Hipertrofia beninje e prostatës (Adenoma e Prostatës, HBP, Tumori i mirë i prostatës)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Hipertrofia beninje e prostatës është sëmundja më e shpeshtë e saj. Ndryshe emërtohet edhe adenoma e prostatës (tumori i mirë i prostatës). Prostata gjendet përpara fshikëzës së urinës dhe rrethon uretrën.
Ajo përbëhet nga një kapsul e jashtme dhe zgavra gjëndrore në brendësi. Zmadhimi beninj i prostatës ndodh kryesisht nga brenda kapsulës, në nivelin e indit gjendror, në afërsi me uretrën. Simptomat janë të ndryshme, në varësi të drejtimit të zmadhimit.
Shkaqet e HBP-s nuk janë krejtësisht të njohura. Ndërmjet faktorëve të rrezikut, përmendim:
- Mosha: prostata fillon të rritet në madhësi nga mosha 30-35 vjeç, pavarësisht nga zona gjeografike apo raca e mashkullit.
- Prodhimi i testosteronit nga testikujt. Prostata nuk do të zmadhohej, nëse nuk do të prodhohej testosteroni (hormoni mashkullor).
- Trashëgimia.
Shenjat e zmadhimit të prostatës janë të pranishme tek 20% e meshkujve mbi 50 vjeç, tek 50% e meshkujve mbi 60 vjeç dhe tek 90% e meshkujve mbi 80 vjeç.
Në rastin e hipertrofisë së prostatës, uretra shtypet gjithnjë e më shumë. Për këtë arsye fshikëza e urinës has rezistencë të madhe gjatë eleminimit të urinës, gjë që provokon irritim të saj, që shoqërohet me shfaqjen e shenjave tipike. Vështirësitë në derdhjen e urinës çojnë në një zbrazje jo të plotë të fshikëzës. Proçeset e mësipërme reflektohen me simptomat e mëposhtme:
- Pakësimi i forcës së hedhjes së urinës
- Vështirësi për të urinuar (dizuria)
- Sforcim për të zbrazur krejtësisht fshikëzën e urinës
- Urinim i shpeshtë (polakiuri), veçanërisht gjatë natës (nikturi).
- Urinim i pavullnetshëm gjatë natës
- Ndjesia e moszbrazjes së plotë të fshikëzës, pasojë e mundshme e inflamacionit të saj dhe e dëmtimit të veshkave.
- Mbajtja e urinës, që do të thotë pamundësi për të urinuar, e cila është një urgjencë mjekësore, që kërkon trajtim urgjent.

- Matja e sasisë së urinës në 24 orë
- Prekja rektale e prostatës (vlerësimi i madhësisë së prostatës, i realizuar nëpërmjet prekjes së saj me dorë nga pjesa fundore e zorrës së trashë: rektumi)
- Analizat e gjakut (për vlerësimin e funksionit të veshkave dhe dozimin e PSA -s, antigeni specifik i prostatës)
Simptomat janë të ndryshme nga një mashkull tek tjetri. Është thelbësore të evitohet zgjerimi i fshikëzës së urinës, me rikthim të urinës në veshka, që shkakton dëmtime të veshkave. Metodat e trajtimit janë të ndryshme, në varësi të shkallës së zmadhimit të prostatës.
- Tek pacientët me simptoma të lehta, mjafton ndjekja nga mjeku, pa ndërhyrje kirurgjikale.
- Masat dietetike: evitimi i faktorëve ushqimorë irritues, të tillë si piperi i zi, erëzat, birra, vera e bardhë; ushtrimet fizike të rregullta.
- Medikamentet: Në rastin e simptomave të lehta, mund të jetë e nevojshme fitoterapia (me preparate bimore). Gjithashtu, janë të dobishme edhe medikamentet që veprojnë direkt mbi metabolizmin hormonal të prostatës ose medikamentet që ulin nivelin e furnizimit me gjak të saj. Zgjedhja e tipit të medikamentit varet nga simptomat specifke të pacientit.
- Trajtimi kirurgjikal: heqja e prostatës përmes uretrës (TURP) nëpërmjet endoskopisë, heqja e prostatës nëpërmjet operacionit të hapur (nga barku); termoterapia (nëpërmjet nxehtësisë) e prostatës.
Pas operacionit, mund të shfaqet:
- Impotencë në më pak se 5% të pacientëve.
- Meqenëse kapsula e prostatës është ruajtur gjatë operacionit, nuk mund të përjashtohet mundësia e shfaqjes së kancerit të prostatës.
- Pas 15-20 vjetësh, mund të shfaqet një hipertrofi e re e prostatës.
Parandalimi konsiston në konsultimin e rregullt nga mjeku urolog, duke filluar nga mosha 50 vjeç, në mënyrë që të realizohet depistimi për kancer të prostatës. Në rastet që rezultojnë me kancer, trajtimi sa më i hershëm dhe korrekt i tij ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësinë e pacientit.