Diabeti insipid (Diabeti i ujit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Diabeti insipid është një sëmundje në të cilën veshkat eleminojnë ujin në sasi të tepruar, nga 4 deri në 10 litra në ditë ose më shumë. Për këtë arsye, sëmundja quhet edhe "diabeti i ujit". Humbja e ujit shkakton etje të tmerrshme, dhe individët e prekur janë të detyruar të pijnë shumë ujë në mënyrë që të mos dehidratohen.
Kjo formë e diabetit shfaqet tek fëmijët dhe të rinjtë në mënyrë relativisht të menjëhershme. Origjina e saj është një çrregullim hormonal që prek hormonin antidiuretik, i quajtur HAD ose vazopresinë, që synon të rregullojë eleminimin e ujit nga veshkat. Diabeti insipid nuk ka të bëjë me diabetin mellitus, i cili është shumë i njohur si "sëmundja e sheqerit", dhe që gjithashtu mund të çojë në shtimin e urinimit dhe të etjes.
Në rastet me diabet mellitus, sheqeri eleminohet në sasi të mëdha në urinë, ndërsa në rastet me diabet insipid, urina është shumë e qartë dhe nuk përmban sheqer. Përveç kësaj, në diabetin insipid niveli i sheqerit në gjak
Në shumicën e rasteve, shkaku i diabetit insipid është një mangësi e HAD-it. Më rrallë ndodh nga mosfunksionimi i veshkave.
Për pasojë, njihen dy forma të diabetit insipid, që janë:
- Forma qëndrore: karakterizohet nga mungesa e HAD-it, për shkak të problemeve të prodhimit nga hipotalami, ose prej çrregullimeve të çlirimit të tij nga gjëndra e hipofizës. Shkaqet e mundshme janë tumoret, inflamacionet, aksidentet (traumat e kafkës dhe të trurit) ose nga ndërhyrjet kirurgjikale që kanë dëmtuar gjendrën e hipofizës. Ndonjëherë kjo formë është e lindur, ose pa një shkak të përcaktuar.
- Forma renale (nefrogjene, e veshkës): bëhet fjalë për një dëmtim patologjik të veshkave, prej të cilit veshkat nuk reagojnë ndaj hormonit HAD edhe kur ky i fundit është në një sasi të mjaftueshme. Shkaqet janë sëmundjet kronike të veshkave, ose mosfunksionimi i lindur i tyre. Disa medikamente, të tilla si litiumi që përdoret për sëmundjet psiqike, gjithashtu mund të çrregullojnë veprimin e HAD-it në veshka.
Diabeti insipid manifestohet me këto simptoma:
- Urinim i tepërt dhe etje ekstreme, madje edhe gjatë natës.
- Çrregullim i gjumit për shkak të urinimit gjatë natës.
- Rreziku i dehidratimit për shkak të humbjes së konsiderueshme të lëngjeve. Ky fenomen mund të rrezikojë jetën e pacientëve, sidomos tek fëmijët.
- Nivelet e rritura të natriumit në gjak (hypernatremia), që mund të shkaktojnë ngërçe, çrregullime të vetëdijes, madje deri në koma.
Nëse sasia e urinës e tejkalon 4 litra në ditë, e shoqëruar me një etje të madhe dhe të vazhdueshme, dyshohet diabeti insipid.
Ekzaminimet specifike që rekomandohen nga mjeku Endokrinolog (specialist për çrregullimet hormonale) janë:
- Matja e sasisë së urinës dhe e sasisë së lëngjeve të konsumuara për një periudhë kohore 48 orëshe.
- Analiza e gjakut: matja e sasisë së sheqerit në gjak (rezulton normale) për të përjashtuar diabetin e sheqerit, dhe matja e nivelit të natriumit në gjak (rezulton i lartë).
- Testi i urinës: urina është shumë e qartë dhe jo e përqëndruar.
Dy teste për diagnostikimin e diabetit insipid:
- Testi i etjes: pacientit i ndalohet të pijë lëngje për 6 deri në 8 orë, nën mbikqyrjen mjeksore (për shkak të rrezikut të dehidrimit). Tek personat e shëndetshëm, sasia e urinës bëhet më e përqëndruar, duke përjashtuar në këtë mënyrë mundësinë e diabetit insipid.
- Testi i HAD-it: bazohet në administrimin e një sasie të vogël të HAD-it nëpërmjet një injeksioni ose nën lëkurë. Në rastin e diabetit insipid qëndror (mungesa e HAD-it), sasia e urinës pakësohet menjëherë pas injektimit të HAD-it. Kjo nuk ndodh në rastin e diabetit insipid të veshkës, pasi veshkat nuk reagojnë ndaj HAD-it të injektuar.
Ekzaminime të tjera për gjetjen e shkakut të diabetit insipid janë:
- Rezonanca magnetike e kokës, për të evidentuar praninë e një tumori në hipofizë.
- Ekzaminimi i veshkave.
Trajtimi i diabetit insipid varet nga forma e sëmundjes (qëndore ose veshkore). Sipas rastit, duhet të trajtohet sëmundja që është në origjinë të tij: tumor, inflamacion ose sëmundje e veshkave.
- Në rastin e diabetit insipid qëndror, hormoni HAD që mungon, zëvendësohet në formën e tabletave ose me anë të sprait në hundë. Me anë të trajtimit, pacienti mund të kryejë një jetë normale. Personat e diagnostikuar me diabet insipid gjithmonë duhet të mbajnë me vete një kartë mjekësore të urgjencës.
- Diabeti insipid i veshkave trajtohet me medikamente diuretike (shkarkuese). Në përgjithësi, ato shtojnë sasinë e urinës, por në rastet e kësaj forme të diabetit insipid shkarkuesit kanë një efekt paradoksal: urina bëhet më e përqëndruar dhe eleminimi i natriumit rritet. Njëkohësisht me mjekimin, pacientët duhet të respektojnë edhe një dietë të varfër në kripë dhe në proteina.