Djersitja gjatë natës (Djersitja nokturne, Hiperhidroza gjatë natës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Djersitja gjatë natës karakterizohet nga:
- Eleminimi i djersës gjatë natës, në sasi të pakta ose të tepërta (që varion nga djersitje e lehtë deri në daljen e djersës në pizhama dhe çarçafë).
- Pasoja të tilla si: çrregullimi i gjumit, pacienti zgjohet i djersitur dhe duhet të ndërrojë pizhamat dhe çarçafët, si dhe lodhje gjatë ditës, të shoqëruar me ulje të aftësisë për t’u përqëndruar.
Bashkimi i tre simptomave të mëposhtme quhen ndryshe simptomat B: djersitja gjatë natës, ethet dhe rënia e pavullnetshme në peshë. Këto shenja klinike mund të jenë manifestim i një kanceri ose i sëmundjeve të tilla, si infeksionet kronike.
Çrregullimet shoqëruese të djersitjes gjatë natës janë: çrregullimi i gjumit, lodhja gjatë ditës, ethet, rënia e pavullnetshme në peshë, kolla dhe simptoma të tjera në varësi të shkakut.
Djersitja gjatë natës mund të ketë shkaqe të ndryshme. Nëse kjo simptomë është e lehtë, në origjinën e saj mund të jenë shkaqe të tilla, si: mënyra jo e shëndetshme e jetesës (me gjumë të çrregullt, me dhomën e gjumit tepër të ngrohtë, me kuverta tepër të trasha dhe të nxehta), konsumi i alkoolit ose konsumi i ushqimeve pikante në mbrëmje.
Gjithsesi, nëse djersitja gjatë natës është e shpeshtë dhe e rëndësishme, ajo mund të jetë simptomë e një sëmundjeje të caktuar, që nga gripi i zakonshëm deri tek sëmundjet malinje. Djersitja quhet «idiopatike» në të gjitha rastet kur nuk gjendet asnjë shkak konkret. Ndër shkaqet më të shpeshta të djersitjes gjatë natës përmendim:
Sëmundjet infeksioze akute dhe kronike
- Gripi
- Mononukleoza
- Infeksionet lokale/abceset
- HIV/ SIDA
- Tuberkulozi
- Malaria
- Endokarditi
- Osteomieliti
Çrregullimet hormonale dhe metabolike
- Hipertireoza
- Feokromocitoma (tumor i gjendrave mbiveshkore që prodhon hormone)
- Menopauza
- Hipoglicemia në diabetin e sheqerit
Kanceret
- Limfomat
- Leuçemitë
- Kanceri i prostatës , kanceri i veshkave, kanceri i tiroides: djersitja gjatë natës është më e rrallë në sëmundjet e tjera kanceroze.
Sëmundjet autoimune
- Artriti reumatoid
- Granulomatoza Wegener (inflamacion i enëve të gjakut)
Sëmundjet psiqike dhe nervore
- Çrregullimet e ankthit
- Alkoolizmi
- Toksikomania
- Sëmundja e Parkinsonit
- Pas një AVC (aksidenti vaskular në tru)
- Stresi/lodhja kronike
Shkaqet e tjera
- Efektet e padëshiruara të medikamenteve (antidepresantët , preparatet hormonale, antipiretikët , antialgjikët , etj.)
- Hiperaktiviteti i gjendrave të djersës
- Shtatzania
- Sindroma e apnesë së gjumit
- Refluksi gastro-ezofageal (djegiet në stomak)
Nëse djersitja gjatë natës është manifestim i një mënyre jetese jo të shëndetshme, mund ta ndihmoni veten:
- Duke përmirësuar kushtet e gjumit: rregulloni temperaturën e dhomës së gjumit (këshillohet temperatura 18-21 gradë Celcius), freskoni mjaftueshëm ajrin e dhomës së gjumit, përdorni mbulesa të përshtatshme sipas stinës së vitit, përdorni pizhama të lehta dhe higjienike.
- Duke ndryshuar mënyrën e ushqyerjes: mos konsumoni ushqime të yndyrshme dhe pikante në mbrëmje, evitoni konsumin e alkoolit dhe kafesë.
- Duke normalizuar peshën trupore, në rast se jeni mbipeshë
- Duke pakësuar stresin, me ndihmën e ushtrimeve relaksuese, aktivitetit fizik/sportit të rregullt
- Duke përdorur produkte natyrale, si sherbela, bimë të tjera me veti kundër djersitjes në fomën e çajit, etj.
- Duke ndërprerë ose ndërruar medikamentet që mund të shkaktojnë djersitje gjatë natës: gjithmonë nën këshillimin e mjekut trajtues.
Nëse, edhe pas aplikimit të masave të mësipërme djersitja gjatë natës vazhdon, duhet të konsultoheni me mjekun.
Konsulta me mjekun këshillohet kur djersitja gjatë natës shfaqet rregullisht, pa shkak të dukshëm, ose në sasi të tepërta. Gjithashtu, kjo vlen edhe për rastet kur djersitja gjatë natës shoqërohet me ethe, rënie të pavullnetshme në peshë ose simptoma të tjera, si dhimbjet.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
- Mjeku internist
- Mjeku neurolog
- Mjeku kardiolog
- Mjeku endokrinolog
- Psikologu/psikoterapisti
- Mjeku onkolog
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni , auskultacioni , testet funksionale , etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me djersitjen gjatë natës: kur është shfaqur fillimisht, me çfarë shpeshtësie dhe intensiteti, nëse ka djersitje edhe gjatë ditës, etj.
- Njohja me simptomat shoqëruese, si ethet, rënia e pavullnetshme në peshë, zmadhimi i nyjeve limfatike, kolla, dhimbjet e kyçeve.
- Tek femrat: cikli menstrual i çrregullt, afshet e nxehta, etj.
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, si sëmundjet infeksioze, diabeti i sheqerit, sëmundjet e gjendrës tiroide, çrregullimet psiqike, sindroma e apnesë së gjumit, etj.
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
- Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
- Informimi mbi kushtet e jetesës, stresin profesional të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, nikotina), etj.
- Informimi mbi konsumin e alkoolit, toksikomaninë
Egzaminimi fizik
Gjatë këtij egzaminimi mjeku mat temperaturën trupore, pulsin, tensionin arterial dhe peshën trupore të pacientit. Gjithashtu, ai kryen auskultimin e zemrës dhe mushkërive. Ai egzaminon gjendjen e përgjithshme të lëkurës së pacientit, nyjet limfatike, si dhe palpon gjendrën tiroide dhe shpretkën.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike
- Analizat e gjakut: formula e gjakut, niveli i sheqerit në gjak, treguesit e inflamacionit dhe të gjendrës tiroide, niveli i hormoneve seksuale në gjak.
- Radiografia (radiografia e mushkërive për të përjashtuar/konfirmuar një tuberkuloz), skaneri (psh.kur mjeku dyshon që në origjinën e djersitjes është një kancer).
- Kultura e gjakut (hemokultura: izolon mikrobin shkaktar kur ka infeksione kronike)
Trajtimi mjekësor i djersitjes gjatë natës varet nga shkaku. Kështu, nëse shkaku i saj është një sëmundje e caktuar (psh.një hipertireozë), djersitja nuk shfaqet më pas trajtimit korrekt të kësaj sëmundjeje.
Nëse djersitja gjatë natës është me natyrë idiopatike (dmth. shkaku i saj mbetet i panjohur edhe pas një egzaminimi mjekësor të hollësishëm), në pakësimin e saj mund të ndihmojnë vetëm masat e përgjithshme, të përshkruara në rubrikën "Si duhet të veproni?".