logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Një alergji ndaj polenit dhe ndaj të ftohtit.
Një alergji ndaj polenit dhe ndaj të ftohtit.

Alergjia nga polenet është një reaksion alergjik i trupit nga polenet, të cilat veprojnë si alergene (substanca të huaja) dhe shkaktojnë një reaksion imunologjik. Sistemi imunitar reagon ndaj proteinave të polenit që janë në thelb të padëmshme. Pas kontaktit me polenet, për shembull nëpërmjet frymëmarrjes, ose në kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën dhe mukozat, trupi çliron histaminën. Kjo shkakton inflamacion të konjuktivës (pjesës së bardhë të syrit) dhe mukozës së hundës. Pasojat: rrjedhje hundësh (rinit alergjik) dhe probleme të syve (kruajtje, skuqje, djegie). Në mungesë të trajtimit, shumë njerëz zhvillojnë astmën alergjike me kalimin e kohës.

Gjithnjë e më shumë njerëz me alergji nga polenet kanë gjasa të vuajnë nga "alergjitë e kryqëzuara". Kjo do të thotë se ata janë gjithashtu të predispozuar për një alergji ushqimore (të njohur në botën mjekësore si "alergji ushqimore shoqëruese të alergjisë nga polenet"). Intoleranca e papritur për ushqime të caktuara është për shkak të ngjashmërisë midis alergenit të polenit dhe ushqimeve të caktuara (alergji e kryqëzuar). Një shembull: shumë njerëz që janë alergjikë ndaj poleneve janë në të njëjtën kohë alergjikë edhe ndaj arrave apo mollëve. Në rastin më të keq, edhe një sasi e vogël e ushqimit në fjalë shkakton një reaksion të rëndë alergjik (gjendja e shokut anafilaktik). 

Alergjia nga polenet është një nga sëmundjet alergjike më të shpeshta në Evropë. Simptomat rrallë shfaqen deri në moshën 3 vjeçare, shumica shfaqen vetëm në moshën shkollore. Trashëgimia luan një rol të madh në praninë e alergjive. Kështu: nëse një prind ka një alergji të caktuar, fëmija ka një rrezik 30% të zhvillimit të kësaj alergjie, dhe nëse të dy prindërit janë alergjikë rreziku arrin në 60%. 


Ekziston një predispozitë gjenetike për alergjinë ndaj poleneve.

Shkaqet kryesore të alergjisë ndaj poleneve janë tre grupe polenesh:

  • Pemët që lëshojnë polene herët: ndërmjet muajve shkurt dhe maj
  • Kajsia dhe drithërat: mes majit dhe korrikut, dhe nga mesi i gushtit deri në mes të shtatorit
  • Disa bimë barishtore: në fillim të vjeshtës
  • Për shkak të ngrohjes globale, subjektet alergjike shfaqin gjithnjë e më shumë shqetësime, gjithnjë e më herët, ndonjëherë që në fillim të dhjetorit.

Shkaqet e tjera të rinitit alergjik:

  • Akarienet në pluhurin e shtëpisë
  • Kërpudhat e mykut (sporet)
  • Qimet e kafshëve
  • Këto alergeneve janë padyshim të pranishëm gjatë gjithë vitit.

Alergji me shpeshtësi në rritje:

  • alergjia ndaj poleneve të pemëve, si molla, kajsia, dardha, arra, kerri, lajthia, qershia, kivi, bajamet, specat djegëse, pjeshka, selino
  • alergji ndaj poleneve të: kikirikëve, drithërave, bishtajoreve, patates, pjeprit, sojës, domates
  • Alergji ndaj erëzave: kopra, majdanozi, kamomili, piperi, selino
  • Kjo listë nuk është e plotë, pasi ka shumë shoqërime të tjera. Alergene të tjera, të tilla si ndotësit e ajrit dhe tymi i duhanit, po shkaktojnë më shumë reaksione alergjike në rrugët e frymëmarrjes dhe sytë.

 

Teshtima, rrjedhje nga hundët, kruarje, konjuktivit.
Teshtima, rrjedhje nga hundët, kruarje, konjuktivit.

Alergjia nga polenet karakterizohet nga:

Simptomat nazale (të hundëve) tipike

    • Rrjedhje hundësh, me sekrecion të pastër dhe të hollë
    • Bllokim i hundëve nga mukoza e fryrë
    • Teshtitje
    • Kruajtje të hundëve

Simptoma të lidhura me sytë

Çrregullime të tjera, që manifestohen ndryshe dhe më shumë ose më shpesh nga një pacient në tjetrin:

Një alergji nga polenet e patrajtuar për një kohë të gjatë mund të kthehet në astmë alergjike.

Simptomat tipike të alergjisë ushqimore shoqëruese me alergjinë nga polenet (alergji e kryqëzuar) mund të manifestohen në lëkurë, në aparatin e frymëmarrjes dhe sistemin e tretjes.

Shoku anafilaktik

Në raste shumë serioze, mund të ketë një rënie të presionit të gjakut (shok anafilaktik) e cila përbën një rast urgjence absolute. Kjo është arsyeja pse personat alergjikë gjithmonë duhet të mbajnë me vete një pasaportë për alergjinë dhe një paketë emergjence.

Testet e alergjisë në lëkurë.
Testet e alergjisë në lëkurë.

Diagnoza e alergjisë nga polenet vendoset duke u bazuar tek:

  • Historia personale e pacientit, veçanërisht simptomat e referuara nga pacienti
  • Testet alergjike të lëkurës
  • Zbulimi i antitrupave në gjak
  • Testi i provokimit: sasi të vogla të alergenit të dyshuar aplikohen (thithen) në hundë ose mushkëri ose në konjuktivë (pjesën e bardhë) të syrit, të gjitha nën mbikëqyrjen e mjekut.

Alergeni përgjegjës shpesh është e vështirë të identifikohet. Shpesh mund të ndihmojë mbajtja e një ditari për alergjinë, ku regjistrohen orët dhe kushtet nën të cilat shfaqet alergjia dhe kohëzgjatja e tyre.

Në rastet kur dyshohet për alergji ose mbindjeshmëri ndaj ushqimeve, një ditar ushqimor mund të identifikojë gjithashtu ushqimin që shkakton alergji. E rëndësishme: për produktet ushqimore që shiten të përgatitura duhet gjithashtu të shqyrtohet me kujdes lista e përbërësve të tyre.

Hyposensibilizimi duke injektuar alergene.
Hyposensibilizimi duke injektuar alergene.

Trajtimi i simptomave të alergjisë nga polenet konsiston në përdorimin e:

  • Medikamenteve Antihistaminike (preparate antialergjike dhe anti-inflamatore), që pakësojnë kruajtjen dhe teshtitjen. Këto mund të përdoren me afat të gjatë, por disa barna antialergjike mund të shkaktojnë lodhje të madhe.
  • Pikat dhe sprai lirues i hundës: mos i përdorni për kohë të gjatë, sepse thajnë mukozën e hundës.
  • Në rast të dhimbjeve të forta, mund të përdoren medikamente kortizonikë.
Desensibilizimi

Kjo proçedurë e trajtimit synon që dalngadalë trupi të përshtatet me substancën përgjegjëse për alergjinë. Për këtë qëllim, injektohen sasi të vogla të alergenit nën lëkurë, duke rritur gradualisht dozat. Trajtimi zgjat 2 deri në 3 vjet.

Imunoterapia sublinguale, e quajtur edhe vaksinim nga goja.

Imunoterapia sublinguale përfaqëson marrjen disa herë në javë nën gjuhë të disa pikave të një solucioni me alergenë. Ekspertët po e konsiderojnë gjithnjë e më shumë këtë si një alternativë më të mirë kundrejt "injektimit të vaksinave", veçanërisht për njerëzit që kanë frikë nga shpimet dhe nuk mund ose nuk duan të shkojnë rregullisht te mjeku. Imunoterapia mund të bëhet në shtëpi pas një periudhe të caktuar dhe nën kontrolle të rregullta mjekësore.


Njerëzit alergjikë ndaj poleneve mund të marrin masa të caktuara për të lehtësuar dhimbjen e tyre.

Në disa raste, e vetmja gjë që duhet të bëni është largimi i polenit sa më shpejt që të jetë e mundur. Parashikimet e polenit raportohen në gazeta ditore, në radio ose nëpërmjet shërbimeve të ndryshme të polenit në internet.

Këshilla në rast të alarmit për polene:

  • Poleni është veçanërisht i pranishëm në mëngjes, prandaj aktivitetet në natyrë rekomandohen në mbrëmje ose edhe në ditët me shi.
  • Nëse është e mundur mbajini dyert dhe dritaret e mbyllura gjatë sezonit të polenit, veçanërisht kur moti është me diell ose me erë.
  • Vendosni një rrjetë anti-poleni në dritare.
  • Siguroni një filtër poleni për pajisjen e ajrimit.
  • Mbroni sytë me syza të mëdha dhe të ngjitura mirë.
  • Bëni dush në mbrëmje dhe lani flokët çdo ditë për të larguar polenet.
  • Ndryshoni çdo ditë veshjen dhe mos mbani në dhomë rroba të veshura.
  • Garzat e ftohta ndihmojnë në lehtësimin e djegies së syve.
  • Ndaloni pirjen e duhanit: acarimi i vazhdueshëm i rrugëve të frymëmarrjes ndihmon alergenët që të sulmojnë edhe më shumë mukozën.
  • Aplikimi i solucionit fiziologjik (ujë me kripë) për shpëlarje të polenit nga hunda.
  • Deti dhe malet e larta janë pothuajse pa polen, prandaj të shihet mundësia e pushimit atje sa më shumë që të jetë e mundur.

Personi me alergji nuk duhet të ketë me vete vetëm pasaportën e alergjisë që përmend të gjitha alergenet, por edhe një paketë emergjence. Ajo mund të merret në farmaci, me udhëzimet e duhura dhe me recetën e mjekut. E rëndësishme: partnerët, bashkëpunëtorët, shokët e klasës, kujdestarët dhe kolegët duhet të jenë të informuar për alergjinë tuaj dhe të dinë se çfarë të bëjnë në rast urgjence; kjo do të thotë se ata gjithashtu duhet të jenë në gjendje të përdorin paketën e emergjencës.

Kjo paketë përfshin:

  • Shiringën me injeksionin e adrenalinës
  • Medikamentin antihistaminik që vepron shpejt, mundësisht me pika
  • Medikamentin kortizonik.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.