Miokarditi (Inflamacioni i muskulit të zemrës)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Si shkaqe kryesore të miokarditit përmendim:
- Viruset, që shkaktojnë 50% të miokarditeve, edhe pse shpesh virusi shkaktar mbetet i paidentifikuar.
- Bakteriet
- Kërpudhat
- Alergjitë nga medikamentet
- Sëmundjet reumatizmale sistemike (të përhapura në të gjithë trupin)
- Rrezatimi i zonës së zemrës
Miokarditi mund të favorizohet nga sëmundjet ose faktorët e mëposhtëm:
- Skarlatina
- Borrelioza (pas pickimit nga këpushat)
- Ndërlikimet e një perikarditi ose të një sëmundjeje të valvulave
- Sëmundjet metabolike
- Tuberkulozi ose sëmundjet e tjera infektive (sifilizi, difteria)
- Konsumi i alkoolit

Në rastin e infeksioneve virale, simptomat e infeksionit kryesor i paraprijnë atyre të perikarditit, pra të lidhura me zemrën. Ndër simptomat kryesore të një infeksioni viral mund të përmendim:
- Lodhje e theksuar
- Dobësi trupore
- Dhimbje të kyçeve
Simptomat që tregojnë për miokardit janë:
- Palpitacionet (rrahje të shpejta dhe të forta të zemrës)
- Çrregullimet e ritmit të zemrës (aritmi)
Simptomat e miokarditit janë të ndryshme, në varësi të shkallës së zhvillimit të tij. Ato fillojnë si shenja të një gjendjeje gripale tipike, deri në shfaqjen e aritmisë, insuficiencës kardiake (dobësimit të punës së zemrës), deri edhe të vdekjes së pacientit.

Për diagnostikimin e saktë të miokarditit, duhet të kryhet:
- Njohja e mjekut me simptomat e pacientit, historinë dhe mënyrën e fillimit të tyre.
- Elektrokardiograma (EKG)
- Ekokardiografia (eko e zemrës)
- Kateterizimi i zemrës, me marrjen e materialit indor për biopsi
- Analiza e gjakut: mundësojnë identifikimin e bakterieve ose kërpudhave në gjak. Identifikimi i viruseve është mjaft i vështirë.
- Radiografia: evidenton zgjerim të lehtë të zemrës.

Fillimisht, duhet të evitohet sforcimi fizik për një periudhë mjaft të gjatë kohore. Në të njëjtën kohë, duhet të fillohet trajtimi i sëmundjes shkaktare të miokarditit. Kështu:
- Infeksioni bakterial trajtohet me antibiotikë.
- Në rastin e miokarditit me origjinë reumatizmale, përdoren medikamentet me bazë kortizoni dhe ato antireumatizmale
- Insuficienca kardiake trajtohet me diuretikë (shkarkues), frenues të enzimës së konvertimit të angiotenzinës (ACE-I) dhe beta-bllokuesit.
- Aritmia trajtohet me beta-bllokues dhe medikamente të tjera specifike (antiaritmikët).
- Medikamente kundër dhimbjes
- Në rastin e perikarditit me likid, praktikohet punksioni i perikardit (zbrazja me anë të shiringës)
- Në rastin e reaksioneve auto-imune, ku sistemi imunitar lufton dhe shkatërron organet e vetë organizmit, fillohet trajtimi me medikamente që frenojnë përgjigjen imunitare (imunosupresorë).
- Në rast se sëmundja rëndohet, e vetmja alternativë e paevitueshme mbetet transplanti i zemrës.
Miokarditi kronik (i përsëritur) mund të shkaktojë zgjerim të zemrës dhe insuficiencë kardiake.

Rekomandohet në mënyrë kategorike evitimi i sforcimit fizik për një kohë të gjatë, në mënyrë që të parandalohet një rishfaqje e miokarditit. Në rast se pas shërimit të sëmundjes shfaqet temperaturë, i sëmuri duhet të jetë më i kujdesshëm me sforcimet fizike. Kështu, qoftë edhe gjatë një gjendjeje të lehtë gripale, pa temperaturë, pacienti duhet të evitojë çdo lloj sporti.
Përveç masave të mësipërme parandaluese, duhet të eleminohen të gjithë faktorët e rrezikut, veçanërisht duhani dhe alkooli.