logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Astma: vështirësi në frymëmarrje dhe fishkëllima.
Astma: vështirësi në frymëmarrje dhe fishkëllima.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetsisë, në botë vuajnë rreth 250 milionë njerëz të moshave të ndryshme nga sëmundja e astmës. Ajo përfaqëson një problem të madh shëndetësor si për vendet e zhvilluara, ashtu edhe për ato që janë ende në zhvillim. Mbi 80% e vdekjeve nga astma, shkaktohen në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në vendin tonë 30-40% e popullatës rezultojnë me sëmundje alergjike, ndëkohë që 3% e saj janë të diagnostikuar me sëmundjen e astmës. Gjithashtu, nga astma rezulton se vuajnë 4% e fëmijëve. Prevalenca e astmës në vendin tonë po rritet me 5% në vit.

Astma karakterizohet nga episode të vështirësisë në frymëmarrje, me intensitet të ndryshueshëm, që mund të kenë shkaktarë të ndryshëm.

Më shpesh, kur flitet për astmën, merret në konsideratë astma bronkiale (e bronkeve), që përfaqëson një ngushtim të rrugëve të kalimit të ajrit, si pasojë e një ndjeshmërie jonormale të bronkeve. Kjo situatë mund të shkaktohet nga faktorë të brendshëm ose të jashtëm.

Astma kardiake shkaktohet nga grumbullimi i lëngjeve në nivelin e mushkërive.

Në raste të rralla, flitet për astmën nazale, që përfaqëson prekjen e sinuseve të hundës, që mund të çojë në shfaqjen e astmës bronkiale.

Njihen dy forma të astmës:

Astma alergjike, që është forma më e shpeshtë, pasi haset në 90% të rasteve. Ajo zakonisht zhvillohet në fëmijëri. Rreth 80% e fëmijëve të diagnostikuar me astmë shfaqin gjithashtu një alergji të caktuar. Edhe pse astma alergjike e shfaqur gjatë fëmijërisë shpesh zhduket në moshën e rritur, në rreth 75% të rasteve ajo rishfaqet më vonë.

Astma joalergjike, që është e rrallë dhe haset në rreth 10% të rasteve. Kjo formë e astmës shfaqet pas moshës 30 vjeç dhe zakonisht nuk është e lidhur me shkaqe alergjike. Prej saj preken më shpesh femrat, që zhvillojnë infeksione të shpeshta të sistemit të frymëshkëmbimit.

Astma: inflamacion i aparatit të frymëshkëmbimit.
Astma: inflamacion i aparatit të frymëshkëmbimit.

Faktorët shkaktarë të astmës janë:

  • Inflamacionet e rrugëve të frymëmarrjes, të shkaktuara nga viruset ose bakteriet
  • Alergjitë e ndryshme, si ajo nga polenet, nga pluhurat e shtëpisë  dhe qimet e kafshëve. Në këto raste bëhet fjalë për astmën alergjike.
  • Eforti, që është përgjegjës për astmën nga aktiviteti fizik.
  • Faktorët e tjerë, si të ftohtit, tymi i duhanit, parfumet, ajri i ndotur.
  • Avujt kimikë
  • Disa medikamente që qetësojnë dhimbjet (antialgjikët)
  • Faktorët fizikë
Astma: vështirësi në frymëmarrje dhe fishkëllima.
Astma: vështirësi në frymëmarrje dhe fishkëllima.

Pacienti me astmë paraqet disa simptoma karakteristike që janë:

  • Vështirësia në frymëmarrje, e shoqëruar nga ndjenja e ankthit. 
  • Prania e zhurmave gjatë frymëshkëmbimit, që mund të jenë të tipit fishkëllima ose rale (fëshfërima), më të shprehura  gjatë frymënxjerrjes.
  • Kriza e astmës gjatë natës.

Situata e urgjencës

Bëhet fjalë për krizën e astmës, që karakterizohet nga ngjyrosja në blu e lëkurës, shkurtimi dhe përshpejtimi i frymëmarrjes, ndjenja e bllokimit në gjoks, kolla e thatë e shoqëruar me fishkëllima të forta gjatë frymënxjerrjes. Pacienti është konfuz, i axhituar dhe i rraskapitur. Nëse nuk përgjigjet më ndaj mjekimit të përdorur nëpërmjet aerozolit ose pompës (me sprai), pacienti duhet të konsultohet menjëherë nga një mjek.

Kujdes: kriza e astmës përbën një urgjencë mjekësore, pasi rrezikon ndërprerjen e menjëhershme të funksionimit të mushkërive dhe zemrës, pra rrezikon vdekjen e pacientit.

Astma: testi i funksionit të mushkërive (Spirometria).
Astma: testi i funksionit të mushkërive (Spirometria).

Diagnoza e astmës përcaktohet nga mjeku specialist alergolog, duke u bazuar në:

Astma: medikamentet inhalatore.
Astma: medikamentet inhalatore.

Trajtimi i astmës bazohet në tre shtylla kryesore:

  • Përdorimi i medikamenteve kortikosteroide (kortizonit) me rrugë inhalatore, pra me aerozol ose me sprai (pompa)
  • Përdorimi i medikamenteve që zgjerojnë bronket (bronkodilatatorët)
  • Përdorimi i medikamenteve me veprim të shkurtër dhe të shpejtë, që mund të ndihmojnë në rast urgjence.

Medikamentet

Medikamentet kortikoide në formën e sprait

Në sajë të veprimit të tyre kundër inflamacionit, ato janë mjaft efikase kundër astmës, por jo me veprim të menjëhershëm. Për këtë arsye, ato nuk përdoren për trajtimin e krizës së astmës, por rekomandohen si trajtim bazë (mbajtës) në të gjitha format e astmës, pavarësisht intensitetit të tyre. 

Medikamentet që zgjerojnë bronket (bronkodilatatorët)

Ato shkaktojnë lëshimin e muskujve të lëmuar të rrugëve të frymëmarrjes, duke ndihmuar në këtë mënyrë në zgjerimin e bronkeve. Efekti i tyre është i menjëhershëm. Këto medikamente janë dy tipesh: me veprim të shkurtër dhe me veprim të gjatë. Këto të fundit përdoren shpesh bashkë me kortizonin me rrugë inhalatore (duke i thithur gjatë frymëmarrjes, me aerozol ose sprai nga goja), ndërsa ato me veprim të shkurtër janë mjaft efikase në situatat urgjente. Bronkodilatatorët me veprim të shkurtër, për shkak të fillimit të veprimit të tyre për kohë shumë të shkurtër, përdoren gjerësisht gjatë krizave të astmës, bashkë me medikamente të tjera.

Medikamente të tjera në formën e tabletave

Për shkak të efekteve të padëshiruara të shprehura, teofilina përdoret vetëm kur medikamentet e tjera nuk japin efekt të mjaftueshëm. Antileukotrienet frenojnë inflamacionin dhe reaksionin alergjik. Ato rekomandohen në rastet e astmës së rëndë, shpesh të kombinuar me kortizonin me pompë (sprai).

Mënyra të tjera të trajtimit të astmës:

  • Kryerja e ushtrimeve të lidhura me frymëmarrjen.
  • Trajnimi mbi teknikat inhalatore (të përthithjes së medikamenteve nëpërmjet aerozolit ose pompës).

Në rastet me astmë të rëndë, nuk janë të rekomandueshme metodat e mjekësisë alternative. Kjo për faktin se, edhe pse disa nga këto metoda kanë rezultuar efikase kur janë shoqëruar me medikamente të tjera, metoda të tjera të kësaj natyre kanë provokuar reaksione alergjike të rënda.

Çfarë mund të bëjmë vetë?

Në rastin e astmës, qëllimi kryesor i pacientit dhe mjekut të tij është parandalimi i krizave të saj. Për të arritur këtë, është e nevojshme që: 

  • Të evitohen faktorët shpërthyes dhe situatat shpërthyese të njohura. 
  • Të mbahet një ditar i rregullt ditor, ku të shënohen rezultatet e KMF-s (kapacitetit maksimal të frymënxjerrjes), në mënyrë që të ndiqet ecuria e sëmundjes. 
  • Të respektohen rekomandimet e mjekut lidhur me medikamentet e përdorura (dozën, oraret, teknikën e përthithjes së medikamenteve me aerozol ose me pompë, etj.). 
  • Të konsumohen sasi të mëdha lëngjesh, me qëllim që të hollohen sekrecionet e bronkeve dhe të mund të eleminohen më lehtë.  

E rëndësishme: ndryshimi i klimës (në det ose në mal) dhe ushtrimi i një sporti mund të ketë efekte pozitive në pacientët e diagnostikuar me sëmundjen e astmës. 

Në përgjithësi, simptomat e astmës mund të kontrollohen, me kusht që të respektohet trajtimi i përshkruar nga mjeku dhe të zbatohen masat parandaluese. Tek fëmijët, astma ka tendencë të dobësohet me rritjen e tyre, me zbutjen graduale të simptomave të saj.

Për të evituar shfaqjen e ndërlikimeve të astmës, është thelbësore të eleminohen faktorët e rrezikut, si: tymi i duhanit ose kafshët shtëpiake, në rastet e alergjisë ndaj tyre. Astma e patrajtuar mund të dëmtojë zemrën dhe mushkëritë. Krizat e saj mund të rrezikojnë jetën e pacientit.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.