logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Punksioni: ekzaminim mjekësor, gjatë të cilit një gjilpërë e zbrazët futet në enët e gjakut, në zgavrat e trupit ose në organe të caktuara për të tërhequr lëngun e grumbulluar ose për të injektuar medikamente ose substanca të tjera
Punksioni: ekzaminim mjekësor, gjatë të cilit një gjilpërë e zbrazët futet në enët e gjakut, në zgavrat e trupit ose në organe të caktuara për të tërhequr lëngun e grumbulluar ose për të injektuar medikamente ose substanca të tjera

Çfarë është punksioni?

Punksioni është një ekzaminim mjekësor, gjatë të cilit një gjilpërë e zbrazët futet në enët e gjakut, në zgavrat e trupit ose në organe të caktuara për të tërhequr lëngun e grumbulluar ose për të injektuar medikamente ose substanca të tjera (p.sh. material kontrasti radiologjik). Një term i ngjashëm është "biopsia", i cili i referohet marrjes së mostrave indore diagnostike për analiza histologjike në laborator (shih: Biopsia dhe ekzaminimi histologjik). Punksionet mund të kryhen për qëllime diagnostikuese dhe/ose trajtuese, si p.sh. gjatë punktimit të kyçeve, të lëngut amniotik, të barkut, të lëndës së kontrastit radiologjik, ose injektimit të medikamenteve në kyçe ose në hapësira të trupit. Gjithashtu, një punksion është i nevojshëm ndonjëherë edhe si trajtim emergjent, për shembull për të liruar mushkërinë në rastin e një pneumotoraksi.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara një punksioni?

Në shumicën e rasteve, nuk nevojiten masa paraprake të veçanta para një punksioni. Pacientët që marrin medikamente për hollimin e gjakut mund të kenë nevojë t’i ndërpresin ato disa ditë para punksionit ose t’i zëvendësojnë me injeksione të heparinës në bark. Mjeku jep udhëzimet përkatëse për çdo rast.

Çfarë duhet të sqarohet para një punksioni?

Gjatë një punksioni, proçesi i koagulimit të gjakut duhet të jetë normal. Prandaj është e përshtatshme, aty ku është e mundur, të kontrollohen vlerat e koagulimit të gjakut nëpërmjet testimit të tij.

Si kryhet një punksion?

  • Shumica e punksioneve mund të kryhen në kushte ambulatore, në kabinetin e mjekut.
  • Çdo punksion është ekuivalent me një proçedurë të vogël kirurgjikale, dhe për këtë arsye duhet të kryhet në kushte aseptike (sterile).
  • Pas dezinfektimit të plotë të lëkurës, gjilpëra futet në zgavrën, organin ose indin që do të ekzaminohet, nëpërmjet lëkurës që është mpirë më parë në nivel lokal. Me qëllim që gjilpëra e punksionit të arrijë në mënyrë të sigurtë dhe të saktë në vendin e dëshiruar, shumica e punksioneve kryhen nën kontrollin ekografik (me ultratinguj) ose të skanerit (tomodensitometria). Kjo do të thotë që gjilpëra e punksionit drejtohet drejtpërdrejt në indin e synuar, duke u bazuar në pamjen që shfaqet në monitor. Nëpërmjet gjilpërës së zbrazët, është e mundur që të aspirohen lëngje ose inde, ose të injektohet një lëndë kontrasti apo medikamente. Përbërja e materialit të marrë analizohet në laborator, ku kërkohet prania e ndonjë bakteri ose qelize kanceroze.
  • Pas punksionit, vendi i shpimit mbulohet me një ngjitëse (ankerplast) sterile ose një fashë të vogël sterile.

Kur nevojitet punksioni?

Një punksion përdoret për qëllime diagnostikuese dhe trajtuese. Rrallë, kur është e nevojshme, ai kryhet edhe si një trajtim urgjent.

Fushat e përdorimit të shpeshtë të një punksioni janë:

  • Punksioni pleural: diagnoza dhe trajtimi i versamentit pleural (prania e likidit në hapësirën pleurale, që rrethon mushkëritë)
  • Punksioni i toraksit (kraharorit): punksioni çliron me urgjencë mushkëritë në rast pneumotoraksi ose likidi perikardial (prania e lëngjeve në perikard)
  • Punksioni pulmonar (i mushkërisë) në noduset e dyshimtë të mushkërive, në kancere të mushkërive
  • Punksioni i venave: për marrjen e mostrave të gjakut, injektimin e barnave ose të lëndëve të kontrastit radiologjik, venografia
  • Punksioni i arterieve për matjen e gazeve në to, kateterizimin për angiografi, kateterizimin e zemrës ose injektimin e medikamenteve në arterie
  • Punksioni i kyçeve (artikulacioneve)
  • Punksioni i lëngut truno-shpinor
  • Punksioni i palcës së kockave
  • Punksioni i peritoneumit: punksioni i ascitit
  • Punksioni i mitrës për nxjerrjen e vezëve (oocitet)
  • Punksioni i lëngut amniotik

A paraqet punksioni rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Punksionet janë kryesisht të padhimbshëm (me mpirje lokale) dhe në përgjithësi me një shkallë të pakët rreziku. Ashtu si me çdo procedurë, mund të ndodhin ndërlikime të tilla si gjakderdhja, dëmtimi i nervit, dëmtimi i organeve ose infeksione. Disa punksione mund të shoqërohen edhe me rreziqe specifike ose me efekte anësore. Kështu, pas një një punksioni të lëngut truno-shpinor pacienti mund të shfaqë dhimbje koke, dhe një punksion i lëngut amniotik mund të çojë në abort.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.