Perikarditi (Inflamacioni i perikardit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Zemra rrethohet nga perikardi, që përbëhet nga dy fletë të ndara nga një hapësirë e mbushur me lëng. Fleta e brendshme e tij është e fiksuar tek miokardi (muskuli i zemrës), ndërkohë që fleta e jashtme është shumë më e lirshme.
Perikardi kryen shumë funksione: ai mbron zemrën dhe e mbështet atë, në mënyrë të tillë që strukturat me rëndësi jetike të gjoksit (kafazi i kraharorit, enët e gjakut, etj.) të ruajnë gjithnjë të njëjtin pozicion në raport me zemrën.
Perikardi lejon zgjerimin dhe tkurrjen e zemrës, si psh. në rastet e sforcimeve (rrahjeve të forta dhe të shpejta të zemrës). Gjithashtu, ai kontribon në shtimin e sasisë së gjakut që del nga barkushja e djathtë dhe ajo e majtë.
Perikarditi përfaqëson një sëmundje relativisht të rrallë të zemrës, diagnoza e të cilës është rritur gjithsesi gjatë viteve të fundit. Ky fenomen shpjegohet pjesërisht me përsosjen e teknikave të diagnostikimit të sëmundjeve të zemrës, por nga ana tjetër edhe me shtimin e sëmundjeve të arterieve koronare të zemrës.
Perikarditi mund të çrregullojë në mënyrë të rëndësishme funksionin e zemrës, duke shkaktuar një urgjencë të vërtetë mjekësore.
Njihen dy forma të perikarditit:
- perikarditi eksudativ, që karakterizohet nga grumbullimi i një sasie lëngu në perikard
- perikarditi fibroz, në të cilin mungon prania e lëngut
Shumë shpesh shkaqet e perikarditit mbeten të panjohura. Gjithsesi, është plotësisht i sigurt fakti që perikarditi shfaqet përgjithësisht pas një infeksioni ose sëmundjeje tjetër kryesore.
Ndër infeksionet më të shpeshta që shoqërohen me perikardit përmendim ato nga:
Sëmundjet ose gjendjet që mund të shkaktojnë perikardit:
- Sëmundjet e arterieve koronare të zemrës
- Infarkti i miokardit
- Ethja reumatizmale, poliartriti kronik, sëmundjet e skeletit, sëmundjet e indit lidhor
- Sëmundjet autoimune, ku sistemi imunitar lufton organet e vetë organizmit
- Sëmundjet metabolike (sëmundjet e tiroides, të veshkave, diabeti, rritja e nivelit të yndyrnave në gjak, etj.)
- Sëmundjet e strukturave që ndodhen pranë perikardit dhe që kanë tendencë të përhapen dhe ta prekin atë, si: Infarkti i miokardit ose miokarditi, pneumonia, tuberkulozi, ezofagiti,etj.
- Tumoret primare (vatra kryesore) ose dytësore (metastazat)
- Dëmtimet e kafazit të kraharorit
- Trajtimet e dhëmbëve (bakteriet nga goja prekin perikardin duke u përhapur nëpërmjet qarkullimit të gjakut)
- Radioterapia (rrezatimi i jashtëm)

Simptomat e perikarditit janë të ndryshme, në varësi të formës së tij.
Perikarditi eksudativ
Në rast se kjo formë është e lehtë, edhe simptomat e saj janë të pakta, si:
Në rast se pacienti ekspozohet ndaj situatave që shtojnë punën e zemrës (sforcim fizik), mund të shfaqen simptomat e mëposhtme:
- Nxirje e buzëve
- Vështirësi në frymëmarrje
- Bllokim i enëve të mëdha të gjakut në qafë
- Shqetësime në zonën e stomakut (nga zmadhimi i mëlçisë).
- Enjtje e krahëve dhe këmbëve
Perikarditi fibroz
- Dhimbjet shfaqen prapa dërrasës së kraharorit, në mes të gjoksit, dhe janë të varura nga frymëshkëmbimi (thithja dhe nxjerrja e frymës). Kështu, ato shtohen gjatë frymëmarrjes dhe lehtësohen gjatë frymënxjerrjes. Gjithashtu, dhimbjet shtohen kur pacienti është në pozicionin shtrirë dhe gjatë kollës.
- Dhimbja përgjithësisht lehtësohet nëse personi qëndron në pozicionin ulur, me gjoks të përkulur përpara.
Simptomat e përgjithshme në rastin e perikarditit akut (të menjëhershëm):
- Temperaturë e menjëhershme dhe e lartë, në rastin e infeksioneve bakteriale
- Dobësi e theksuar trupore
- Rritje e lehtë deri mesatare e temperaturës trupore, në rastin e infeksionit viral

Për të vendosur diagnozën e perikarditit, mjeku kardiolog bazohet tek:
- Informimi i tij lidhur me simptomat e pacientit
- Egzaminimi trupor i pacientit
- Radiografia e kraharorit
- Elektrokardiograma (EKG)
- Ekokardiograma (Eko e zemrës)
- Analizat e gjakut, me dozimin e treguesve të inflamacionit në organizëm
- Testi i tuberkulinës në lëkurë (për të përjashtuar praninë e tuberkulozit)

Masat e përgjithshme
Trajtimi i perikarditit është në varësi të sëmundjes ose sëmundjeve kryesore, që kanë shërbyer si shkak për shfaqjen e tij. Masat e përgjithshme kanë për qëllim të lehtësojnë simptomat dhe pasojat, si psh. të ndalojnë grumbullimin e lëngut në hapësirën perikardiale. Në rastin e perikarditit akut, rekomandohet regjim absolut në shtrat, për një përmirësim më të shpejtë të gjendjes së përgjithshme.
Medikamentet
Në varësi të shkakut të sëmundjes, trajtimi bazohet në përdorimin e antibiotikëve, të shoqëruar me kortizonikë. Trajtimi i sëmundjes (ve) kryesore konsiston në: përdorimin e medikamenteve imunosupresore (që frenojnë përgjigjen imunitare) në rastin e sëmundjeve autoimune, trajtimin e çrregullimit të funksionit të veshkës, stabilizimin e funksionit të tiroides në rastin e uljes së funksionit të saj (hipotireoza) ose në trajtimin e një kanceri kur ai është i pranishëm.
Gjithashtu, mund të përdoren edhe medikamentet antialgjike (kundër dhimbjes), për lehtësimin e dhimbjeve të kraharorit.
Trajtimi i përshkruar nga mjeku specialist kardiolog, i përshtatur sipas rastit, duhet të zbatohet më përpikmëri lidhur me dozën, oraret dhe kohëzgjatjen e terapisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të evitohet përsëritja e sëmundjes (perikarditi kronik).
Operacionet
Zakonisht, kryerja e punksionit të perikardit realizon nxjerrjen e lëngut të grumbulluar në të nëpërmjet shiringës. Vetëm në raste ekstreme, të grumbullimeve kronike (të përsëritura) të tij, perikardi bëhet objekt i një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale, që konsiston në hapjen e një dritareje në të, që mundëson rrjedhjen e lëngut inflamator të grumbulluar. Në rastin e perikarditit kronik të kalcifikuar (me cikatrice), cikatricet ose pjesët e trashura (të ngurtësuara) të tij duhet të hiqen menjëherë me rrugë kirurgjikale.
Nëse trajtohet në mënyrë korrekte, nga mjeku specialist, perikarditi akut shërohet në pjesën më të madhe të rasteve.
Nëse nuk trajtohet, ose trajtohet në mënyrë joprofesionale, perikarditi mund të çrregullojë funksionin e zemrës dhe të shkaktojë një kolaps kardio-vaskular (me rënie të theksuar të tensionit arterial), me pasoja fatale për pacientin (vdekjen e tij).
Në rastin e perikarditeve që pësëriten (pra kthehen në forma kronike për shkak të sëmundjeve kronike që e shkaktojnë) dhe atyre të kalcifikuara, mund të shfaqen edhe dëmtime të miokardit dhe/ose dëmtime të veshkave ose të mëlçisë.