Paracenteza (Punksioni i likidit ascitik)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është paracenteza?
Me ascit nënkuptojmë grumbullimin patologjik të lëngjeve në kavitetin abdominal (hapësirën e barkut). Shkaqet e tij janë të lidhura më tepër me sëmundjet e mëlçisë, inflamacionet apo tumoret në zonën e barkut. Me anë të parancentezës merret një kampion i këtij likidi për ekzaminim (paracentezë diagnostikuese) apo thithja e një sasie më të madhe likidi në rastin e zbrazjes së hapësirës së barkut për të lehtësuar presionin (drenazh i ascitit: paracentezë terapeutike)
Paracenteza është një ekzaminim i disa specialiteteve, si gastroenterologjia, onkologjia, mjekësia interne dhe kirurgjia.
A është e nevojshme ndonjë përgatitje e veçantë e pacientit para ekzaminimit?
Në shumicën e rasteve, pacienti nuk ka nevojë për parapërgatitje. Pacientët që marrin hollues gjaku, duhet t’i ndërpresin ato mundësisht disa ditë përpara, ose të zëvendësohet marrja e tyre me heparinë që injektohet në bark. Çdo veprim duhet të kryhet me udhëzimin e mjekut. Nuk ka nevojë që pacienti të jetë esëll.
Çfarë shpjegimi nevojitet para ekzaminimit?
Për kryerjen e paracentezës është e rëndësishme që të kontrollohet paraprakisht niveli i koagulimit të gjakut me anë të analizës së gjakut (niveli i protrombinës/INR).
Si kryhet paracenteza?
Paracenteza kryhet me pacientin në pozicionin shtrirë dhe të relaksuar.
Në kuadratin e poshtëm të majtë të barkut përcaktohet me ekografi dhe shënohet vendi i duhur i shpimit. Pas anestezisë lokale dhe dezinfektimit të zonës, gjilpëra e shpimit kalon përmes murit të barkut derisa bie në kontakt me ascitin. Në rastin e paracentezës për qëllime diagnostike, kampioni i likidit thithet me një shiringë, dhe dërgohet në laborator për të përcaktuar përbërjen dhe bakteret. Për qëllim terapeutik – drenazhimi (zbrazja) i ascitit kryhet nëpërmjet një kanjule (tub plastik) ku lëngu rrjedh jashtë ngadalë për një periudhë të gjatë kohore. Pasi të ketë mbaruar drenazhimi, hiqet kanjula dhe vendi i futjes të saj mbyllet në mënyrë sterile.
Kur këshillohet kryerja e paracentezës?
Paracenteza këshillohet për diagnostikim dhe trajtim në rastin e sëmundjeve të mëlçisë, tumoreve dhe inflamacioneve të hapësirës së barkut, të cilat shkaktojnë grumbullim të lëngjeve (likid ascitik) në këtë zonë.
Shkaqet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e paracentezës janë:
- Sëmundjet e mëlçisë: cirroza e mëlçisë, bllokimi i mëlçisë si pasojë e dëmtimit të zemrës (insufiçiencës kardiake kongjestive).
- Tumoret: tumori i mëlçisë, vezoreve, stomakut, zorrëve, prania e qelizave tumorale në hapësirën peritoneale (karcinoma peritoneale)
- Peritoniti
- Pankreatiti akut
- Mungesa e madhe e proteinave: manifestohet me ndjenjë të theksuar urie, kequshqyerje deri në anoreksi nervore.
A paraqet paracenteza rrisqe apo efekte të padëshiruara?
Kjo proçedurë nuk shkakton dhimbje sepse kryhet me mpirje lokale, dhe në përgjithësi nuk paraqet rreziqe. Si në çdo proçedurë mund të ketë ndërlikime, si hemorragji, dëmtime nervore, dëmtim të organeve ose infeksione.
Gjithsesi, ndërlikimet janë të rralla sepse proçedura ndiqet me ekografi, ku në monitor evidentohet mjaft mirë pozicioni i hyrjes së gjilpërës së shpimit dhe ai i vendosjes së kateterit më pas. Heqja e një sasie të madhe të likidit ascitik mund të shkaktojë probleme të qarkullimit të gjakut.