Dermatiti seborreik (Ekzema seborreike)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Dermatiti seborreik është një sëmundje inflamatore kronike e lëkurës, që manifestohet me shfaqjen e pllakave relativisht të yndyrshme, të kuqe, që shfaqen kryesisht në fytyrë dhe kraharor. Shkalla e shfaqjes së tyre është e ndryshme dhe ndonjëherë mund të zhduken krejtësisht.
Kjo sëmundje prek 3-5% të popullatës dhe kryesisht meshkujt nga 20-40 vjeç. Gjithsesi, ajo mund të prekë meshkujt dhe femrat e çdo moshe. Elementët e pranishëm në lëkurë nuk janë ngjitëse.
Megjithë shpeshtësinë e madhe të dermatitit seborreik, shkaqet e tij nuk njihen plotësisht. Megjithatë, është plotësisht e sigurt që në shfaqjen e tij luajnë rol të rëndësishëm disa faktorë, si:
- Konsumi i ushqimeve të yndyrshme dhe alkoolit
- Niveli i lartë i disa hormoneve në gjak
- Prania e mykozave
- Ndikimi i sistemit nervor, ku gjendja e lodhjes, stresit dhe mungesa e gjumit mund t’i theksojnë simptomat e kësaj sëmundjeje, veçanërisht tek meshkujt.
- Klima ekstreme, si ajo e nxehtë dhe e lagësht, ashtu edhe ajo e ftohtë dhe e thatë.
- Prania e obezitetit
- Sëmundja e Parkinsonit
- SIDA
- Përdorimi i solucioneve pastruese të lëkurës, që përmbajnë alkool.
- Higjiena jo e mirë e flokëve (larja e rrallë me shampo)
- Prania e sëmundjeve të tjera të lëkurës, si aknea, psoriaza, etj.
Simptomat e dermatitit seborreik kanë këto karakteristika:
- Tek adoleshentët dhe personat e rritur, dermatiti seborroik fillon me një rrjepje të lehtë të yndyrshme në nivelin e lëkurës së flokëve, të shoqëruar nga një skuqje dhe rrjepje në zonën e të thelluarës ndërmjet hundës dhe buzëve ose pas veshëve. Këto simptoma shtohen me kalimin e kohës. Këto ndryshime në lëkurë mund të shfaqen përnjëherësh dhe më pas të zhduken përkohësisht.
- Më të prekura janë zona e veshëve, mjekrës, vetullave, kraharorit dhe të thelluarat poshtë gjinjve.
- Më të predispozuara për t’u prekur nga kjo sëmundje janë lëkurat e yndyrshme.
- Dermatiti seborreik mund të shoqërohet edhe me një inflamacion të qepallës së syrit ose të veshit të jashtëm, përkatësisht me akne ose pitiriazis verzikolor.
- Tek foshnjat, pllakat e trashura dhe të yndyrshme të lëkurës mund të shfaqen në zonën e kokës, me ngjyrë të bardhë ose të verdhë. Përgjithësiht, këto zona nuk kruhen. Fytyra dhe balli mund të mbulohen nga një shtresë e hollë lëkure e rrjepur, relativisht e përhapur.

Në përgjithësi, dermatologu përcakton diagnozën e kësaj sëmundjeje, duke u bazuar në tipin dhe lokalizimin e këtyre elementeve, si dhe në historinë e shfaqjes së tyre. Në rast se vetëm dyshohet për këtë sëmundje, diagnoza e saj konfirmohet plotësisht nëpërmjet biopsisë së lëkurës në zonën përkatëse.

Masat e përgjithshme
Ndër masat e përgjithshme, mund të theksojmë:
- Produktet e kujdesit të përditshëm të fytyrës nuk duhet të jenë të yndyrshme dhe nuk duhet të përmbajnë alkool.
- Të evitohet konsumi i ushqimeve të yndyrshme, pikante dhe i pijeve alkoolike.
- Përpara ekspozimit ndaj rrezeve të diellit duhet të përdoren produkte mbrojtëse për lëkurën, të përshtatura me tipin e saj dhe me efekt të mirë kundër inflamacionit.
- Meshkujt nuk duhet të lënë mjekër, pasi lëkura e butë (e rruar) është më pak e ndjeshme ndaj faktorëve të jashtëm dhe inflamacionit.
- Të evitohet lodhja, stresi dhe mungesa e gjumit.
- Të respektohet higjiena maksimale për lëkurën, veçanërisht për atë të kokës.
- Të evitohet ekspozimi ndaj temperaturave ekstreme i zonave të pambuluara të lëkurës, si fytyra, qafa, kraharori dhe gjymtyrët.
- Pas modifikimit të mënyrës së jetesës, bazuar në masat e mësipërme, elementet e lëkurës mund të zhduken shpesh, po aq shpejt sa edhe u shfaqën.
Medikamentet
Medikamentet e rekomanduara për trajtimin e elementeve të shfaqura në lëkurë janë:
- Solucionet, kremërat (me përmbajtje kortizoni) ose shampot me efekt kundër inflamacionit.
- Medikamentet që rrëzojnë pllakat, si shampot që përmbajnë zift, dhe solucionet që përmbajnë acid salicilik.
- Medikamentet që luftojnë mykun (antimykotike)
- Përdorimi i vajit esencial të pemës së çajit ose shampo që përmbajnë këtë vaj.
Problemi më i madh që shqetëson pacientët me dermatit seborreik është ai estetik, edhe pse zonat e lëkurës së prekur prej tij shërohen normalisht, pa lënë shenja.