Bronkopneumopatia obstruktive kronike (BPOK, Sëmundja pulmonare obstruktive kronike, SPOK)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Faktori kryesor i rrezikut për këtë sëmundje konsiderohet duhanpirja.
Ajo shkaton shkatërrimin e qelizave ciliare (që ndihmojnë në daljen e sekrecioneve nga bronket), duke çuar në mbajtjen e këtyre sekrecioneve në brendësi të bronkeve. Ky proçes favorizon grumbullimin e bakterieve dhe shfaqjen e inflamacionit në to (bronkiti). Inflamacionet e përsëritura shkaktojnë trashje të mureve të bronkeve. Përveç kësaj, tkurrjet e muskujve bronkialë shkaktojnë ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes. Grumbullimi i mukusit (sekrecionit, gëlbazës), çon fillimisht në një zgjerim dhe më pas, në një shkatërrim të alveolave të mushkërive (emfizema pulmonare).

Pacientët me BPOK paraqesin këto simptoma:
- Kollë me gëlbazë, gjithnjë e më e shpeshtë dhe më e fortë, kryesisht gjatë ditës.
- Vështirësi në frymëmarrje, kryesisht në sforcim.
- Pamundësi për t`u sforcuar
- Pneumoni të shpeshta
- Rëndimi i këtyre simptomave mund të çojë në një kufizim të madh të aktivitetit fizik. Në stade më të avancuara të sëmundjes, mund të ndodhin përkeqësime të papritura, shpesh të provokuara nga infeksionet e mbivendosura, që edhe mund të rrezikojnë jetën e pacientit.
Stadet e BPOK
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka propozuar tre stade të klasifikimit të bronkopneumopatisë obstruktive kronike, bronkiti kronik i së cilës është konsideruar si një stad fillestar:
Stadi 1: bronkit kronik me simptoma të vazhdueshme
Stadi 2: i njëjtë me stadin 1 + kufizim i aktivitetit fizik
Stadi 3: i njëjtë me stadin 2 + çrregullime të shkëmbimit të gazeve
Për të vendosur diagnozën e BPOK, mjeku specialist pneumolog ka të nevojshme:
- Marrjen në konsideratë të të dhënave, lidhur me historinë e sëmundjes dhe ankesat që paraqet pacienti.
- Egzaminimin fizik, me kryerjen e provës funksionale të frymëshkëmbimit (Spirometria).
- Testet e alergjisë, për të përjashtuar praninë e një astme bronkiale.
- Analizat e gjakut.
- Radiografinë ose skanerin e mushkërive.

- Ndërprerja e plotë e duhanit
- Konsumi i sasive të mëdha të lëngjeve, në mënyrë që të lehtësohet dalja e gëlbazës
- Evitimi i qëndrimit në vende me ajër të ndotur, si dhe kontakti me lëndë helmuese; në raste të tilla, mund të ishte mjaft i dobishëm ndryshimi i vendit të punës.
- Një aktivitet fizik i rregullt, pas një egzaminimi mjekësor dhe me rekomandimin e mjekut, mund të përmirësojë shkallën e përdorimit të oksigjenit.
Medikamentet
Trajtimi medikamentoz i BPOK përfshin:- Bronkodilatatorët: medikamente që zgjerojnë bronket, të cilat mund të jenë me efekt të shkurtër ose të gjatë.
- Medikamente me bazë kortizoni: antiinflamatorët, me tableta ose sprai nga goja.
- Mukolitikët: medikamente që hollojnë sekrecionet (gëlbazën).
- Antibiotikët: mund të përdoren në rastet e infeksioneve nga bakteriet
- Parandalimin e infeksioneve, që konsiston në vaksinimin kundër gripit, mundësisht vaksinimin kundër
pneumokokut (kundër pneumonisë nga pneumokoku).
Masat fizike
Fizioterapia- Masazhet favorizojnë nxjerrjen e gëlbazës
- Administrimi i oksigjenit, në rastet e rëndimit të papritur dhe në stadet e avancuara të sëmundjes, me nivele të ulëta të oksigjenit në gjak.
Mjaft i rëndësishëm mbetet edukimi i pacientëve me BPOK, që mund të realizohet në kushte shtëpie ose spitali. Ai konsiston në rritjen e rezistencës trupore, nëpërmjet ushtrimeve për muskujt, për frymëmarrjen, kryerjen e fizioterapisë (si psh. masazhi që favorizon nxjerrjen e gëlbazës), ergoterapisë (trajtimi i sëmundjes nëpërmjet ushtrimeve fizike), si dhe nëpërmjet edukimit të pacientëve dhe këshillimit të tyre mbi mënyrën e ushqyerjes.
Gjithashtu, edhe këshillimi psikosocial lejon shpesh përmirësimin e cilësisë së jetës dhe të gjendjes fizike të organizmit tek këta pacientë. Në të tilla raste është konstatuar ulje e shkallës së përdorimit të medikamenteve, si dhe pakësim i shpeshtësisë së shtrimit dhe ditëqëndrimit në spital.
Ndërprerja totale e duhanit lejon parandalimin e avancimit të sëmundjes. Emfizema pulmonare, nëse është e pranishme, është e parikthyeshme.
Infeksionet bakteriale dhe ato virale janë ndërlikimet më të shpeshta, sepse
ulin gjithnjë e më shumë aftësinë për frymëshkëmbim. Pacienti duhet domosdoshmërisht
të jetë në kushte spitalore, për t`iu nënshtruar trajtimit me antibiotikë dhe
inhalatorë.
Me kalimin e kohës, kjo sëmundje
kronike e mushkërive ka një ndikim negativ mbi funksionin e zemrës. Kështu,
meqenëse rritet presioni në enët e gjakut të mushkërive, duke shkaktuar
hipertensionin pulmonar, rritet ngarkesa edhe në barkushen e djathtë të zemrës.
Kjo shkakton dobësimin e punës së zemrës, që reflektohet me shenjat e
insuficiencës kardiake.
Duhanpirja kronike shkakton kalcifikime të mureve të enëve të gjakut, që shkaktojnë arteriosklerozën; meqenëse ky proçes mund të prekë edhe enët (arteriet) koronare, duhanpirja konsiderohet si një faktor i madh rreziku për sëmundjet e tyre (infarkti akut i miokardit).