Anemia
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Anemia përfaqëson pakësimin e rruazave të kuqe të gjakut (eritrocitet), që mund të shkaktohet nga ulja e përqëndrimit të hemoglobinës (pigmentit të kuq të gjakut), hematokritit (tregon trashësinë e gjakut) dhe/ose numrit të rruazave të kuqe në raport me vlerat normale për personin përkatës.
Gjatë anemisë, prishet ekuilibri ndërmjet nevojave të organizmit për rruazat e kuqe dhe hemoglobinën, dhe prodhimit të rruazave të reja të kuqe nga palca e kockave.
Llojet e anemive janë:
- Anemia nga mungesa e hekurit (forma më e shpeshtë): shfaqet kur rezervat e hekurit në organizëm janë harxhuar, dhe sasia e mbetur e hekurit nuk mjafton për sintezën (formimin) e hemoglobinës.
- Anemia nga mungesa e acidit folik
- Anemia nga mungesa e vitaminës B12 (anemia pernicioze)
- Humbja e gjakut nga hemorragjia e brendshme ose e jashtme, si psh. në rastin e menstruacioneve të zgjatura dhe në sasi të konsiderueshme.
- Shkatërrimi i një numri të madh eritrocitesh, siç ndodh psh. në rastin e hemolizës, ku jetëgjatësia e tyre është e vogël.
- Pakësimi i prodhimit të eritrociteve. Në këtë proçes ndikojnë shkaqe të ndryshme, që mund të shkaktojnë një pakësim ose defekte në formimin e eritrociteve. Si shkak mund të shërbejë gjithashtu, edhe stimulimi i pamjaftueshëm i palcës së kockës për formimin e tyre.

Në mungesë të hemoglobinës që është transportuesja e oksigjenit, organizmi nuk furnizohet plotësisht me oksigjen. Në këtë situatë përfshihen të gjitha organet, deri edhe muskujt e skeletit. Në rastin e anemisë së lehtë, pacienti mund të mos paraqesë simptoma në qetësi, por vetëm gjatë sforcimeve. Kështu, gjatë sforcimit, ai mund të ndihet i lodhur, i pafuqishëm, dhe të ndiejë vështirësi në frymëmarrje.
Gjithashtu, anemia manifestohet edhe me zbehje të pacientit, e cila është më e dallueshme tek njerëzit e racës së bardhë. Tek ata që nuk i takojnë kësaj race, zbehja dallohet në mukozën e gojës ose në ngjyrosjen e konjuktivave të syve (zona e bardhë rreth bebes së syrit). Organizmi përpiqet ta kompesojë aneminë nëpërmjet shtimit të rrahjeve të zemrës dhe sasisë së gjakut të hedhur nga zemra në njësinë e kohës. Ky mekanizëm kompesator është mjaft efikas, duke bërë të mundur që anemia fillimisht të jetë e lehtë dhe instalimi i saj të jetë gradual.
Shenjat e urgjencës:
- Gjendje të fikti
- Marrje mendsh e theksuar
- Etje dhe djersitje shumë e shprehur.
- Puls i dobët dhe i shpejtë
- Vështirësi në frymëmarrje
Për vendosjen e diagnozës së anemisë ndihmojnë:
- Ekzaminimi fizik i të sëmurit dhe marrja në konsideratë e simptomave që ai paraqet
- Marrja e gjakut për ekaminimin mikroskopik të tij
- Dozimi i përqëndrimit në gjak të vitaminës B12, hekurit dhe acidit folik, për të përcaktuar shkaqet e anemisë.

Trajtimi i anemisë konsiston në trajtimin e shkakut të saj, si psh.:
- Në rastin e humbjes së gjakut: përcaktimi i shkakut të humbjes së gjakut. Në varësi të rëndësisë së tij, mund të nevojitet edhe transfuzioni i gjakut (marrja e gjakut nga jashtë).
- Në rastin e mungesës së hekurit: trajtimi i shkakut, marrja e hekurit në formën e tabletave nga goja, ose të injeksioneve me rrugë venoze ose muskulare.
- Në rastin e mungesës së acidit folik dhe vitaminës B12 (anemia pernicioze): trajtimi i shkakut, ushqyerja e pasur në acid folik, si dhe marrja e acidit folik dhe e vitaminës B12 me tableta nga goja ose në disa raste edhe me injeksione me rrugë muskulare.
Çdo dyshim për anemi duhet të na shtyjë për t`u konsultuar me mjekun. Një humbje e gjakut (hemorragji) e shpeshtë nuk shoqërohet domosdoshmërisht me shenja klinike. Simptomat shfaqen kur humbja e gjakut bëhet e rëndësishme.
Një hemorragji e rëndësishme dhe e patrajtuar, si psh. gjatë një aksidenti, ose një ndërhyrjeje kirurgjikale, mund të shkaktojnë një infarkt të miokardit (goditje në zemër), një aksident cerebral (goditje në tru), që mund të çojnë deri në vdekje të pacientit. Në këto raste është i domosdoshëm transfuzioni i menjëhershëm i gjakut.
Në rastin e mungesës së vitaminës B12 dhe të acidit folik, rekomandohet një ushqyerje e ekuilibruar, e pasur me peshk, mish, fruta dhe perime të freskëta. Nëse kjo nuk është e mjaftueshme, mund të rekomandohet zëvendësimi i tyre nëpërmjet marrjes me tableta nga goja ose nëpërmjet injeksioneve e preparateve që i përmbajnë këto elemente. Në rastin e mungesës së hekurit, rekomandohet konsumi i shpeshtë i thekrës dhe perimeve të thata, dhe nuk rekomandohet pirja e çajit të zi.