logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Test i HIV-it: një ekzaminim biologjik që shërben për të zbuluar infeksionin nga virusi HIV.
Test i HIV-it: një ekzaminim biologjik që shërben për të zbuluar infeksionin nga virusi HIV.

Çfarë është testi i HIV-it?

Testi i HIV-it është një analizë gjaku që nxjerr në pah ose përjashton infeksionin HIV. Nëse pacienti është i infektuar me HIV, testi rezulton pozitiv. Në mungesë të këtij infeksioni, testi del negativ. Testi i HIV-it mund të kryhet si një test i shpejtë ose analizë laboratorike. 

Testet e shpejta e sigurojnë rezultatin për disa minuta, dhe në rast se del pozitiv individi duhet të konsultohet menjëherë me mjekun. Megjithatë, testet e shpejta jo shpesh janë të sakta, dhe për këtë arsye duhet të konfirmohen edhe nga një analizë e saktë laboratorike. 

Testi i shpejtë është një test i kombinuar, që do të thotë se tregon në gjak dy antitrupa (substancat mbrojtëse kundër virusit dhe komponentëve të virusit). Meqenëse formimi i antitrupave kërkon një kohë të caktuar, antitrupat anti HIV mund të zbulohen vetëm pas 2 javësh nga një infektim i mundshëm. Koha midis infektimit dhe formimit të antitrupave quhet periudha dritare. Gjatë kësaj periudhe, testi i HIV-it është ende negativ. Në disa individë periudha dritare mund të zgjasi deri në tre muaj. Kështu ky lloj testi duhet të kryhet jo më shpejt se 2 deri në 6 javë pas një infektimi të mundshëm, dhe të përsëritet pas 3 muajsh në rast të një rezultati negativ. Vetëm atëherë është e sigurt se infeksioni HIV nuk është i pranishëm. 

Testimi mund të bëhet në kabinetin e mjekut të familjes, në spital ose në institucione të tjera që e kryejnë këtë lloj testimi. 

Me përjashtim të rastit kur kryhet nga mjeku i familjes, testi i HIV-it mund të kryhet në mënyrë anonime, pa u identifikuar. Një testim i kryer pa pëlqimin e personit në fjalë është i dënueshëm. Rezultati i testimit i nënshtrohet sekretit mjekësor. Megjithatë, një rezultat pozitiv duhet të raportohet tek autoritetet shëndetsore për qëllime statistikore, por pa përmendur identitetin e personit. 

Testi i HIV-it është një ekzaminim që i takon fushës së Infektologjisë. 

A kërkon testi i HIV-it ndonjë përgatitje të veçantë?

Testi i HIV-it mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.

Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?

Përpara testimit bëhet një konsultim me pacientin, për të diskutuar mbi rrezikun individual të kontaminimit të mundshëm, dhe për të dhënë informacion për uljen e rrezikut në të ardhmen. Ky testim mund të kryhet vetëm me pëlqimin e personit. Përveç kësaj, asnjë sqarim i veçantë paraprak nuk është i nevojshëm. 

Si bëhet testimi i HIV-it? 

Testi i HIV-it përfshin konsultimin paraprak me pacientin, marrjen e gjakut, testin e shpejtë, testin laboratorik, komunikimin e rezultatit të testimit dhe konsultimin e pacientit pas testimit. Një test i shpejtë kërkon vetëm disa pika gjaku të marra nga shpimi në gisht. Testi laboratorik kërkon marrjen normale të gjakut në venën e krahut. Rezultati i testit të shpejtë merret për pak minuta, ndërsa i testit laboratorik për rreth 3 ditë.

Kur kërkohet testi i HIV-it?

Në parim, ky test rekomandohet të kryhet pas një situate që paraqet një rrezik potencial të kontaminimit. Njohja e hershme e infeksionit mundëson trajtimin dhe mbron partnerët e tjerë seksualë. 

Arsyet e shpeshta për kryerjen e testit të HIV-it janë:

  • Marrëdhëniet seksuale vaginale ose anale të pambrojtura, me një partner ndoshta të infektuar (seksi pa prezervativë, por edhe kur ky i fundit është i çarë ose rrëshket). 
  • Seksi oral i pambrojtur 
  • Kur sperma ose gjaku menstrual i infektuar me HIV hyn në gojë ose gëlltitet. 
  • Përdorimi i shiringave dhe gjilpërave të përdorura për marrjen e drogave me rrugë intravenoze. 
  • Shfaqja e simptomave që mund të tregojnë infektim të mundshëm me HIV. 
  • Rreziku profesional, psh. pas një shpimi me gjilpërë në spitale. 
  • Mbrojtja juridike, për të treguar që nuk ka patur infeksion të pranishëm më parë. 
  • Mund të bëhet në rastin e një çifti besnik që do të kryejë marrëdhënie të pambrojtura, për t‘u siguruar që asnjëra palë nuk e ka këtë infeksion. 
  • Gjatë shtatzanisë, për të mbrojtur fëmijën nga transmetimi i virusit gjatë lindjes ose nëpërmjet dhënies së gjirit. 

A paraqet rreziqe ose efekte të padëshiruara testi i HIV-it?

Rreziqet e testit janë ato të marrjes standarte të gjakut. Periudha deri në komunikimin e rezultatit të testimit mund të jetë psikologjikisht e vështirë. Në çdo rast, komunikimi duhet të jetë profesional dhe ndihmues për pacientin.


Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.