Nevralgjia e fytyrës (Nevralgjia trigeminale, Trigeminal neuralgia)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Nevralgjia e fytyrës (trigeminale), e njohur ndryshe edhe si tiku nervor i dhimbshëm, bën pjesë tek dhimbjet më të forta që njihen. Bëhet fjalë për kriza dhimbjesh të shkurtra, spastike, të lokalizuara në njërën gjysmë të fytyrës, që shfaqen në mënyrë periodike (në intervale të rregullta kohore). Këto kriza mund të shndërrohen në dhimbje kronike.
Kjo sëmundje prek 4-5 në 100.000 persona, më e shpeshtë tek femrat sesa tek meshkujt. Ajo zhvillohet tek 1% e personave që vuajnë nga skleroza e shumëfishtë. Mundësia për t’u prekur nga nevralgjia e fytyrës rritet me rritjen e moshës.

Në 60-90% të rasteve me nevralgji të fytyrës (trigeminale), dhimbjet e fytyrës janë rezultat i një dëmtimi, irritimi ose shtypjeje (nga një enë gjaku ose një tumor) i rrënjës së nervit të pestë të kafkës, të quajtur nervi trigeminal.
Njihen dy forma të nevralgjisë trigeminale:
- Nevralgjia trigeminale esenciale
- Nevralgjia trigeminale simptomatike
Nuk njihen shkaqet e vërteta të nevralgjisë trigeminale esenciale. Gjithsesi, është i sigurtë fakti që kjo nevralgji është kryesisht pasojë e një shtypjeje të fijeve nervore të nervit trigeminal nga enët e gjakut, në vendin e hyrjes së tyre në trungun e trurit. Sëmundja prek kryesisht personat me moshë mbi 50 vjeç dhe ata që vuajnë nga hipertensioni arterial.
Shkaqet e nevralgjisë trigeminale simptomatike janë:
- Skleroza e shumëfishtë
- Nevritet e tjera (inflamacionet e nervave të tjera)
- Prania e një tumori në tru
- Infarkti cerebral (goditja në tru)
- Guta (niveli i lartë i acidit urik në gjak)
- Dëmtimet e vertebrave të qafës
- Depresioni, stresi.
- Trashëgimia (shumë e rrallë)
Faktorët e rrezikut që mund të shpërthejnë një nevralgji trigeminale janë:
- Përtypja, e folura, ngrënia
- Larja e dhëmbëve
- Rruajtja e mjekrës
- Duhanpirja
- Konsumi i alkoolit
- Konsumi i kafesë
- Stresi
- Mbidozimet e medikamenteve
- Prekja
- Korrentet e ajrit, kontakti me të ftohtin
Simptomat që ngjajnë me një nevralgji trigeminale janë:
- Dhimbjet jo karakteristike (atipike) në fytyrë: pacienti nuk paraqet kriza të menjëhershme (akute), por më tepër dhimbje të vazhdueshme (kronike). Këto dhimbje mund të provokohen nga ndërhyrje kirurgjikale në nivelin e veshëve, të hundës dhe të fytit..
- Sëmundjet e dhëmbëve, nofullave dhe kyçeve të tyre.
- Sëmundjet e veshëve, hundës dhe fytit
- Sëmundjet e syve (glaukoma)
- Dhimbjet e forta të kokës

Në disa raste të nevralgjisë së fytyrës (trigeminale), mund të shfaqen simptoma paralajmëruese, si dhimbje në zonën e dhëmbëve ose sinuseve (zgavrave kockore të fytyrës). Veçoritë klinike të kësaj sëmundjeje janë si më poshtë:
- Dhimbjet janë spastike (me tkurrje të pavullnetshme të muskulaturës), zgjasin vetëm disa sekonda, prekin njërën gjysmë të fytyrës, kryesisht në nivelin e faqes, të buzës së sipërme, mjekrës dhe nofullës së poshtme.
- Krizat mund të shfaqen deri në 100 herë në ditë, për javë dhe muaj me radhë.
- Shfaqen kontraktura muskulare (tkurrje) në nivelin e fytyrës.
- Ndjeshmëria në prekje është e tepruar.
- Kohëzgjatja e krizës mund të zgjatet me kalimin e kohës.
Për shkak të natyrës spastike (tkurrjes së pavullnetshme të muskujve të fytyrës), sëmundja është emërtuar tiku nervor i dhimbshëm. Ndërmjet krizave, ndonjëherë mund të shfaqen periudha të qeta, pa dhimbje, që mund të zgjasin me muaj, madje edhe me vite. Meqenëse hapja e gojës dhe përtypja mund të shpërthejnë krizat, pacienti eviton ngrënien dhe pirjen, që çon në rënien e madhe në peshë të tij me kalimin e kohës. Gjithashtu, problematik është edhe fakti se këta pacientë shpesh shpërfillin përdorimin e medikamenteve të përshkruara nga mjeku specialist.
Përcaktimi i diagnozës së nevralgjisë së fytyrës (trigeminale) bazohet në:
- Infromimin e detajuar të mjekut mbi historinë e sëmundjes dhe simptomave të pacientit, mbi mjekimin e dhëmbëve pse operacione kirurgjikale të kryera më parë.
- Kryerjen e testeve neurologjike, për të përjashtuar sëmundje të tjera mjekësore.
- Kryerjen e egzaminimeve të specializuara (ORL)
- Kryerjen e egzaminimit të dhëmbëve
- Rezonancën magnetike të kokës
- Skanerin e kokës
- Nëse është e nevojshme: kryerja e angiografisë, që mundëson eksplorimin e enëve të gjakut me ndihmën e një lënde kontrasti.
- Punksioni lumbar (marrja për analizë e lëngut truno-shpinor)
- Analizat e gjakut

Vetëmjekimi i nevralgjisë së fytyrës (trigeminale) me medikamente qetësuese nuk këshillohet, pasi ato shkaktojnë një varësi të shpejtë, nuk janë efikase dhe në rast se merren për një kohë të gjatë mund të shkaktojnë dëmtime në veshka dhe në mëlçi. Tek gjysma e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje, konstatohen periudha të qeta, pa shqetësime (simptoma), që mund të zgjasin më tepër se 6 muaj, edhe në mungesë të medikamenteve. Madje, në rreth 20% të rasteve këto periudha mund të zgjasin më tepër se 1 vit.
Mënyra të tjera të trajtimit:
- Krioterapia
- Akupunktura
- Injeksionet me alkool
Medikamentet
Nevralgjia trigeminale esenciale përgjigjet mirë ndaj trajtimit me medikamente, gjë që mundëson edhe dallimin e saj nga forma simptomatike e nevralgjisë.
Trajtimi medikamentoz bazohet në përdorimin e medikamenteve antiepileptike, vetëm ose të kombinuar me medikamente të tjera, si më poshtë:
Është e rëndësishme të vlerësohen mirë përparësitë dhe të metat e këtyre medikamenteve, pasi ato mund të japin efekte të padëshiruara tek pacienti, të tilla si: gjendje konfuzioni, lodhje trupore, shfaqjen e puçrrave në lëkurë, marrje mendsh, kapsllëk, çrregullime të ekuilibrit, dridhje trupore, rënie të kujtesës, etj.
Operacionet
Trajtimi medikamentoz kryhet në të gjitha rastet, dhe rezulton efikas në pjesën më të madhe të tyre. Pjesa tjetër e rasteve, janë të detyruara t’i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale.
Tre proçedurat kirurgjikale që aplikohen në këto raste janë:
- Proçedurat perkutane: termokoagulimi, rizoliza me glicerol dhe shtypja me balon.
- Çlirimi nga shtypja prej enëve të gjakut
- Proçedurat radio-kirurgjikale, që konsistojnë në rrezatimin e nervit trigeminal në nivelin e hyrjes së tij në trungun e trurit.
Proçedurat perkutane:
Këto metoda të trajtimit aplikohen shpesh, pasi nuk kanë nevojë për hapje të kafkës. Gjithashtu, këto ndërhyrje mund të realizohen nën efektin e anestezisë afatshkurtër, në shërbimin ambulator. Në to përfshihen:
Termokoagullimi:
Fijet nervore të nervit trigeminal shkatërrohen nga nxehtësia me ndihmën e një kanule. Në mënyrë të kontrolluar, nëpërmjet një elektrode, dërgohet një stimul elektrik nën lëkurë, që mundëson lokalizimin e nervit trigeminal. Nën efektin e anestezisë së përgjithshme afatshkurtër, veprohet me radiofrekuencë (me temperaturë të kontrolluar 60-70 gradë celcius për 60 sekonda) mbi zonat e dëmtuara të nervit. Studimet kanë treguar se kjo metodë ka një nivel të lartë efikasiteti, mbi 80%.
Rizoliza me glicerol: konsiston në dëmtimin kimik të nervit trigeminal nëpërmjet injektimit të glicerolit.
Çlirimi nga shtypja nëpërmjet balonit: gjatë kësaj proçedure, nervi trigeminal i nënshtrohet një dëmtimi mekanik, nëpërmjet të një kateteri me balon të fryrë.
Në raport me metodat e tjera të trajtimit, (rizolizën me glicerol dhe proçedurën radio-kirurgjikale), termokoagulimi duket të ketë një nivel më të lartë të efikasitetit (mbi 80% mungesë të dhimbjes). Megjithatë, në këtë proçedurë shfaqen më shpesh ndërlikime, të raportuara nga studime të kryera gjatë viteve të fundit.
Çlirimi i nervit nga shtypja prej enëve të gjakut
Kjo teknikë operatore ka për qëllim të çlirojë nervin trigeminal nga shtypja e enëve të gjakut. Ajo duhet të kryhet nëpërmjet hapjes së kafkës, nën anestezi të përgjithshme. Shkalla e suksesit të kësaj metode është e lartë dhe ajo e ndërlikimeve nën 1% (hemorragji, humbje e dëgjimit, episode me marrje mendsh pas operacionit). Gjithsesi, kjo metodë nuk rekomandohet të kryhet tek personat e moshuar, për shkak të rreziqeve të mëdha që paraqet.
Proçedura radio-kirurgjikale
Kjo metodë bazohet në rrezatimin e nervit trigeminal në nivelin e hyrjes së tij në trungun e trurit.
Masat Psikologjike
Psikoterapia
rekomandohet në rastet me depresion dhe probleme psiqike gjatë krizave
të dhimbshme. Shpesh, është mjaft e dobishme për pacientin të diskutojë
dhe shkëmbejë përvojën e tij me pacientë të tjerë (grupet e
mbështetjes).