logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Egzaminim radiologjik i rrugëve urinare, pas administrimit të një lënde kontrasti
Egzaminim radiologjik i rrugëve urinare, pas administrimit të një lënde kontrasti

Çfarë është urografia?

Urografia është një ekzaminim radiologjik me lëndë kontrasti, që mundëson vlerësimin e veshkave dhe rrugëve të poshtme urinare, ku përfshihen pjesa e daljes së ureterit nga veshka (pelvisi renal), ureterët dhe fshikëza e urinës. Nëpërmjet urografisë mund të evidentohen sëmundjet e veshkave dhe të rrugëve urinare, si dhe të vlerësohet funksioni i veshkave. Një proçedurë e ngjashme me urografinë është cistografia retrograde, që shërben kryesisht për diagnostikimin e pengesave në rrugët urinare (në rrjedhjen e urinës). Gjatë këtij ekzaminimi, lënda e kontrastit nuk injektohet në një venë të krahut, por direkt në rrugët e poshtme urinare nëpërmjet një kateteri të vendosur në uretër ("retrograde" do të thotë "në krah të kundërt").

Urografia ekskretore dhe urografia retrograde janë ekzaminime të fushës së Urologjisë dhe Nefrologjisë, që janë degë të Mjekësisë së brendshme.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara urografisë?

Në urografinë normale, është e këshillueshme që të jeni esëll. Në rastin e urografisë retrograde, nuk është e nevojshme të jeni esëll, nëse nuk kryhet nën efektin e anestezisë. Shpesh pacientit i rekomandohet paraprakisht marrja e një produkti laksativ (që nxit jashtëqitjen) ose kundër fryrjes së barkut, në mënyrë që sistemi urinar të mos fshihet nga zorrët e fryra. Idealja është që pacienti të moskonsumojë ushqim ose pije që shkaktojnë fryrje të barkut një ditë para ekzaminimit. Për shkak të përdorimit të një lënde të kontrastit me përmbajtje jodi, është e nevojshme paraprakisht që të vlerësohet funksionimi i veshkave dhe ai i gjendrës tiroide (nëpërmjet analizave të gjakut).

Çfarë duhet të sqarohet përpara urografisë?

Lënda e kontrastit nuk duhet të administrohet, ose mund të administrohet vetëm pas aplikimit të masave paraprake, në rastet e mëposhtme:

  • Alergji e njohur ndaj lëndës së kontrastit
  • Sëmundje të veshkave me dëmtim të funksionit të tyre
  • Hipertireoza (lëndët e kontrastit me përmbajtje të jodit mund të përkeqësojnë hipertireozën)
  • Shtatzënia

Si realizohet urografia?

Së pari, kryhet një radiografi e thjeshtë, pa lëndë kontrasti, e zonës së barkut dhe legenit. Pastaj, në një venë të krahut injektohet lënda e kontrastit, e cila arrin në veshka nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Aty ajo filtrohet nga gjaku nëpërmjet veshkave dhe kështu arrin në rrugët e poshtme urinare. Gjatë këtij proçesi të eleminimit të urinës, çdo 5 deri në 10 minuta realizohen radiografi të zonës së barkut dhe legenit. Në këto imazhe shfaqet forma e aparatit urinar që përmban lëndën e kontrastit. Urografiazakonisht zgjat rreth 30 minuta. Megjithatë, ajo mund të zgjasë shumë më gjatë, për shembull kur gurët në veshka pengojnë rrjedhjen e lëndës së kontrastit. Ndonjëherë nevojiten radiografi shtesë (p.sh. në pozicionin në këmbë, pas urinimit ose të ashtuquajturat radiografi të vonshme pas 12 dhe 24 orësh).

Kur përdoret urografia?

Urografia përdoret për të diagnostikuar sëmundjet e rrugëve ekskretore (që eleminojnë urinën) të aparatit urinar. Përveç kësaj, kohëzgjatja e eleminimit të lëndës së kontrastit siguron informacion të vlefshëm për funksionin e veshkave.

Arsyet e shpeshta për kryerjen e urografisë janë:

  • Çrregullimet e rrjedhjes së urinës: gurët në veshka, ngushtimet e ureterëve, kanceri i fshikëzës së urinës, hiperplazia beninje e prostatës, kanceri i prostatës
  • Keqformimet e lindura të aparatit urinar
  • Urografia kryhet para çdo eliminimi të gurëve urinarë, të veshkave ose të fshikëzës së urinës.

A paraqet urografia rreziqe apo efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim bart pak rreziqe. Kur injektohet lënda e kontrastit me përmbajtje të jodit, mund të ndihet një ndjesi nxehtësie në trup, që është tërësisht e padëmshme. Në raste të rralla, janë të mundshme reaksionet alergjike. Lëndët e kontrastit që përdoren sot përgjithësisht tolerohen mirë nga pacientët.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.