Guta (Hiperuricemia, Niveli i lartë i acidit urik në gjak)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Nëse acidi urik nuk eleminohet plotësisht nga organizmi, përqëndrimi i tij në gjak rritet. Kjo pasohet nga formimi i kristaleve të tij, të cilat depozitohen kryesisht në nivelin e kyçeve dhe veshkave. Në mjekësi njihet guta primitive (parësore) dhe ajo dytësore, që është pasojë e sëmundjeve të tjera. Ndër to, më e shpeshta është forma parësore.
Shkaqet e gutës parësore:
- Prania e një çrregullimi metabolik të lindur
- Prodhimi i tepërt i acidit urik (i rrallë)
Shkaqet e gutës dytësore:
- Sëmundjet e veshkave
- Tumoret
- Anemia
- Diabeti i pakontrolluar
- Përdorimi i disa medikamenteve (shkarkuesit, etj.)
- Konsumi i alkoolit, që rrit nivelin e acidit urik në gjak (hiperuricemia).
- Birra, që përmban sasi të mëdha të purinave, të cilat përforcojnë efektin hiperuricemik të alkoolit.
- Mosngrënia
Faktorët e rrezikut për sëmundjen e gutës janë:
- Mosha (40-60 vjeç)
- Gjinia (seksi mashkull).
- Mbipesha
- Diabeti i sheqerit
- Niveli i lartë i yndyrnave në gjak
- Hipertensioni arterial

Forma e lehtë e gutës mund të jetë asimptomatike (pa shqetësime) për vite të tëra.
Shenjat e para të krizës akut të gutës janë:
- Dhimbjet e forta, skuqja dhe enjtja e kyçeve, më shpesh e kyçit të gishtit të madh dhe rrallë e kyçit të gjurit ose të këmbës.
- Temperaturë
- Ndërlikime të vonshme, të tilla si dëmtimi i kyçit (artriti gutoz), problemet e veshkave (gurët në veshka, kriza e dhimbjeve të veshkës dhe ulja e funksionit të saj).

Diagnoza e gutës vendoset nga mjeku specialist reumatolog, duke u bazuar në:
- Të dhënat klinike, simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre.
- Analizat e gjakut (matja e nivelit të acidit urik në gjak). Kujdes: në rastin e krizave të gutës akute ky nivel nuk është domosdoshmërisht i lartë.
- Radiografitë e kyçeve të prekura, që paraqesin dëmtime për një kohë të gjatë.

Trajtimi i gutës (nivelit të lartë të acidit urik në gjak) është i ndryshëm në formën akute (krizat e mënjëhershme) dhe atë kronike të gutës.
Gjatë krizës akute rekomandohet:
- Vendosja e kompresave të ftohta në nivelin e kyçit të prekur, i cili vendoset në pozicion të palëvizshëm.
- Përdorimi i medikamenteve që lehtësojnë dhimbjen (antialgjike) dhe luftojnë inflamacionin (antiinflamatore).
- Përdorimi i medikamenteve me bazë kolkicine (me veprim antiinflamator)
Guta kronike
Trajtimi i saj ka për qëllim të normalizojë nivelin e acidit urik për një periudhë të gjatë kohore.
Masat e përgjithshme
Në rastin e gutës, rekomandohet respektimi i këtyre masave:
- Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes: konsiston në kufizimin e marrjes së purinave. Ato janë të pranishme tek mishi, lëkura e pulës, të brendshmet, lëkura e peshkut, sardelet dhe frutat e detit.
- Nuk rekomandohet konsumi i lëngut të mishit dhe supave me mish ose peshk.
- Rënie në peshë, në rastin e mbipeshës trupore.
- Kujdes: mosngrënia favorizon krizat e gutës, njëlloj si edhe vaktet shumë të rënda.
- Evitimi i alkoolit, që duhet të kompensohet me 2-3 litra lëngje pa sheqer.
- Konsumi i 5-6 vakteve në ditë (tre normale dhe 3 të vogla midis), në vend të 3 vakteve të mëdha.
Medikamentet
Trajtimi medikamentoz i gutës konsiston në përdorimin e:
- Medikamenteve që rritin shkallën e eleminimit të acidit urik (me efekt urikozurik)
- Medikamenteve që pakësojnë prodhimin e acidit urik (hipouricemiantët).

Shkaqet e lindura të gutës (nivelit të lartë të acidit urik në gjak) nuk mund të trajtohen.
Mënyrat e mëposhtme ndihmojnë në parandalimin e krizave të gutës:
- Respektimi i regjimit të përshtatshëm të ushqyerjes
- Konsumi i sasive të mëdha të lëngjeve gjatë ditës
- Marrja e medikamenteve në mënyrë të rregullt
- Rënia në peshë, në rastin e mbipeshës trupore
- Evitimi i alkoolit