Diabeti i sheqerit i tipit 1 (Diabeti melitus tip 1, Diabeti tip 1, DM tip 1)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Në diabetin tip 1 pankreasi është i paaftë të prodhojë insulinën. Insulina është një hormon që bën të mundur djegien e sheqerit nga ana e qelizave të organizmit. Në këto qeliza, sheqeri shndërrohet në energji, që përdoret prej tyre për kryerjen e proçeseve metabolike. Nëse ky shndërrim është i pamundur për shkak të një sasie të pamjaftueshme të insulinës, sheqeri do të rritet në organizëm, duke e kaluar kufirin maksimal të lejuar të tij.
Nëse përqëndrimi i sheqerit në gjak është i lartë, një pjesë e tij do të eleminohet nga organizmi nëpërmjet urinës. Pikërisht për këtë arsye, përveç rritjes së nivelit të sheqerit në gjak, konstatohet edhe shfaqje e tij në urinë. Ky eleminim i sheqerit (glukozës) në urinë shkakton humbje, mbi normalen, të ujit në organizëm, gjë që çon në gjendjen e dehidratimit. Kjo e fundit reflektohet me etje të shprehur nga ana e pacientit.
Përveç faktit që mundëson përdorimin, pra djegien e sheqerit nga qelizat, insulina frenon edhe proçesin e formimit të glukozës në mëlçi. Si rezultat i këtyre efekteve të saj, në rastet kur ajo mungon në organizëm, shfaqet rritja e nivelit të sheqerit në gjak (hiperglicemia). Kjo situatë përfaqëson sëmundjen e diabetit të sheqerit.
Një formë specifike e diabetit tip 1 është LADA (diabeti autoimun latent i adultit), që shfaqet tek personat mbi 25 vjeç.
Ende në ditët e sotme nuk dihet saktësisht mekanizmi i shkatërrimit të qelizave që prodhojnë insulinën. Të fokusuara në këtë drejtim janë bakteriet ose viruset që paraqesin ngjashmëri me qelizat pankreatike. Kjo është mënyra e vetme që mund të shpjegojë konfuzionin e organizmit ndërmjet dy viruseve dhe shkatërrimin e gabuar pikërisht të këtyre qelizave.
Tendenca për të shfaqur këto situata ka rezultuar që është e lidhur ngushtë me trashëgiminë familjare dhe mënyrën e ushqyerjes. Studime të përqëndruara në këtë drejtim kanë treguar se ushqyerja me gji e fëmijëve luan efekt mbrojtës ndaj këtyre fenomeneve.
- Etje e shprehur, si pasojë e humbjes së sasive të mëdha të ujit nga organizmi
- Urinime të shpeshta
- Ndjesia e dobësisë së përgjithshme
- Humbje e oreksit
- Rënie në peshë
- Aromë acetoni (e ngjashme me amoniakun) nga goja
- Uri e theksuar
- Ndjeshmëri e lartë emocionale në rastet e uljeve të sheqerit.
Për diagnostikimin e diabetit tip 1, janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut me historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit
- Matja e nivelit të glicemisë në gjendjen esëll
- Egzaminimi i fundit të syrit (fundus oculi) dhe matja e presionit të gjakut në brendësi të tij
- Vlerësimi i funksionit të veshkave
- Matja e nivelit të yndyrnave në gjak
- Matja e presionit të gjakut
- Matja e antitrupave specifike, që evidentohen në 90% të pacientëve me diabet tip 1
- Analiza e urinës komplet
- Egzaminimi i përgjithshëm trupor, i fokusuar veçanërisht tek këmbët
- Elektrokardiograma (EKG)

Bëhet fjalë për një pompë elektrike, që mundëson injektimin në mënyrë të vazhdueshme të dozave të insulinës, të programuara paraprakisht. Kjo realizohet nëpërmjet një kateteri, gjilpëra e të cilit fiksohet në lëkurë. Avantazhi i kësaj metode konsiston në faktin që pacienti nuk ka më nevojë të injektojë insulinën.
Gjithsesi, ashtu si edhe në rastin e injeksioneve të insulinës, matjet e sheqerit duhet të kryhen 4-6 herë në ditë. Pompa e insulinës ka madhësine e një pakete cigaresh dhe kësisoj mund të vendoset në rripin e pantallonave ose në një xhep.
Mjeku specialist endokrinolog, pasi njihet me historinë e sëmundjes, simptomat e pacientit dhe shkallën e zhvillimit të sëmundjes në momentin e diagnostikimit, vendos se cila nga format e trajtimit me insulinë është më e përshtatshmja për pacientin.
Trajtimi me pompën insulinike rekomandohet në këto raste:
- Kur pacienti ka një mënyrë jetese jo të rregullt
- Në rastet që nuk perceptojnë shqetësime gjatë hipoglicemisë (uljes së sheqerit), ose që hipoglicemia u ndodh gjatë natës.
- Shtatzania
- Pankreatiti kronik (inflamacioni i pankreasit)
- Për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientit.
Megjithatë, egzistojnë situata që ndikojnë negativisht në përdorimin e pompës së insulinës:
- Udhëtimet: në disa vende është e pamundur të blihen pompa insulinike ose pjesë të caktuara të tyre në rast të defekteve që mund të ndodhin.
- Për përdorimin e pompës së insulinës, nevojitet saktësi dhe higjienë e mirë trupore.
- Kur shiringa boshatiset, pacienti mund të gjendet në situatë kritike.
- Ndryshe nga rasti i injeksioneve të insulinës, gjatë trajtimit me pompë sasia e insulinës që do të injektohet nuk ndryshohet lehtë. Bëhet fjalë psh. për rastet e aktiviteteve sportive, të vakteve të bollshme dhe të konsumimit të alkoolit, kur duhet të modifikohet doza e insulinës, në mënyrë që të evitohet ulja ose ngritja e vlerave të sheqerit në gjak.
- Janë të mundshme alergjitë.
Konsultimet e rregullta tek mjeku specialist diabetolog ose endokrinolog, si dhe kontrolli nje herë në vit tek okulisti janë të detyrueshme për çdo diabetik. Gjithashtu, në rast se pacienti shfaq edhe sëmundje shoqëruese (si gripi) ose praninë e shenjave që tregojnë për ndërlikime të mundshme, ai duhet të konsultohet menjëherë nga mjeku.
Situatat e urgjencës
Sheqeri dhe fruktoza mund të përdoren në rastet e hipoglicemisë. Në raste më të rënda, duhet të konsultohet menjëherë mjeku.
Masat e përgjithshme
Elementi më i rëndësishëm pas diagnostikimit të diabetit të sheqerit tip 1, është pranimi i sëmundjes nga ana e pacientit (dhe e prindërve të tij kur pacienti është fëmijë). Gjatë fazës së këshillimit, pacienti dhe/ose prindërit e tij ushtrohen si të kryejnë vetë matjen e sheqerit dhe të bëjnë injeksionet e insulinës.
Gjithashtu, ata informohen edhe lidhur me situatat që provokojnë uljen e sheqerit (hipogliceminë) dhe shenjat që mund të shfaqen në këtë rast. Nga momenti i diagnostikimit me diabet të sheqerit tip 1, përveç egzaminimeve të përmendura më sipër, duhet të respektohen edhe kontrollet e rregullta tek mjeku specialist endokrinolog.
Medikamentet
I vetmi trajtim për këtë tip të diabetit është insulina. Pacienti (fëmijë ose i rritur) pajiset me një aparat elektronik për matjen e sheqerit në gjak (glukometër), nëpërmjet shpimit në gisht, dhe ushtrohet nga personeli mjekësor lidhur me përdorimin e tij. Ai edukohet të mbajë një ditar diabeti, ku të shënojë vlerat e sheqerit të matura në oraret menjëherë para injeksioneve të insulinës.
Kjo është mjaft e rëndësishme, pasi nga këto vlera varet doza e insulinës që do të injektohet në vaktin përkatës. Doza e insulinës varet gjithashtu edhe nga tipi dhe sasia e ushqimit që do të konsumohet, nga shkalla e aktivitetit fizik, gjendja emocionale, sëmundjet shoqëruese të pranishme, etj.
Diabeti i sheqerit i tipit 1 nuk shërohet. Megjithatë, trajtimi i rregullt dhe me dozat e përshtatshme të insulinës ndikon drejtpërdrejt në uljen ë shkallës së shfaqjes së ndërlikimeve të vonshme të tij.
Ndërlikimet e mundshme janë:
- Çrregullimet e shikimit
- Dëmtimi i nervave
- Dëmtimi i veshkave
- Dëmtimi i enëve të gjakut (arterioskleroza, hipertensioni arterial, aksidentet cerebrale, infarkti i miokardit)
- Reaksionet në lëkurë
- Shërimi i vonuar i plagëve
- Infeksionet e rrugëve urinare dhe të lëkurës
- Impotenca seksuale
- Rritja e shprehur e nivelit të sheqerit në gjak
- Ulja e sheqerit në gjak (hipoglicemia), si pasojë e terapisë me doza të mëdha të insulinës