logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Gërhitja mund të jetë e padëmshme ose tregon shenjë të apnea-s së gjumit
Gërhitja mund të jetë e padëmshme ose tregon shenjë të apnea-s së gjumit
Gërrhitja është një zhurmë që shkaktohet nga dridhjet e indeve të rrugëve të sipërme të frymëshkëmbimit tek një individ, kur ai është në gjumë.

Gërrhitjet janë rezultat i ajrit që bën të vibrojnë disa pjesë të faringut , të uvulës dhe të qiellzës gjatë gjumit.

Gërrhitja është e dy formave:

  • Gërrhitje pa çrregullime të frymëshkëmbimit: ky tip është i lehtë dhe nuk e çrregullon gjumin. Pacienti nuk vuan as nga pagjumësia , as nga lodhja e madhe që mund të jetë e lidhur me gërrhitjet. Më e rëndësishmja është që pacienti nuk paraqet apne të gjumit ose faza të shkurtuara të frymëshkëmbimit.
  • Gërrhitja që shoqërohet me çrregullime të frymëshkëmbimit: kjo formë e gërrhitjes shoqërohet me apne gjatë gjumit, dhe përfaqëson një sëmundje serioze, të quajtur sindroma e apnesë së gjumit. Ndërprerjet e shpeshta të frymëshkëmbimit provokojnë mungesë të oksigjenit, që çon në zgjime të vogla që pacienti nuk i kujton. Ky «stres gjatë gjumit» shkakton pagjumësi, lodhje dhe përgjumje të rrezikshme gjatë ditës (rrezik i lartë për aksidente!), si dhe probleme të tjera të shëndetit. Përveç këtyre, personat që vuajnë sindromin e apnesë së gjumit kanë një shkallë të lartë të rrezikut për të zhvilluar sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, të tilla si hipertensioni arterial, aritmitë, infarkti i miokardit, AVC (aksidente vaskulare në tru), çrregullime të ereksionit , si pasojë e mungesës së oksigjenit gjatë gjumit.

Faktorët që favorizojnë gërrhitjen janë:

  • E fjetura në shpinë
  • Mbipesha trupore
  • Duhanpirja
  • Trashja e indit të faringut: bajamet e zmadhuara, polipet në hundë, uvula e gjatë ose e madhe
  • Rrufa , alergjitë që prekin hundën
  • Devijimi i septumit nazal (kërcit ndarës të hundës)
  • Nofulla e deformuar
  • Konsumi i alkoolit në mbrëmje (ul tensionin muskular të faringut)
  • Medikamentet: kryesisht qetësuesit dhe gjumëdhënësit
  • Periudhat me gjumë të çrregullt
  • Faktorët gjenetikë: gërrhitjet dhe apnetë e gjumit në pjesëtarë të tjerë të familjes
Çrregullimet shoqëruese të mundshme të gërrhitjes janë: çrregullimet e gjumit, lodhja gjatë ditës, çrregullimet e përqëndrimit, dhimbja e kokës në mëngjes.

Njihen shumë shkaqe dhe faktorë që favorizojnë praninë e gërrhitjes. Ata kanë të përbashkët uljen e tensionit muskular të faringut dhe/ose trashjen e indit të faringut.

Disa faktorë mund të përshtaten nga vetë pacientët. Ja disa masa të përgjithshme tepër të dobishme për çdo formë të gërrhitjes ose apnesë së gjumit, që mund t’i aplikoni nëse mjeku juaj nuk ju ka këshilluar teknika të tjera:

  • Reduktimi i mbipeshës trupore
  • Evitimi absolut i konsumit të alkoolit në mbrëmje
  • Evitimi i medikamenteve dhe produkteve që shkaktojnë gjumë
  • Konsumi i ushqimeve të lehta në mbrëmje
  • Favorizimi i frymëshkëmbimit me hundë (përdorimi për një kohë të shkurtër i një sprai nga hunda, që lejon lirimin e saj). Konsultohuni me një mjek ORL nëse hunda është vazhdimisht e bllokuar.
  • Rregulloni kushtet e gjumit që të jenë të shëndetshme
  • Flini në anë ose përmbys. Egzistojnë veshje speciale të gjumit, që evitojnë kthimin në shpinë gjatë gjumit.

Gërrhitjet e forta dhe të çrregullta të shoqëruara me pauza të frymëshkëmbimit gjatë natës kanë nevojë për egzaminim dhe trajtim mjekësor. Kjo vlen edhe për rastet kur shfaqen edhe çrregullime të gjumit, apo zgjime gjatë gjumit të shkaktuara nga gërrhitja.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni ?

  • Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
  • Mjeku pneumolog / specialisti i gjumit
  • Mjeku ORL

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me gërrhitjet: janë të forta/të shpeshta, faktorët shpërthyes të tyre (fjetja përmbys, pas konsumimit të alkoolit), faktorët e rrezikut (mbipesha trupore, duhanpirja,alergjitë që prekin hundën, etj), çrregullime të gjumit (lodhje në mëngjes, apne të gjumit, lodhje gjatë ditës, pagjumësi, etj.).
  • Marrja në pyetje e partnerit/partneres së pacientit është thelbësore për përshkrimin e gërrhitjeve të pacientit, nëse ai vuan nga apnea gjatë gjumit dhe nëse është i lodhur gjatë ditës.
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshi edhe operacionet.
  • Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, duhani, alkooli, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi fizik

Gjatë këtij egzaminimi, mjeku mat peshën trupore të pacientit, gjatësinë e tij, kryen egzaminimin e gojës, të hundës dhe veshëve. Mjeku kërkon për ndryshime të mundshme të frymëshkëmbimit me hundë ose për anomali të faringut që mund të çrregullojnë frymëshkëmbimin. Gjithashtu, mjeku vlerëson edhe gjendjen e dhëmbëve dhe pozicionin e nofullës së poshtme.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike:

  • Poligrafia ambulatore: pacientët pajisen me një aparat dixhital që vlerëson parametra të tillë si frymëshkëmbimi, përqëndrimi i oksigjenit në frymën e tyre dhe gërrhitjet gjatë gjumit në shtëpi.
  • Nëse poligrafia ambulatore tregon një sindromë të apnesë së gjumit, duhet të kryhet egzaminimi i gjumit në laborator (polisomnografia)
  • Egzaminimi endoskopik i rrugëve të sipërme të frymëshkëmbimit
  • Egzaminime imazherike: psh. radiografia e sinuseve

Trajtimet e gërrhitjes varen nga fakti nëse ajo është e lidhur ose jo me apnenë e gjumit. Trajtimi është gjithmonë i nevojshëm në rastet me sindromën e apnesë së gjumit. Gërrhitjet janë çrregullime të frymëshkëmbimit që nuk kanë nevojë për asnjë trajtim mjekësor. Megjithatë, trajtimi mjekësor mund të fillohet, në varësi të kërkesës së pacientit ose partnerit/partneres të tij.

Masat e përgjithshme

Evitoni faktorët favorizues të gërrhitjeve, të tillë si mbipesha trupore, konsumi i alkoolit në mbrëmje, fjetja në shpinë, etj. Këto masa janë të dobishme për të gjithë pacientët që gërrhasin gjatë gjumit, me ose pa apne të gjumit. Shihni gjithashtu edhe rubrikën "Si duhet të veproni?".

Këshilla

Gjatë formës së lehtë të gërrhitjes, mund të vendosen aparate dentare që zhvendosin përpara nofullën e poshtme. Gjithashtu, aparate të posaçme që vendosen në hundë zmadhojnë vrimat e hundës për të ndihmuar frymëshkëmbimin me hundë.

Mënyrat kirurgjikale

Keqformimet e faringut mund të kërkojnë operacion nga një mjek ORL. Për këtë qëllim, mund të kryhet heqja e polipeve, e bajameve, korrigjimi i septumit nazal, etj.

Ajrosja me presion pozitiv të njohur

Kjo pajisje e vogël ushtron një presion pozitiv të njohur nëpërmjet një maske në hundë. Kështu, rrugët e sipërme të frymëshkëmbimit lirohen dhe frymëshkëmbimi gjatë natës lehtësohet. Ky trajtim është më efikas për rastet me sindromën e apnesë së gjumit. Gjithsesi, kjo metodë ka nevojë për bashkëpunimin e pacientit, sepse atij i duhet ta mbajë maskën gjatë gjithë natës dhe në mënyrë të rregullt.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.