Hipotireoza (Hipotiroidizmi, Ulja e funksionit të gjendrës tiroide)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Gjendra tiroide është një organ që peshon rreth 30 gramë, e vendosur në pjesën e përparme të qafës. Ajo përbëhet nga dy lobe të vendosura në të dy anët e laringut, që lidhen mes tyre me një pjesë qendrore, që quhet istmus. Funksioni kryesor i gjendrës tiroide është prodhimi i dy hormoneve (T4 dhe T3), të cilët janë mjaft të rëndësishëm për kontrollin e metabolizmit në organizëm. Për prodhimin e tyre, gjendra tiroide ka nevojë për jod.
Flitet për hipotireozë kur gjendra tiroide prodhon më pak hormone se sasia e nevojshme e tyre për organizmin. Nga kjo sëmundje preken më shpesh femrat se meshkujt, rreth moshës 40-60 vjeç.
Shkaqet e hipotireozës janë:
Kongenitale (të lindura):
- Hipotireoza e nënës
- Zhvillimi i pamjaftueshëm i gjendrës tiroide, ose prodhimi prej saj i hormoneve jonormale
Të fituara:
- Inflamacionet e shpeshta të gjendrës tiroide, me shkatërrim të indit të tiroides dhe prodhim të pamjaftueshëm të hormoneve të saj (si psh.Tiroiditi Hashimoto)
- Trajtimi me jod ose ose me medikamente që frenojnë prodhimin e hormoneve (antitiroidiene) për një hipertireozë (shtim të funksionit të tiroides) të mëparshme.
- Çrregullime në proçesin e prodhimit të hormoneve
- Heqja e plotë ose e pjesshme e gjendrës tiroide, për shkak të një hipertireoze ose të një kanceri të tiroides.

Hipotireoza mund të shkaktojë këto simptoma:
- Rrahje të ngadalta dhe të dobëta të zemrës (bradikardi)
- Mungesë e oreksit e shoqëruar nga shtimi në peshë
- Lëkurë e thatë dhe e ftohtë
- Zë i ngjirur dhe i dobët
- Flokë të rralla dhe delikate
- Arteriosklerozë e parakohshme, e shoqëruar me rritjen e nivelit të kolesterolit në gjak.
- Çrregullimet e ciklit menstrual tek femrat
- Dobësi e theksuar trupore që, në personat e moshuar, shpesh interpretohet si pafuqi e moshës.
- Tek foshnjat: kapsllëk, lëvizje të pakta dhe të ngadalta, si dhe përtesë për të pirë.

Diagnoza e hipotireozës bazohet tek:
- Njohja e mjekut me historinë e sëmundjes dhe simptomat aktuale të pacientit
- Analiza e gjakut: përcaktimi i nivelit hormoneve të tiroides në gjak dhe i antitrupave kundër tiroides (antitrupat anti-tiroidiene), në rastet e dyshimta për inflamacion kronik të gjendrës.
- Ekografia e gjendrës tiroide
- Shintigrafia e gjendrës tiroide
- Biopsia (vlerësimi histologjik i materialit të marrë nga gjendra)
- Tek të porsalindurit, funksioni i gjendrës tiroide vlerësohet në ditën e pestë pas lindjes

Pas konfirmimit të diagnozës së hipotireozës, trajtimi konsiston në marrjen e hormoneve tiroidiene nga goja, në formën e tabletave. Kjo terapi ka për qëllim zëvendësimin e sasisë së pamjaftueshme të hormonit në organizëm. Dozat e përshtatshme të tij përcaktohen në varësi të nivelit të hormoneve në gjak, të peshës trupore të pacienit, si dhe të sëmundjeve të tjera shoqëruese të hipotireozës.
Është mjaft e rëndësishme që trajtimi hormonal zëvendësues të merret në mënyrë të rregullt. Për të evituar çrregullimet në thithjen e medikamentit në aparatin e tretjes, ai duhet të merret në mëngjes, në gjendje esëll, me pak ujë, të paktën 20 minuta para ngrënies së ushqimit ose konsumit të lëngjeve.
Tek të rriturit, trajtimi i rregullt, me dozën e përshtatshme të hormonit, i mundëson pacientit një jetë normale.
Tek foshnjat, hipotireoza është shpesh përgjegjëse për një vonesë në proçesin e rritjes dhe të zhvillimit trupor, si dhe për uljen e aftësive intelektuale të tyre.