Kanceri bronkial (Kanceri i mushkërisë)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Në pjesën më të madhe të rasteve, kanceri i mushkërisë zhvillohet në bronke dhe qëndron për një kohë të gjatë asimptomatik (pa simptoma). Ai përfaqëson kancerin më të shpeshtë tek meshkujt. Për shkak të rritjes së numrit të femrave duhanpirëse, ai po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë edhe në këtë kontigjent të popullatës.

Si shkak kryesor i kancerit të mushkërisë konsiderohet thithja nëpërmjet rrugëve të frymëshkëmbimit (të kalimit të ajrit në organizëm) e disa lëndëve, që kanë efekt kancerogjen (shkaktojnë kancer). Ndër to, më i shpeshti (në 85% të rasteve) është benzopireni, që gjendet në tymin e cigares. Këtë sëmundje mund ta shkaktojnë edhe lëndët kancerogjene profesionale, si amianti dhe ato me bazë arseniku. Gjithashtu, rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan edhe predispozicioni gjenetik.

Simptomat e kancerit të mushkërisë janë të ndryshme, në varësi të stadit të zhvillimit të tij. Kështu, në stadin fillestar (të hershëm), pacienti nuk paraqet simptoma të veçanta (specifike). Kjo është edhe arsyeja pse, në pjesën më të madhe të rasteve, ai diagnostikohet në një stad të vonshëm, mjaft të avancuar.
Në stadin fillestar mund të jenë të pranishme disa simptoma jospecifike, të tilla si:
- Kolla
- Vështirësia në frymëmarrje
- Dhimbjet në kraharor
Këto simptoma konsiderohen përgjithësisht si shenja të ftohjes. Gjithsesi, nëse ato vazhdojnë të jenë të pranishme për një periudhë të gjatë kohore (mbi 4 javë), veçanërisht kur gëlbaza del e përzier me gjak, pacienti duhet detyrimisht të konsultohet nga një mjek specialist pneumolog.
Simptomat në stadin e vonshëm janë:
- Mungesë e oreksit
- Lodhje
- Rënie në peshë
- Vështirësi në frymëmarrje
- Prani e gëlbazës së përzier me copa të vogla gjaku të mpiksur. Kjo përbën një urgjencë mjekësore, që ka nevojë për konsultë të menjëhershme me mjekun specialist.
- Pneumonia (infeksioni në mushkëri) rezistente ndaj mjekimit tek personat mbi 40 vjeç, është një arsye e fortë që sugjeron për praninë e një kanceri në mushkëri.

Diagnozën e kancerit të mushkërisë e përcakton mjeku specialist pneumolog, duke u bazuar në:
- Simptomat që paraqet pacienti në momentin e diagnostikimit, historinë e fillimit të tyre, faktorët shpërthyes dhe intensitetin e tyre.
- Radiografinë e mushkërive
- Bronkoskopinë (egzaminimin endoskopik të bronkeve, që mundëson eksplorimin e pjesës së brendshme të tyre dhe marrjen e materialit indor për biopsi).
- Marrja e materialit (kampionit) indor për kryerjen e biopsisë.
- Skaneri i toraksit (kraharorit)

Trajtimi i kancerit të mushkërisë varet nga stadi i zhvillimit të tij në momentin e diagnostikimit. Kështu, nëse ai diagnostikohet në një stad të hershëm, kur vatra është e vogël dhe nyjet limfatike nuk janë prekur ende nga kanceri, mund të hiqet me rrugë kirurgjikale vetëm pjesa e dëmtuar e mushkërisë. Përkundrazi, nëse tumori është i rëndësishëm dhe/ose ka lëshuar metastaza (është përhapur në organet në distancë), ndërhyrja kirurgjikale duhet të shoqërohet me radioterapi (rrezatim të jashtëm) dhe kimioterapi.
Për fat të keq, në shumë raste është tepër vonë për të filluar një trajtim efikas, për shkak të stadit mjaft të avancuar të kancerit në momentin e diagnostikimit. Mbijetesa e pacientit pas këtij momenti varet nga lokalizimi i tumorit, tipi histologjik, stadi i tij në momentin e diagnostikimit dhe gjendja e përgjithshme shëndetsore e pacientit.

Grupet më të rrezikuara për të zhvilluar kancer të mushkërisë janë meshkujt, duhanpirësit (pavarësisht gjinisë), dhe ata që ushtrojnë profesionin në ambiente të ngarkuara me lëndë kancerogjene. Për këto grupe, rekomandohet përkatësisht ndërprerja e menjëhershme e duhanit dhe/ose ndryshimi i vendit të punës, në rastet e kontaktit të vazhdueshëm me lëndë kancerogjene.
Për personat joduhanpirës, është e këshillueshme të evitojnë ambientet e ndotura me tym duhani.
Kujdes: gjendjet e vazhdueshme të ftohjes, me kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje në kraharor, kur vazhdojnë mbi 4 javë, duhet të vlerësohen nga një mjek specialist pneumolog, pasi mund të jenë shenjat e para të një kanceri të mushkërisë.