Sindroma e këmbëve të shqetësuara (Sindroma e këmbëve nervoze)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Sindroma e këmbëve në lëvizje karakterizohet nga një nevojë e parezistueshme për të lëvizur gjymtyrët e poshtme (këmbët). Ajo shoqërohet nga ndjesi të pakëndshme, të tilla si kruajtja dhe ndjesia e shpimit nga gjilpëra.
Simptomat e mësipërme manifestohen kryesisht në pozicionin ulur ose shtrirë, dhe përmirësohen kur personi lëviz, si psh. kur ai kalon nga pozicioni ulur në pozicionin në këmbë ose kur ai vrapon.
Kjo sindromë përfaqëson një sëmundje me ecuri kronike (të vazhdueshme). Në shumë raste, për vendosjen e diagnozës së saj, mund të mjaftojë vetëm një bashkëbisedim i mjekut me pacientin, me informimin e tij në mënyrë të detajuar rreth natyrës së shqetësimeve, mënyrës së shfaqjes së tyre, pozicioneve përkeqësuese dhe atyre përmirësuese të tyre. Gjatë egzaminimit klinik, mjeku nuk konstaton asnjë anomali. Informimi i tij rreth pranisë së kësaj sindrome në familje është i rëndësishëm për vendosjen e diagnozës, pasi trashëgimia është e pranishme në rreth 40% të personave të prekur prej saj.
Simptomat e sindromës së këmbëve në lëvizje mund të shfaqen për herë të parë gjatë fëmijërisë, por jo gjithmonë ato arrijnë të diagnostikohen që në këtë fazë, për shkak të ngatërrimit të shpeshtë me sëmundje të tjera, si "dhimbjet e rritjes" ose sindroma e hiperaktivitetit me ulje të vëmendjes (SHAD).
Faktorët e rrezikut që janë mundur të identifikohen:
- Anemia nga mungesa e hekurit
- Shtatzania: gjatë muajve të fundit të shtatzanisë, disa femra vuajnë nga sindroma e këmbëve në lëvizje. Shpesh, simptomat e tyre qetësohen pas lindjes.
- Ulja e funksionit të veshkave
- Diabeti i sheqerit
- Poliartriti reumatizmal
- Sëmundjet neurologjike (polineuropatia)
Faktorët e mëposhtëm mund të shpërthejnë një «krizë» të sindromës:
- Fibromialgjia
- Mungesa e vitaminave në organizëm
- Sëmundja e Parkinsonit
- Çrregullimet e gjumit, apnea e gjumit
- Sëmundjet e mushkërive (bronkopneumopatitë)
- Hernia diskale
- Operacionet e kryera në stomak
- Kanceri
- Embolitë
- Variçet
- Dridhja e trashëguar
- Sëmundjet e gjendrës tiroide
- SIDA
- Përdorimi i disa medikamenteve
- Lodhja, stresi (të rralla)
Simptomat e sindromës së këmbëve në lëvizje janë:
- Nevoja e parezistueshme për të lëvizur gjymtyrët.
- Përkeqësimi i simptomave (shqetësimeve) në gjendjen e qetësisë dhe përmirësimi i tyre gjatë lëvizjeve.
- Përkeqësimi i simptomave në mbrëmje dhe gjatë natës.
- Lëvizje periodike të këmbëve gjatë gjumit
- Lëvizje të pavullnetshme të këmbëve në gjendjen zgjuar dhe gjatë gjumit.
- Mungesë e ndjeshmërisë gatë gjumit.
- Padurimi dhe dëshira e parezistueshme për të lëvizur këmbët.
- Simptomat rëndohen me kalimin e moshës.
Simptomat e kësaj sindrome përshkruhen si:
- Kriza me konvulsione ose dridhje muskulare në periudhën e gjumit.
- Ndjesi e shpimit nga gjilpëra
- Ndjesi e shtrëngimit (tensionimit)
- Ngërçe muskulare
- Dhimbje të vërteta, që janë të rralla dhe më të shpeshta tek personat e moshuar.
- Këmbët ndihen të lodhura dhe të rënduara, me simptoma që qetësohen gjatë ecjes, shenjë që e dallon këtë sindromë nga sëmundja e arterieve, e quajtur ndryshe këmbët e duhanpirësve, ku pacienti duhet të ndalojë për të qetësuar dhimbjen e këmbëve.
- Dhimbje të përhapura në shpinë.
- Në pjesën më të madhe të rasteve, sindroma prek kofshët dhe këmbët. Vetëm në rreth 20% të rasteve, prej saj preken edhe krahët.
Simptoma të tjera shoqëruese janë:
- Gjendja depresive
- Lodhje gjatë ditës dhe pagjumësi gjatë natës
- Stres psikoshoqëror, i manifestuar me ankth, probleme familjare ose probleme me partnerin.
- Rënie e cilësisë së jetës.
Diagnoza e sindromës së këmbëve në lëvizje bazohet në informacionin e detajuar rreth sëmundjes, të dhënë nga vetë pacienti dhe familjarët e tij. Kështu, mjeku duhet të informohet me saktësi rreth natyrës së shqetësimeve të pacientit, mënyrës dhe periudhës së shfaqjes së tyre.
Egzaminimet laboratorike (analizat e gjakut) dhe vlerësimi neurologjik i lejojnë mjekut të përjashtojë sëmundje të tjera, si sëmundjet e nervave, të gjendrës tiroide, sëmundjen e Parkinsonit, poliartritin reumatizmal, sëmundjet e bllokimit të arterieve të këmbëve.

Pjesa më e madhe e pacientëve nuk kanë nevojë për asnjë trajtim, pasi ata mund të bashkëjetojnë me problemet e tyre, pa ndikuar në cilësinë e jetës.
Vetëm në 1-3% të pacientëve është i nevojshëm trajtimi me medikamente. Gjithsesi, shërimi i sëmundjes është ende i pamundur.
Që në fillim, në momentin e diagnostikimit të kësaj sindrome, duhet të trajtohen sëmundjet kryesore që paraqet pacienti. Nëse simptomat janë të përkohshme, siç ndodh gjatë shtatzanisë, nuk rekomandohet përdorimi i medikamenteve. Përgjithësisht, simptomat e saj kanë nevojë për ndjekje aftagjatë nga mjeku.
Masat e përgjithshme
Në të gjitha rastet që paraqesin sindromin e këmbëve në lëvizje, duhet:
- Të respektohet një ritëm ditë-nate i rregullt, me një kohëzgjatje të mjëftueshme të gjumit.
- Rekomandohet kryerja e aktiviteteve fizike të tilla, si ngjitja e shkallëve, ushtrimet e shtrirjes dhe masazhet. Shpesh, përpara se të angazhohet në aktivitete të tjera sportive, pacienti duhet të mposhtë dobësinë muskulare në zonën e këmbëve.
- Veprimtaritë mendore, si lojrat në kompjuter, fjalëkryqet, formueset dhe punët me dorë e ndihmojnë pacientin, pasi i tërheqin vëmendjen dhe i lehtësojnë simptomat.
- Vendosja në këmbë e kompresave të ngrohta ose të ftohta, ose lyerja e tyre me pomada freskuese rezultojnë tepër të dobishme.
- Rekomandohet evitimi i produkteve, si nikotina, alkooli, kafeina dhe çokollata.
Medikamentet
Shumë shpesh nevojitet trajtimi i kombinuar, me këto medikamente:
- Medikamentet që rritin përqëndrimin e dopaminës në nivelin e trurit (L-Dopa), që përdoren edhe në trajtimin e sëmundjes Parkinson.
- Antiepileptikët (Gabapentina), që përdoret gjithashtu në trajtimin e epilepsisë.
- Medikamentet qetësuese (opioidet), që përdoren në rastet e dhimbjeve të forta.
- Medikamentet që nxisin gjumin (benzodiazepinat), që ndihmojnë pacientin të flejë. Këto janë tepër të nevojshme në fillim të sëmundjes.