logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Alergjia ndaj lateksit: alergji ndaj të gjitha produkteve që përmbajnë lateks.
Alergjia ndaj lateksit: alergji ndaj të gjitha produkteve që përmbajnë lateks.

Shumë sende të përdorimit të përditshëm përmbajnë lateks.

Alergjia nga lateksi (alergjia ndaj lateksit natyral) është një alergji e menjëhershme, që do të thotë se reaksioni alergjik ndodh menjëherë pas ekspozimit ndaj tij. Alergjia nga lateksi është një problem që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi, veçanërisht në fushën mjekësore. Për të mbrojtur pacientët, stafin mjekësor dhe atë infermieror, është e nevojshme pajisja e tyre me doreza mbrojtëse, zakonisht të përbëra nga lateksi, të cilat mund të prodhojnë reaksione alergjike fatale (dekompensimi i qarkullimit të gjakut) tek njerëzit me alergji.

Përveç dorezave, edhe shumë sende të përdorimit të përditshëm përmbajnë lateks. Në Zvicër, gati një në 1000 njerëz janë alergjikë ndaj lateksit dhe shumë prej tyre vuajnë nga alergjitë e kryqëzuara. Kjo do të thotë që ata reagojnë edhe ndaj substancave të ngjashme me lateksin (bimë, ushqime).
Alergjia ndaj lateksit: shumë  enë kuzhine përmbajnë lateks.
Alergjia ndaj lateksit: shumë enë kuzhine përmbajnë lateks.

Lateksi është një kauçuk natyral (gomë natyrale), që përdoret kryesisht për prodhimin e dorezave mbrojtëse, pajisjeve mjekësore, por edhe objekteve të përditshme.

Nëse keni alergji nga lateksi, trupi reagon ndaj proteinave të caktuara. Dorezat me pluhurin e lateksitçlirojnë një numër të madh grimcash që shkaktojnë alergji: pluhuri përmban alergenë që përhapen në ajrin e dhomës, të cilët thithen në rrugët e ajrit kur marrim frymë, duke shkaktuar sensibilizim të këtyre rrugëve. Edhe thjesht kalimi i një personi alergjik në një spital ose në zyrën e mjekut mund të shkaktojë simptoma të rënda. Për këtë arsye, ekipet mjekësore sot përdorin doreza pa pluhur ose me shumë pak lateks.

Prania e lateksit

Mijëra objekte përmbajnë lateks, shpesh në një mënyrë të fshehtë. Lista e mëposhtme përmban vetëm sendet e përdorimit të përditshëm:

Në fushën e mjekësisë dhe higjienës:

Dorezat prej gome, fashot prej gome, këpucët prej gome, shiringat, shishet e serumit, pajisjet matëse të tensionit, substancat mbushëse të kanaleve të rrënjëve nga dentisti, maskat e ​​frymëmarrjes, kateterët, garzat elastike, fashot, prezervativët, balonët AMBU.

Në shtëpi

Dorezat, çizmet, tapetet, tapetet e gjimnastikës (në palestra), tapetet e vaskave, kapelet e notit, sandalet plastike, kostumet e zhytjes, syzet e notit, dyshekët prej gome.

Në punë, në zyrë, në makinë, në sporte

Llastiku, dorezat prej gome, kafshët prej gome, goma, pullat e ngjitjes, ngjitësi, mbrojtësja e diellit në makinë, gomat e biçikletave dhe makinave, topat, balonat, ​​çamçakëzi, biberoni.

Alergjitë e kryqëzuara

10% e personave alergjikë janë me alergji të kryqëzuara.

Alergjitë e kryqëzuara më të shpeshta janë ato nga:

  • Fikusi (pema e fikusit: ficus benjaminii, ficus elastica)
  • Gutta-percha (substancë plastike prej lateksi nga pemët e Malajzisë, shpesh e përdorur në stomatologji dhe ortodonci, veçanërisht si material mbushës për rrënjët e dhëmbëve)
  • Frutat ekzotike: banane, avokado, ananas, kivi, patate, speca, gështenja, etj.

Alergjia ndaj lateksit: kruajtje të forta, skuqje dhe simptoma të përgjithshme.
Alergjia ndaj lateksit: kruajtje të forta, skuqje dhe simptoma të përgjithshme.

Simptomat e alergjisë nga lateksi janë:

  • Kruajtje, skuqje dhe formim i papulave në lëkurë
  • Urtikarie
  • Enjtje e mukozave, që nxit prodhimin e sekrecioneve të ujshme, rrjedhje të hundëve, hundë të bllokuara, kriza të teshtitjeve
  • Inflamacion i indit lidhor
  • Kruajtje dhe ënjtje e mukozës së faringut dhe laringut
  • Kriza të astmës, probleme të rënda të frymëshkëmbimit
  • Çrregullime të tretjes (gastro-intestinale)
  • Çrregullime të zemrës (duke përfshirë aritminë)
  • Lodhje trupore për disa ditë
  • Në rastet më të rënda: rënie të presionit të gjakut, që çon deri në dekompensim të qarkullimit të gjakut (gjendja e shokut anafilaktik)

Njerëzit në rrezik më të madh të ekspozimit ndaj lateksit janë:

  • Specialistët dhe asistentët mjekësore dhe dentarë, kujdestarët dhe infermierët
  • Pacientët me spina bifida, me anomali në sistemin uro-gjenital dhe ata që u janë nënshtruar operacioneve të shumta
  • Punëtorët e industrisë së përpunimit të gomës, në sektorin e pastrimit, parukierët
  • Personat e predispozuar gjenetikisht dhe me prirje për alergji (personat me atopi).
Alergjia e lateksit: testi i lëkurës.
Alergjia e lateksit: testi i lëkurës.

Për të diagnostikuar një alergji nga lateksi mjeku bazohet në:

  • Anamnezën e pacientit (historinë mjekësore), me njohjen e simptomave të tij, si dhe informacionin e hollësishëm në lidhje me kohën e shfaqjes dhe vendndodhjen e simptomave (ndoshta nga një ditar i mbajtur)
  • Zbulimi i antitrupave në gjak
  • Testi i lëkurës/i provokimit: alergeni injektohet nën lëkurën e pacientit. Ky test duhet të kryhet nën mbikëqyrjen mjekësore, pasi mund të shkaktojë një reagim të fortë ose një shok anafilaktik.
Alergjia nga lateksi: shmangia e alergenit shkaktar.
Alergjia nga lateksi: shmangia e alergenit shkaktar.

Tabletat e antihistaminikëve dhe solucionet me përmbajtje të glukokortikoideve me veprim të shpejtë, si dhe sprai me përmbajtje adrenaline, ndihmojnë në uljen e simptomave akute. Për të parandaluar shkakun e alergjisë, mund të kryhet hyposensibilizimi. Kjo metodë konsiston në neutralizimin e alergenëve në trup me antitrupa, kështu që reaksionet alergjike nuk ndodhin më. Ky proçes ende nuk është vlerësuar mjaftueshëm dhe prandaj nuk mund të rekomandohet në përgjithësi, madje edhe në raste të rënda.

Kutia e emergjencës përmban:

  • Shiringën e adrenalinës (stilolaps për injeksion)
  • Medikament antihistaminik me veprim të shpejtë në formën e tabletave.
  • Medikamente kortizonike në formë tabletash.         
  • Për fëmijët nën 30 kg: shiringë adrenaline të përshtatur për fëmijët në vend të tabletave, pikave ose tabletave të tretshme në ujë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.