logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Dhimbja kronike: përhapja e dhimbjes.
Dhimbja kronike: përhapja e dhimbjes.

Gjithkush i njeh dhimbjet, ''sinjalet e alarmit'' të trupit tonë. Dhimbjet akute (të menjëhershme) paralajmërojnë për praninë e dëmtimeve të vërteta, madje kërcënuese për jetën, siç janë prerjet, inflamacionet ose djegiet, që shkaktojnë një reagim të shpejtë: për shembull hiqni dorën shpejt nga pllaka e nxehtë ose nuk vendosni më pesha të rëndë në kyçin e këmbës tashmë të përdredhur. Receptorët ndjesorë të dhimbjes, të quajtur nociceptorë, janë kudo në trup. Ata transmetojnë stimulin e dhimbjes në formën e një sinjali elektrik, përmes nervave në palcën kurrizore dhe pastaj në tru. Ky i fundit na lejon të bëhemi të vetëdijshëm për dhimbjen.

Dhimbja akute zakonisht ka një shkak të veçantë dhe prandaj është relativisht e lehtë për t'u trajtuar. Nëse shkaku shërohet, edhe dhimbja akute do të zhduket.

Nëse dhimbjet akute nuk trajtohen që në fillim apo trajtohen gabim, ato mund të largohen nga shkaku kryesor i tyre dhe të bëhen "të lira", domethënë, të shkaktohen vetë. Shpesh, në situata të tilla nuk është më e mundur të gjendet një shkak konkret për dhimbjen. Mjeku e konsideron këtë formë të dhimbjes, që zgjat për disa muaj dhe vite, si dhimbje kronike, ose sindroma e dhimbjeve kronike. Dhimbja kronike shpesh e ka humbur rolin e saj fillestar të sinjalit paralajmërues, dhe për pacientët nuk është asgjë më shumë se një torturë, gjë që shkakton probleme të tjera fizike dhe psikologjike dhe ndikon shumë në cilësinë e jetës së tyre. Kjo mund të rezultojë në probleme familjare, izolim shoqëror, humbje të punës, dhe në rastin më të keq në paaftësi. Përveç kësaj, përdorimi kronik i medikamenteve kundër dhimbjes mund të shkaktojë varësi prej tyre. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme, në rast të dhimbjes së zgjatur ose të përsëritur, të konsultoheni sa më shpejt me mjekun, në mënyrë që të shmanget dhimbja kronike.

Kronicizimi i dhimbjeve

"Kujtimi i dhimbjes" luan një rol të madh në zhvillimin e dhimbjes kronike. Një stimul i zgjatur ose i përsëritur i dhimbjes bën që receptorët e dhimbjes dhe nervat që përhapin sinjalin e dhimbjes "të mësojnë" - si për memorizimin klasik të trurit - për t'u përgjigjur më shpejt, më me saktësi dhe me ndjeshmëri: një stimul relativisht i dobët (p.sh. ngrohja ose kontakti i thjeshtë) mund të shkaktojë dhimbje, ose një stimul lehtësisht i dhimbshëm mund të intensifikohet - duke zhvilluar një "kujtesë të dhimbjes".

Perceptimi i dhimbjes është shumë subjektiv

Dhimbja perceptohet ndryshe nga një person në tjetrin – si nga intensiteti i dhimbjes, ashtu edhe nga cilësia e saj. Kështu, një dhimbje që nga dikush nuk mund të durohet, mund të durohet mjaft mirë nga të tjerët. Intensiteti i dhimbjeve mund të variojë nga të lehta në të rënda, madje edhe të tmerrshme ose të padurueshme. Përshkrimi i cilësisë së dhimbjes (siç ndjehet) është gjithashtu i ndryshëm: si shtypje, thikë, bluarje, djegie, shtrëngim, goditje, goditje elektrike, etj. Kjo tregon se perceptimi i dhimbjes është kompleks, ashtu si edhe shkaqet e saj.


Shkaqet e zakonshme të dhimbjes kronike ose të sindromit të dhimbjeve kronike janë:

  • Dhimbjet në shpinë dhe në këmbë
  • Dhimbjet nervore ("dhimbjet neuropatike")
  • Sindromi i dhimbjes së kokës (migrena, dhimbje koke e tensionit dhe dhimbje e enëve të gjakut)
  • Algoneurodistrofia (Sindromi Loko-regjionar i dhimbjes komplekse)

Dhimbjet e shpinës dhe të këmbës:

Dhimbja e shpinës shfaqet shpesh në pjesën lumbare (të mesit) të shtyllës kurrizore dhe mund të përhapet në kofshë, në të ndenjurat ose në këmbë.

Shkaqet e shpeshta të dhimbjes së shpinës janë:

  • Degjenerimi i disqeve ndërvertebrore, shih hernia diskale
  • Fibroza epidurale, shpesh pas një operacioni të shtyllës kurrizore
  • Osteoporoza: dobësimi i kockave me rrezikun e thyerjeve spontane të tyre (p.sh. të një vertebre)
  • Ngushtimi i kanalit vertebral: për shembull nga një hernie diskale, kancer ose osteoporozë
  • Pasojat e një aksidenti (dhimbjet e qafës dhe/ose të shpatullave, dëmtimi i qafës.

Dhimbjet nervore: neuropatia, polineuropatia, neuralgjia

Nëse preket vetëm një nerv, quhet neuropati; nëse preken disa nerva, quhet polineuropati. Këto dy raste janë pasojë e dëmtimit ose irritimit të një ose më shumë nervave, shkaqet e të cilave janë të ndryshme.

Shkaqet e zakonshme të dhimbjes nervore janë:

  • Diabet prej shumë vitesh (kryesisht për shkak të niveleve të larta të sheqerit)
  • Alkoolizmi
  • Çrregullimi i funksionit të veshkave

Shkaqe të tjera të dhimbjes nervore janë:

  • Dëmtime nervore gjatë një operacioni ose aksidenti
  • Inflamacione (skleroza e shumëfishtë, neuralgjia trigeminale)
  • Sindroma e tunelit të kyçit të dorës: dëmtim nervor për shkak të shtypjes në kyçin e dorës
  • Infeksionet (HIV, borrelioza nga kafshimi i kërpushave, herpesi)
  • Çrregullimet e gjendrës tiroide
  • Mangësia e vitaminave (vitamina B1 dhe B12)
  • Dëmtimi i nervave nga toksinat (metalet e rënda, insekticidet, alkooli)
  • Tumoret: tumoret dhe metastazat e tyre mund të shtypin nervat ose t’i dëmtojnë ato drejtpërdrejt.
  • Efektet anësore të medikamenteve të caktuara (kimioterapia mund të dëmtojë nervat)
  • Arteriopatia obliterative e gjymtyrëve të poshtme (këmbët e duhanpirësve, klaudikacio intermitent): shkaku kryesor i dëmtimit të nervit është një çrregullim i furnizimit me gjak për shkak të arteriosklerozës.
  • Dhimbjet fantazmë pas amputimit (prerjes së një pjese të gjymyrës)
  • Dhimbjet e nervit shiatik

Simptomat e përgjithshme

Çdo person i përjeton ndryshe dhimbjet kronike, dhe intensiteti i dhimbjes ndryshon. Dhimbjet mund të shfaqen në forma të ndryshme, shpesh si një kombinim i tyre. Kështu, për shembull mund të perceptohen si:

  • Pickim
  • Rrymë elektrike
  • Pulsim, dobësi, gërryerje
  • Djegie e fortë pak a shumë e përhershme
  • Dhimbje të mprehta dhe të thella

Dhimbja nuk duhet domosdoshmërisht të ketë lidhje të drejtpërdrejtë kohore me një incident të mëparshëm (lëndim ose sëmundje) - dhimbja kronike mund të ndodhë muaj apo vite më vonë, duke mos lejuar më gjetjen e shkakut. Është gjithashtu e mundur që të ketë dhimbje në një pjesë të trupit, që nuk është më e pranishme (dhimbja fantazmë = dhimbje në gjymtyrë pas prerjes së kësaj të fundit) ose që është e pandjeshme (zakonisht me neuropati).

Dhimbja kronike gjithashtu mund të shkaktohet ose përkeqësohet nga stimuj të jashtëm, si ftohja, nxehtësia, shtrirja, prekja, etj. Nëse këto stimulime përsëriten, atëherë mund të zhvillohet "kujtesa për dhimbjen" (shih përkufizimin) dhe dhimbja mbetet e pranishme edhe pas zhdukjes së stimulimit.

Komponentët psiqikë të dhimbjeve kronike:

  • Prishja e cilësisë së jetës
  • Çrregullimet e gjumit
  • Frika
  • Izolimi shoqëror: viktimat, që e konsiderojnë veten si një barrë për familjen dhe miqtë, izolohen.
  • Problemet në punë, që shkojnë deri në paaftësi.

Simptomat e polineuropatisë:

Polineuropatia zakonisht shfaqet fillimisht tek këmbët (më rrallë tek duart), duke prekur një ose të dy gjymtyrët. Ajo mund të manifestohet me:

  • Dhimbje të vazhdueshme, të përshkruara si djegie
  • Humbje të ndjesisë (këmbët si çorape, duart si doreza)
  • Dobësia e këmbëve (ose duarve)
  • Hiperndjeshmëri ndaj prekjes
  • Ndjesi të gabuara, të tilla sikur ''të kalojnë milingonat'' (parestezia)
  • Hiperndjeshmëri ndaj shtypjes (shkakton dhimbje)
  • Rrallë një paralizë

Simptomat e neuralgjisë:

Më shpesh, janë dëmtuar vetëm disa nerva, duke shkaktuar dhimbje të forta në zonat e lëkurës që inervohen prej tyre. Shembuj tipikë janë neuralgjia trigeminale në zonën e fytyrës ose virusi i herpesit (në kraharor ose në fytyrë).

Neuralgjitë karakterizohen nga:

  • Krizat e dhimbjes: të shkurtra (me sekonda), por shumë intensive
  • Dhimbjet perceptohen si goditje me thikë ose si goditje elektrike
  • Me kalimin e kohës, neuralgjia mund të bëhet dhimbje “në sfond” (e thellë, e shurdhër dhe e vazhdueshme).

Sindroma loko-regjinale e dhimbshme komplekse (algoneurodistrofia, sëmundja e Sudeck)

Ky është një çrregullim i rrallë, në të cilin shfaqen ndryshime të dhimbshme në indet e një dore, sidomos të një këmbe. Mekanizmat që e kanë shkaktuar deri më tani kanë qenë vetëm pjesërisht të studiuar. Kjo sëmundje mund të ndodhë për shembull pas një goditjeje në tru ose infarkti në zemër. Më shpesh, shfaqet pas një dëmtimi të lehtë (përdredhje, shembje). Ndonjëherë ajo ndodh pas një operacioni që nuk është kryer në mënyrë korrekte. Meqë në disa raste nuk gjendet ndonjë shkak, merret në konsideratë edhe faktori gjenetik.

Njihen dy tipe të sëmundjes së Sudeck: Tipi 1 = traumatizim pa dëmtim të nervit; Tipi 2 = traumatizim me dëmtim të nervit.

Për të diagnostikuar sindromën kronike të dhimbjes është i nevojshëm një bashkëpunim i mirë mes pacientit dhe mjekut. Megjithatë, shpesh kërkohen edhe ekzaminime shtesë nga mjeku specialist.

Për të përcaktuar shkakun e dhimbjes, mjeku ka nevojë për informacionin e mëposhtëm: 

  • Një përshkrim sa më të saktë dhe të detajuar të dhimbjes, dhe zonën e saktë në të cilën shfaqet (plotësimi paraprak i një ditari të dhimbjes mund të jetë i dobishëm për këtë).
  • Ekzaminimet fizike dhe neurologjike (gjendja neurologjike)
  • Ndoshta një test i gjakut: dozimi i vitaminave në gjak, i treguesve metabolikë dhe atyre inflamatorë.

Ekzaminime të tjera specifike të mundshme:

Për të vlerësuar intensitetin e dhimbjes, ekziston shkalla vizuale analoge: pacienti duhet të tregojë se ku futen dhimbjet e tij, në një shkallë 10 cm të gjatë, ku në njërin skaj është shprehja "pa dhimbje" dhe në tjetrin shprehja ''dhimbje të patolerueshme''. Një variant tjetër është ai i përshkrimit të dhimbjes së tij në një rezultat që varion nga 1 në 100. Këto metoda gjithashtu bëjnë të mundur edhe vlerësimin afatgjatë të efektit të një trajtimi për dhimbjen. Pacienti mund të vlerësojë çdo ditë intensitetin e dhimbjes së tij dhe ta shkruajë atë në ditarin e tij.

Dhimbja kronike shpesh është e vështirë për t’u trajtuar. Në përgjithësi, trajtimi duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, duke përfshirë jo vetëm aspektet fizike, por edhe ato psikologjike. Askush nuk mund të parashikojë se cila mënyrë e trajtimit do të jetë më efikase.

Trajtimi i dhimbjes përfshin format e mëposhtme, shpesh të kombinuara:

  • Trajtimi shkakësor
  • Trajtimi konservativ, domethënë pa ndërhyrje kirurgjikale
  • Medikamentet
  • Kontrolli i dhimbjes (neuromodulimi)
  • Ndërhyrja kirurgjikale

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.