Hipotensioni arterial (Presioni i ulët i gjakut, Tensioni i ulët, Ulja e presionit arterial)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Për hipotension arterial flitet kur vlerat e tensionit rezultojnë nën vlerat normale të tij. Për sa kohë që hipotensioni është asimptomatik (pa shqetësime të dukshme), ai nuk përbën rrezik për shëndetin. Ndryshe nga hipertensioni (tensioni arterial mbi vlerat normale), hipotensioni nuk ka pasoja të dëmshme mbi sistemin kardio-vaskular (zemrën dhe enët e gjakut).
Simptomat që shfaqen në rastin e hipotensionit janë të bezdishme, por nuk e rrezikojnë jetën e pacientit. Gjithsesi, mund të ndodhin edhe situata të rrezikshme, kryesisht në personat që kanë tëndencë për kolaps të qarkullimit nga tensioni i ulët.
Hipotensioni përfaqëson uljen e tensionit arterial nën vlerat 100/60 mmHg tek femrat dhe nën 110/70 mmHg tek meshkujt.
Njihen dy forma të hipotensionit: hipotensioni ortostatik dhe hipotensioni postprandial (pas ngrënies).
Forma më e shpeshtë – hipotensioni ortostatikShkaqet e kësaj forme janë ende të paqarta. Gjithsesi, është konstatuar një tendencë e trashëgueshme për të bërë hipotension. Gjithashtu, në këtë drejtim ndikojnë edhe faktorë të tjerë, ndër të cilët një rol të rëndësishëm luan ushqyerja. Personat më të predispozuar për hipotension janë:
- Femrat e reja dhe të dobëta (të holla)
- Femrat që vuajnë nga çrregullime të lidhura me ushqyerjen
- Të rinjtë në rritje e sipër
- Gratë shtatzëna
- Personat e moshuar, me peshë trupore të vogël.
Shkaqet e hipotensionit postprandial
- Kjo formë e hipotensionit është pasojë e një sëmundjeje tjetër. Përmes shkaqeve të saj, mund të përmendim:
- Sëmundjet e zemrës (insufiçienca kardiake, aritmia)
- Sëmundjet metabolike, si ulja e funksionit të gjendrës tiroide, të gjendrave mbiveshkore dhe të gjendrës së hipofizës.
- Sëmundjet e sistemit nervor, pasi sistemi nervor merr pjesë në rregullimin e tensionit arterial.
- Dehidratimi (humbja e madhe e lëngjeve) gjatë hemoragjive, diarresë dhe kur nuk konsumohen lëngje në sasi të mjaftueshme.
- Regjimi në shtrat për një periudhë të gjatë kohore
- Përdorimi i disa medikamenteve, si diuretikët (që nxisin urinimin), medikamentet që zgjerojnë enët e gjakut të zemrës në rastin e dhimbjes së gjoksit (trinitrina)

Ulja e tensionit arterial mund të shkaktojë këto simptoma:
- Marrje mendsh
- Çrregullime të shikimit (shfaqja e një “perdeje të zezë” përpara syve)
- Dhimbje koke e tipit pulsues
- Zhurmë në vesh
- Turbullime të ndërgjegjes, që mund të arrijnë deri në humbjen e saj
- Përshpejtim i ritmit të zemrës (takikardi)
- Të dridhura
- Djersitje e theksuar
- Lodhje trupore, plogështi
- Çrregullime të përqëndrimit
- Ndjesi e të ftohtit në duar dhe në këmbë
- Pagjumësi
Hipotensioni i shfaqur pas një ndryshimi të menjëhershëm të pozicionit (forma ortostatike)
Kur kalohet menjëherë nga pozicioni ulur ose shtrirë në pozicionin në këmbë, gjaku grumbullohet në pjesën e poshtme të trupit, që shkakton një rënie të tensionit arterial. Kjo është përgjegjëse për uljen e furnizimit me gjak të trurit, që përgjithësisht është e tipit kalimtar.
Për të diagnostikuar një person me hypotension arterial, janë të nevojshme të kryhen:
- Njohja e mjekut me simptomat e pacientit, nëse ai vuan nga sëmundje kardio-vaskulare, të veshkave, nervore ose metabolike; nëse ka përdorur medikamente, për mënyrën e të ushqyerit, ndryshimet në peshë,etj.
- Matja e tensionit arterial, kontrolli i pulsit: në pozicionin ulur dhe shtrirë
- Testi i Shelong: një test i thjeshtë që shërben për të evidentuar hipotensionin ortostatik, gjatë të cilit tensioni dhe pulsi maten në fillim kur pacienti është shtrirë, dhe pastaj maten disa herë kur ai ngrihet në këmbë.

Në radhë të parë, duhet të trajtohen sëmundjet kryesore, që mund të kenë shkaktuar hipotensionin. Një hipotension pa simptoma përgjithësisht nuk ka nevojë për trajtim. Qëllimi i trajtimit është të nxitet qarkullimi, të evitohet grumbullimi i sasive të mëdha të gjakut në këmbë, për pasojë edhe rënia e tensionit arterial.
Masat e përgjithshme
Masat e mëposhtme mund të ndihmojnë të gjithë personat që shfaqin episode të hipotensionit.
- Dushi të aplikohet sipas metodës së Kneip, me alternim të ujit të ftohtë dhe atij të ngrohtë.
- Kryerja e masazhit të gjoksit në drejtim të zemrës
- Aktivitet fizik i rregullt, duke përfshirë çiklizmin, shëtitjet, vrapimin, notin, gjimnastikën
- Evitim i peshave të rënda në rastin e variçeve të dukshme
- Evitim ose pakësim i stresit dhe lodhjes fizike
- Ushqyerje e ekuilibruar, e pasur me kripë
- Konsum i vazhdueshëm i lëngjeve gjatë ditës, 2-3 litra, që mund të jenë: ujë mineral i pasur në natrium, çajra bimore ose me fruta, lëng frutash dhe perimesh.
- Pijet me bazë kafeje dhe çaji jeshil nxisin qarkullimin e gjakut dhe rritin tensionin arterial. Por, meqenëse ato veprojnë për kohë të shkurtër, në njëfarë mënyre ato ndikojnë në dehidratimin e organizmit, duke shkaktuar ulje të tensionit. Edhe Koka-Kola e favorizon qarkullimin, por duhet treguar kujdes me sasinë e konsumuar, pasi ajo përmban shumë sheqer.
Medikamentet
Nëse masat e përgjithshme nuk mjaftojnë, mund të rekomandohet përdorimi i medikamenteve të mëposhtme, gjithmonë në varësi të formës së hipotensionit:
- Mineralo-kortikoidet, të tilla si fludrokortizoni, që pakësojnë nxjerrjen e ujit dhe të kripës nëpërmjet veshkave, duke rritur në këtë mënyrë vëllimin e gjakut dhe tensionin arterial.
- Derivatet e ergotaminës (me bazë thekre), të tilla si dihidroergotamina, që ngushton enët e gjakut dhe vepron kundër problemeve të qarkullimit të shkaktuara nga hipotensioni.
- Simpatomimetikët, si etilefrina (që përdoret me pika), e cila përshpejton ritmin e zemrës, e forcon atë dhe stabilizon qarkullimin e gjakut.
Procedurat emergjente (ndihma e parë)
Masat e urgjencës që duhet të respektohen kur një person paraqet shenjat e kolapsit qarkullues (marrje mendsh, zhurmë në veshë, djersë të ftohta):
- Vendosja e personit në pozicionin shtrirë
- Ngritja e këmbëve në një kënd të paktën 45°
- Vendosja e kompresave të lagura dhe të freskëta mbi ballë ose në qafë.
Nëse pacienti nuk paraqet ndonjë sëmundje tjetër si shkaktare të hipotensionit, ai mund të jetojë gjatë dhe të gëzojë shëndet të plotë, edhe pse me tension të ulët. Ndërlikimet mund të shfaqen në rastin e kolapsit, dhe mund të jenë të tipit të frakturave të trupit, të kokës dhe aksidente të natyrave të ndryshme.

Masat e përgjithshme të trajtimit mundet të aplikohen gjithashtu edhe me qëllim parandalues.
Në rastin e hipotensionit ortostatik, aplikoni masat e mëposhtme:- Ngrihuni ngadalë, kur jeni në pozicionin shtrirë
- Konsumoni pak ushqim në mëngjes, mundësisht të shoqëruar me kafe.
- Në mëngjes, bëni dush me ujë më tepër të ftohtë
- Evitoni qëndrimet e gjata në këmbë
- Evitoni ngritjen e peshave të rënda, duke evituar në këtë mënyrë rënien e gjakut në këmbë
- Praktikoni rregullisht aktivitete sportive, që stabilizojnë tensionin arterial
- Pini shumë lëngje, merrni rregullisht vakte të vogla, me sasi të mjaftueshme kripe në to.
- Evitoni alkoolin dhe nikotinën
- Evitoni qëndrimet në vende të populluara, veçanërisht kur është shumë nxehtë
Kujdes: Individët me tension të ulët janë tepër të ndjeshëm ndaj luhatjeve të temperaturës.