Koliti ulçeroz (Koliti i ulçeruar, Rekto-koliti ulçeroz hemorragjik)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Koliti ulçeroz është një sëmundje inflamatore kronike e zorrës së trashë (koloni). Inflamacioni fillon më shpesh në zonën e rektumit (pjesa fundore e zorrës së trashë), por mund të përhapet në të gjithë kolonin. Kjo sëmundje karakterizohet nga një inflamacion dhe ulçeracione (gërryerje) të shtresës më të brendshme të zorrës, që quhet mukozë, të cilat shërbejnë si burim i hemorragjisë (gjakderdhjes).
Ecuria karakterizohet nga episode të shpeshta të shenjave inflamatore klasike të kësaj sëmundjeje. Këto episode mund të zgjasin me muaj dhe të përsëriten disa herë brenda një viti. Ndërmjet këtyre episodeve shfaqen periudha të qetësimit të simptomave. Dallimi ndërmjet kolitit ulçeroz dhe sëmundjes Kron ka qenë dhe vazhdon të mbetet një problem i madh mjekësor. Në këtë drejtim ndihmon mjaft fakti që, ndryshe nga sëmundja Kron, koliti ulçeroz kufizohet gjithmonë në zorrën e trashë dhe nuk përhapet në pjesët e tjera të sistemit të tretjes.
Sëmundja zakonisht shfaqet në personat me moshë 20-40 vjeç. Edhe pse pacientët mund të jenë asimptomatikë (pa shqetësime klinike) për periudha të gjata kohore pas episodeve akute, koliti ulçeroz konsiderohet një sëmundje e rëndë.

Problemet e lidhura me zorrët, me origjinë të papërcaktuar, që zgjasin për një kohë të gjatë, kanë nevojë për konsultim me mjekun specialist gastro-enterolog.
Ndër simptomat karakteristike të kolitit ulçeroz mund të përmendim:
- Fillimi i sëmundjes është shpesh i lehtë
- Dhimbje të përhapura në të gjithë barkun
- Një nga karakteristikat e sëmundjes është shfaqja e simptomave me episode shpërthyese. Shfaqja e diarresë së shpeshtë, deri në 20 herë në ditë, me praninë e gjakut në feçe (jashtëqitje) sugjeron për një shpërthim të tipit inflamator. Kjo mund të shoqërohet edhe nga simptoma të tjera, si: ethja, dobësia e përgjithshme trupore, lodhja dhe zbehja e lëkurës.
- Mund të preken edhe organe të tjera, ku më të shpeshta janë: inflamacioni i kyçeve (artriti), i lëkurës dhe i syve.

Diagnostikimi i kolitit ulçeroz bazohet në këto proçedura:
- Njohja e mjekut specialist me simptomat e pacientit.
- Analiza e feçeve për vlerësimin e pranisë së baktereve dhe/ose paraziteve.
- Kolonoskopia, që mundëson eksplorimin e hollësishëm të gjithë gjatësisë së zorrës, si dhe marrjen e materialit nga mukoza për kryerjen e egzaminimit mikroskopik të tij (biopsisë).
- Radiografia e kolonit, me ndihmën e lëndëve të kontrastit
- Dozimi në gjak i markuesve (treguesve) të inflamacionit.

Intensiteti i trajtimit të kolitit ulçeroz varet nga shkalla e rëndësisë së episodeve shpërthyese inflamatore. E shprehur më thjesht, nëse janë të pranishme: gjaku në feçe, ethja dhe çrregullimi i gjendjes së përgjithshme, trajtimi duhet të jetë më intensiv dhe për kohë më të gjatë.
Masat e përgjithshme
- Në rastin e diarresë së rëndë, që shkakton humbje të mëdha të lëngjeve në organizëm, duhet të kompensohet situata nëpërmjet marrjes së sasive të mëdha të lëngjeve
- Në stadin akut: regjim në shtrat, me konsumim të ushqimeve të varfra në sheqerna dhe fibra.
- Rekomandime dietetike nga një specialist dietolog lidhur me modifikimin e regjimit ushqimor. Kujdes: hemorragjitë e shpeshta mund të shkaktojnë defiçit në hekur dhe anemi.
- Ndërprerje e duhanit
Pjesa më e madhe e episodeve inflamatore mund të trajtohen në kushte shtëpie. Shtrimi në spital rekomandohet për rastet me humbje të sasive tepër të mëdha të lëngjeve në organizëm dhe me diarre me gjak, që shoqërohet me anemi. Këto raste kanë nevojë urgjente për marrjen e lëngjeve dhe medikamenteve me rrugë venoze.
Medikamentet
- Medikamentet anti-inflamatore, në formën e kapsulave ose të klizmave, që lëshojnë formën aktive të tyre në zorrën e trashë. Këto medikamente mundësojnë zgjatjen e intervaleve të qeta ndërmjet episodeve inflamatore.
- Në rastin e episodeve tepër të rënda, rekomandohet përdorimi i kortizonit në formën e tabletave, suposteve ose klizmave.
- Kur sëmundja përparon shumë shpejt, nevojitet përdorimi i frenuesve të imunitetit (imunosupresorëve), i shoqëruar gjithmonë me kontrollin e rregullt të gjakut.
- Probiotikët: përdorimi shoqërues i baktereve jo patogjene (që nuk shkaktojnë sëmundje) ka rezultuar të ketë ndikim pozitiv mbi florën mikrobiale të zorrës, duke përmirësuar kështu simptomat e sëmundjes.
- Preparatet me bazë hekuri, kalciumi, vitamine D, për parandalimin e dëmtimeve kockore nga sëmundja vetë ose nga mjekimi me kortizonikë.
Kirurgjia
Ndryshe nga sëmundjet e tjera inflamatore kronike si sëmundja Kron, koliti ulçeroz mund të shërohet vetëm nëpërmjet kirurgjisë. Ndërhyrja kirurgjikale në këtë rast quhet kolektomi (heqje e kolonit). Duhet të peshohen mirë përfitimet dhe rreziqet e kësaj ndërhyrjeje, përpara se të merret vendimi për të. Gjithsesi, teknikat e reja kirurgjikale lejojnë ruajtjen e sfinkterit anal (që mundëson jashtëqitjen natyrale) duke evituar në këtë mënyrë vendosjen e një sfinkteri artificial.
Këshillimi psikoterapeutik
Sëmundja e kolitit ulçeroz ndikon negativisht mbi cilësinë e jetës së pacientëve. Për këtë arsye, në pjesën më të madhe të rasteve nevojitet këshillimi me psikoterapistin, për të përgatitur pacientin se si të përshtatet sa më mirë për të bashkëjetuar me këtë sëmundje.
Për sa kohë që sëmundja është e kufizuar në rektum, ecuria e saj është e mirë dhe jetëgjatësia e pacientëve është normale. Trajtimi i vazhdueshëm dhe korrekt i saj lejon që këta pacientë të kenë një jetë pothuajse normale.
Në pjesën e inflamuar të zorrës së trashë, mund të formohen abcese dhe fistula, të trajtueshme vetëm nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale.
Ndërlikimet e rënda
- Çarja (shpimi) e zorrës, për shkak të dobësimit të murit të saj dhe të tendosjes prej grumbullimit të gazrave në hapësirën e zorrës.
- Megakoloni (zgjerimi i zorrës në një segment të saj), i shoqëruar nga inflamacioni, shpimi i cipës së barkut dhe shfaqja e hemorragjisë.
- Pas disa vitesh ecurie, inflamacionet kronike të zorrës shoqërohen nga zhvillimi i kancerit të zorrës. Për këtë arsye, është mjaft e rëndësishme kryerja e kontrolleve të rregullta me kolonoskopi dhe biopsi të indit të marrë nga zorra e trashë