Laparoskopia (Celioskopia)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është laparoskopia?
Laparoskopia, ose celioskopia, shërben për të ekzaminuar organet e brendshme të zgavrës së barkut (laparoskopia diagnostikuese), dhe për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale (laparoskopia operatore), pa qënë nevoja për hapje të mëdha të barkut, si në rastin e kirurgjisë së hapur. Për këtë qëllim, një endoskop i quajtur laparoskop, së bashku me instrumenta të tjera kirurgjikalë, futen në zgavrën e barkut nëpërmjet prerjeve të vogla të lëkurës, në nivelin e kërthizës. Kirurgjia laparaskopike është më pak traumatike për pacientin sesa kirurgjia klasike. Gjithashtu, koha e shërimit është më e shkurtër dhe dhimbja pas ndërhyrjes është më pak e fortë.
Laparoskopia është një proçedurë diagnostike dhe trajtuese që i takon fushës së Kirurgjisë, Gjinekologjisë dhe Gastroenterologjisë, që është një degë e Mjekësisë së brendshme.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Laparoskopia kërkon që pacienti të jetë esëll, pra është e ndaluar që të konsumojë ushqim duke filluar nga mbrëmja para proçedurës. Mjeku anestezist jep udhëzimet përkatëse për çdo rast.
Çfarë duhet të sqarohet përpara laparoskopisë?
- Duhet të kryhen ekzaminimet paraprake për anestezinë (radiografia e mushkërive, EKG, analizat e gjakut).
- Laparoskopia kërkon proçes normal të mpiksjes së gjakut. Nëse është e nevojshme, verifikohen vlerat e mpiksjes së gjakut, pas marrjes së një kampioni të gjakut.
- Pacientët që marrin medikamente antikoagulante (për hollimin e gjakut) duhet, nëse është e mundur, t’i ndërpresin ato disa ditë para laparoskopisë ose t’i zëvendësojnë me injeksione të heparinës në bark. Mjeku jep udhëzimet përkatëse, sipas rastit.
Si kryhet laparoskopia?
- Laparoskopia kryhet nën anestezi të përgjithshme dhe zgjat rreth 15 deri në 30 minuta për qëllime diagnostikuese, dhe më gjatë për proçedurat kirurgjikale. Operacioni kryhet në kushte aseptike (sterile).
- Pas kryerjes së anestezisë, zgavra e barkut shpohet në skajin e poshtëm të kërthizës me një gjilpërë të veçantë dhe një gaz mjekësor (dioksidi i karbonit) futet në bark. Në këtë mënyrë muri i barkut largohet nga organet e brendshme, duke ofruar pamjen më të mirë të mundshme.
- Më pas, laparoskopi në formën e një shufre futet në zgavrën e barkut, në të njëjtin vend, nëpërmjet një prerjeje të lëkurës prej rreth 1 cm. Laparoskopi është i pajisur me një kamera të vogël që transmeton me një rezolucion të lartë dhe siguron një imazh të zmadhuar të zgavrës së barkut në një monitor. Gjatë gjithë kohës, një burim drite ndriçon fushën e ekzaminimit ose të ndërhyrjes. Në këtë mënyrë është e mundur të evidentohen inflamacionet, hemoragjitë, tumoret ose ndryshime të tjera patologjike. Laparoskopi mund të lëvizet në të gjitha drejtimet dhe kështu lejon ekzaminimin e plotë të të gjitha organeve të barkut. Këtu përfshihet stomaku, zorra e hollë, zorra e trashë, mëlçia, fshikëza e tëmthit, pankreasi, shpretka dhe diafragma. Për operacionet e mitrës dhe të tubave të fallopit, futja e tubit realizohet në skajin e sipërm të pubisit.
- Pas një laparoskopie thjesht diagnostikuese, nxirret gazi i mbetur, tërhiqet laparoskopi dhe mbyllet vrima e vogël e hyrjes.
- Në kirurgjinë laparoskopike, përmes endoskopit mund të futen edhe instrumente të vogla kirurgjikale, që nevojiten për marrjen e mostrave të indeve për ekzaminimin mikroskopik ose për kryerjen e proçedurave të vogla kirurgjikale. Në ndërhyrje më të mëdha, dy ose tre trokarë futen përmes prerjeve të vogla të lëkurës. Trokarët janë tuba të vegjël metalikë, përmes të cilëve të gjitha instrumentet kirurgjikale mund të mbërrijnë në zonën e interesuar.
Kur përdoret laparoskopia?
Mundësitë dhe fushat e përdorimit të laparoskopisë janë të shumta. Ajo përdoret për qëllime diagnostikuese dhe trajtuese.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e laparoskopisë në Gjinekologji janë:
- Dhimbjet e pashpjegueshme në fund të barkut
- Kistet e vezoreve
- Heqja e vezoreve dhe tubave
- Lidhja e tubave
- Shtatzania tubare (në tuba), shtatzania abdominale (në bark)
- Fibroma e mitrës
- Adrencat (ngjitjet) në fund të barkut pas operacioneve
- Endometrioza
- Histerektomia (heqja e mitrës)
- Diagnoza në lidhje me dëshirën për të patur fëmijë
A paraqet laparoskopia rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Përgjithësisht, ky ekzaminim bart pak rreziqe. Si për çdo ndërhyrje, janë të mundshme ndërlikime të tilla si hemorragjitë, dëmtimet e enëve të gjakut, të nervave ose të organeve, si dhe infeksionet. Edhe anestezia vetë mund të shoqërohet me rreziqe specifike.