Anemia megaloblastike (Anemia nga mungesa e acidit folik)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Termi "anemi" përfaqëson një pakësim të pigmentit të kuq të pranishëm në gjak. Ky pigment quhet hemoglobinë dhe gjendet në rruazat e kuqe të gjakut, eritrocitet.
Termi "anemi megaloblastike" përfaqëson një anemi me origjinë ushqimore shkaktohet nga marrja e pamjaftueshme me ushqim e disa elementeve, të tilla si acidi folik, hekuri ose vitamina B12.
Më poshtë do të trajtojmë mungesën në acid folik dhe pasojat e saj. Anemia nga mungesa e hekurit në organizëm do të trajtohet në një rubrikë të veçantë.
Vitaminat B12, B6 dhe acidi folik luajnë rol thelbësor për formimin e hemoglobinës dhe prodhimin e rruazave të kuqe. Organizmi i siguron ato nëpërmjet ushqimit ose nëpërmjet marrjes së suplementeve ushqimore (komplekseve vitaminike). Mungesa e acidit folik tek gruaja shtatzanë mund të shkaktojë zhvillimin e një keqformimi tek fëmja i saj.
Shkaqet e anemisë nga mungesa e acidit folik (megaloblastike) janë të shumta. Si të tilla mund të përmendim:
- Ushqyerja jo e ekuilibruar, e varfër në fruta, perime dhe drithëra.
- Përdorimi i disa medikamenteve, si pilulat kontraceptive dhe disa antibiotikë.
- Konsumi i vazhdueshëm i alkoolit dhe përdorimi i drogave.
- Personat e moshuar janë më të rrezikuar për anemi, për shkak të ushqyerjes së tyre jo të ekuilibruar.
- Gjatë shtatzanisë dhe ushqyerjes së fëmijës me gji, nevojat e nënës për acid folik janë më të mëdha.
- Periudha e rritjes (adoleshenca)
- Mbajtja në organizëm e sasive të pakta të acidit folik që merret me ushqim, gjatë sëmundjeve kronike të zorrës së hollë ku ai thithet me pakicë në zorrë (si psh. sëmundja celiake).

Pacienti me anemi nga mungesa e acidit folik (megaloblastike) paraqet këto simptoma:
- Lodhje
- Marrje mendsh
- Zbehtësi, kryesisht në nivelin e buzëve, qepallave dhe mishrave të dhëmbëve (gingivave).
- Vështirësi në frymëmarrje
- Rrahje të shpejta dhe të forta të zemrës
- Çrregullime të sistemit të tretjes, me fryrje të barkut dhe diarre.
- Tharje të mukozave, çarje në cepat e buzëve (në vendin ku bashkohet buza e sipërme me atë të poshtme).
- Çrregullime të shijes
- Tendencë për gjakrrjedhje
- Çrregullimet e ndjeshmërisë
- Nënpesha trupore
- Gjendje depresioni

Diagnoza e anemisë nga mungesa e acidit folik (megaloblastike) bazohet në:
- Simptomat që paraqet pacienti.
- Informimin e mjekut në mënyrë të detajuar lidhur me fillimin dhe intensitetin e simptomave.
- Konfirmimin e mungesës së acidit folik nëpërmjet analizës së gjakut.

Trajtimi i anemisë nga mungesa e acidit folik (megaloblastike) varet nga shkaku i saj, i cili duhet të përcaktohet dhe trajtohet. Përgjithësisht, rekomandohet zbatimi i disa masave të përgjithshme lidhur me ushqyerjen, të kombinuara me përdorimin e medikamenteve.
Masat e përgjithshme
Ndryshimi i menjëhershëm i mënyrës së ushqyerjes, ku rekomandohet marrja ditore nëpërmjet ushqimeve e të paktën 0,4 mg acid folik.
Ushqimet që përmbajnë acid folik janë:
- Portokallet
- Spinaqi
- Lakra
- Kopra
- Rrepat
- Fasulet
- Kërpudhat
- Brokoli
- Mishi
- Majaja
- Asparagusi
- Arrat
- Qumështi i lopës
- Qumështi i gjirit
- Bollguri
- Farat e sojës
Acidi folik është një element i ndjeshëm ndaj dritës, oksigjenit dhe nxehtësisë. Meqenëse është i tretshëm në ujë, ai mund t’i humbasë shumë shpejt vetitë e tij.
Medikamentet
Acidi folik mund të merret edhe në formën e medikamenteve, që janë preparate me bazë acidi folik dhe vitaminash (kryesisht të kombinuara me vitaminën B12 dhe vitaminën B6). Studimet e kohëve të fundit kanë treguar se marrja e këtyre preparateve 4 javë përpara shtatzanisë dhe të paktën gjatë 8 javëve të para të shtatzanisë, parandalojnë shfaqjen e keqformimeve tek fëmija. Doza ditore e rekomanduar në këto raste është 0,8 mg në ditë.
Studimet kanë provuar gjithashtu, që acidi folik thithet më mirë kur merret së bashku me vitaminat B.
Mungesa e acidit folik gjatë shtatzanisë e rrezikon fëmijën në një shkallë të lartë për të shfaqur keqformime të rënda tek fëmija (keqformim të tubit neural ose spina bifida).
Gjithashtu, kjo mungesë përfaqëson edhe një nga faktorët e rrezikut për zhvillimin e arteriosklerozës.