përdorni, kryesisht ato që ndikojnë tek gjumi.
- Në shumicën e rasteve, polisomnografia paraprihet nga një poligrafi ambulatore. Një aparat fotografik dixhital i vogël bën të mundur regjistrimin në shtëpi të parametrave thelbësorë të gjumit, frymëmarrjes, furnizimit me oksigjen dhe gërrhitjes. Kur rezultatet tregojnë çrregullime që kërkojnë një ekzaminim diagnostik, si në rastin e apnesë së gjumit (gërhitja e natës me pushime të frymëmarrjes), një ekzaminim më i detajuar realizohet në laboratorin e gjumit.
Si kryhet polisomnografia?
Testi i gjumit në laborator fillon në mbrëmje. Gjatë intervistës së pranimit, pacientit i shpjegohet ekzaminimi dhe vendoset në një dhomë personale për një natë. Zakonisht pacientit i kërkohet të plotësojë një pyetësor rreth zakoneve të tij të gjumit dhe çrregullimeve të gjumit. Direkt përpara se të shtrihet në shtrat, atij i vendosen elektrodat që do të mundësojnë matjet e nevojshme, pastaj bie në gjumë normalisht. Telat e shumtë të elektrodave janë të lidhura bashkë, në mënyrë që pacienti të mund të lëvizë në shtrat pa i dëmtuar ato. Gjatë gjithë natës, mjekët e gjumit monitorojnë regjistrimet e polisomnografisë. Elektrodat shërbejnë për të kontrolluar funksione të ndryshme të trupit, duke përfshirë lëvizjet e kraharorit dhe të barkut gjatë frymëshkëmbimit (nëpërmjet rripit të kraharorit dhe rripit të barkut, të pajisur me sensorë të lëvizjes), shpeshtësinë e frymëshkëmbimit (nëpërmjet sensorëve të gojës dhe të hundës), furnizimin me oksigjen (nëpërmjet oksimetrit të vendosur në majën e gishtit), valët e trurit (nëpërmjet Elektroencefalogramës, EEG), aktivitetin e zemrës (nëpërmjet Elektrokardiogramës, EKG), lëvizjet e syrit (nëpërmjet elektrodave të vendosura pranë, ose mbi dhe nën sy) dhe lëvizjet e këmbëve (nëpërmjet sensorëve të lëvizjes të vendosura në të dyja këmbët).
Përveç kësaj, regjistrohen edhe zhurmat e gërrhitjes (nëpërmjet mikrofonit në qafë) dhe lëvizjet e trupit (nëpërmjet video-kamerës me rreze infra të kuqe) si dhe pozicionet e trupit (nëpërmjet sensorëve të pozicionit). Të nesërmen elektrodat hiqen. Më pas pacienti mund të bëjë dush, të hajë mëngjes dhe të shkojë në shtëpi ose në punë. Në rastin e ekzaminimit shtesë të lodhjes gjatë ditës ose të përgjumjes gjatë ditës, pacienti qëndron në spital deri pasdite dhe i nënshtrohet testeve të ndryshme të përqendrimit dhe të vëmendjes.
Kur përdoret polisomnografia?
Polisomnografia përdoret kryesisht për të diagnostikuar shqetësimet e gjumit të lidhura me gërhitjen me zë të lartë, por edhe probleme të tjera shëndetësore që ndodhin ose përkeqësohen gjatë gjumit.
Arsyet më të shpeshta për kryerjen e polisomnografisë janë:
- Sindromi i apnesë së gjumit, gërhitja e natës me pushime të frymëmarrjes
- Lodhje e pashpjegueshme ose përgjumje gjatë ditës
- Sindromi i këmbëve të shqetësuara
- Narkolepsia
A paraqet polisomnografia rreziqe apo efekte të padëshirueshme?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i sigurt.