Intoleranca ndaj laktozës
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Intoleranca e laktozës nuk është një alergji ushqimore. Përveç kësaj, ajo nuk duhet të ngatërrohet me alergjinë nga qumështi i lopës (shih alergjinë nga ushqimet).
Në rast të intolerancës ndaj laktozës, laktoza nuk tretet mjaftueshëm për shkak të mungesës së një enzime tretëse (laktazës) në zorrën e hollë. Kjo enzimë kryen funksionin e zbërthimit së laktozës, e cila është kryesisht e pranishme në qumështin e lopës.
Për arsye teknologjike, përveç qumështit, industria ushqimore prodhon edhe ushqime të tjera që gjithashtu përmbajnë laktozë, si salçiçet. Në gjendje të patretur, laktoza arrin në zorrën e trashë ku shkakton fryrje, diarre dhe dhimbje stomaku.Epidemiologjia e intolerancës ndaj laktozës
Në Evropë
- Vendet skandinave: 2%
- Siçilia: 70%
- Zvicra 29%
SHBA
- Njerëzit me lëkurë të bardhë 15%
- Meksikanët 53%
- Njerëzit me lëkurë të zezë 80%
Në mbarë botën
- Rreth 2/3 e popullsisë
Enzima që ndihmon tretjen e ushqimit mungon në shumicën e aziatikëve. Kjo është arsyeja pse ata i zbërthejnë shumë keq produktet e qumështit dhe djathin.
Pacientët me intolerancë ndaj laktozës shpesh kanë simptoma të tjera, si alergjitë ushqimore ose sindromi i zorrës së irrituar. Për shkak të këtyre problemeve të lidhura, shpesh është e vështirë të identifikohen shkaqet e sakta të simptomave.Në njerëz të shëndetshëm, enzima laktazë ndan laktozën në dy pjesë, që janë: glukoza dhe galaktoza. Në këtë rast, laktoza mund të asimilohet plotësisht nga zorra e hollë.
Në njerëzit me intolerancë të lindur ndaj laktozës, aktiviteti i enzimës që ndihmon tretjen e ushqimit ulet gjithnjë e më shumë gjatë rrjedhës së jetës. Kjo është arsyeja pse simptomat zakonisht shfaqen vetëm në moshë madhore, pasi shumica e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël ende e tretin laktozën.
Intoleranca e fituar ndaj laktozës shpesh është dytësore, pra pasojë e sëmundjeve të tjera, të tilla si sindromi i zorrës së irrituar, sëmundja Crohn ose sëmundja celiake. Sëmundjet e zorrës së hollë ose ndërhyrjet e mëdha kirurgjikale në zorrën e hollë mund të çojnë gjithashtu në intolerancën e laktozës.
Mund të ndodhë gjithashtu edhe intolerancë kalimtare ndaj laktozës si pasojë e infeksioneve.

Në rast të intolerancës ndaj laktozës, mund të shfaqen simptoma të ndryshme, shpesh jo specifike:
- Gurgullima në stomak
- Fryrje e barkut dhe ngopje e shpejtë
- Diarre, e cila bëhet kronike
- Dhimbje barku
- Tek foshnjat, shtim jo i rregullt në peshë.
Përveç këtyre çrregullimeve të tretjes, shumë njerëz ankohen për lodhje, marramendje, irritim të brendshëm, probleme të lëkurës, depresion dhe përqëndrim të dobët.

Vetë-diagnostikimi:
- Evitimi i produkteve të qumështit të lopës për disa ditë, pastaj rifillimi i konsumit të tyre, duke kontrolluar simptomat.
Tek mjeku:
- Testi i frymëmarrjes pas konsumit të laktozës.
- Mbledhja e mostrave nga mukoza e zorrës së hollë.
- Matja e glukozës në gjak pas konsumimit të laktozës të holluar në ujë (testi i tolerancës ndaj laktozës).

Intoleranca e laktozës nuk mund të shërohet. Megjithatë, mund të lehtësohen simptomat. Mjeti më i mirë është heqja dorë sa më shumë që të jetë e mundur nga produktet e qumështit të lopës.
Masat e përgjithshme
- Mos konsumoni produkte të përftuara nga qumështi i lopës. Në disa njerëz, një pikë e vetme e qumështit në kafe shkakton simptomat, ndërsa në shumë të tjerë simptomat shfaqen vetëm në rast të konsumimit të sasive të konsiderueshme.
- Kosi është përgjithësisht më mirë i toleruar nga të rriturit, sepse ky produkt tashmë përmban enzimën laktazë.
- Foshnjat duhet të konsumojnë qumësht të posaçëm për to.
- Ndjekja e një regjimi ushqimor pa laktozë, nën këshillimin e dietologut.
Cilat ushqime përmbajnë laktozë?
- Qumështi i lopës dhe produktet e prejardhura prej tij (gjalpi, djathi, qumështi pluhur, kosi).
- Ëmbëlsirat (shihni listën e përbërësve ose pyesni bukëpjekësin).
- Çokollata
- Ushqime të tjera të proçesuara (përbërësit duhet të specifikohen).
- Shumë medikamente, madje edhe tabletat homeopatike përmbajnë laktozë.
- Ushqimet e përpunuara (p.sh. pica).
Medikamentet
Nëse enzima laktazë është e pamjaftueshme, mund të plotësohet duke e marrë në formën e suplementit.
Simptomat zakonisht zhduken nëse pacienti heq dorë nga produktet që përmbajnë laktozë. Megjithatë, një diarre shumë e rëndësishme mund ta rrezikojë jetën e një fëmije.
Në afat të gjatë, heqja dorë nga produktet e qumështit mund të çojë në mungesë të kalciumit, e cila vetë mund të çojë në osteoporozë. Në këtë rast, është e nevojshme të merren suplemente me bazë kalciumi. Kalciumi është i pranishëm në perimet me gjethe jeshile, qumështin e kokosit, farat e susamit.