logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Mediastinoskopia: ekzaminim imazherik i hapësirës së krahërorit.
Mediastinoskopia: ekzaminim imazherik i hapësirës së krahërorit.

Çfarë është mediastinoskopia?

Mediastinoskopia është një ekzaminim që lejon vlerësimin e drejtpërdrejtë të hapësirës së kraharorit, duke përfshirë edhe atë ndërmjet dy mushkërive (mediastinin), me anë të një sonde speciale me fibra optike, që quhet mediastinoskop. Me anë të mediastinoskopit të pajisur me një burim drite dhe një kamera të vogël, mundësohet ndriçimi i mediastinit, imazhi i të cilit shfaqet në monitor. Gjithashtu, me anë të sondës mund të merren edhe kampione indore (material për biopsi). Mediastinoskopia kryhet nën efektin e anestezisë së përgjithshme.

Mediastinoskopia është një ekzaminim që i takon shërbimit të Kirurgjisë torakale (të kraharorit).

A është e nevojshme ndonjë përgatitje paraprake specifike e pacientit?

Për proçedurën e mediastinoskopisë pacienti duhet të jetë esëll. Në shumicën e rasteve nuk nevojiten parapërgatitje të tjera.

Çfarë sqarimi nevojitet përpara ekzaminimit?

Për kryerjen e mediastinoskopisë duhet të kontrollohet niveli i mpiksjes së gjakut me anë të analizës së gjakut (niveli i protrombinës/INR). Sipas protokollit, përpara kësaj proçedure kryhen edhe ekzaminime të tjera imazherike, si: radiografia e mushkërive, CT-skaneri, rezonanca magnetike, ose tomografia me emetim pozitronesh (TEP).

Si kryhet mediastinoskopia?

Mediastinoskopia mund të kryhet në kushte ambulatore, nën efektin e anestezisë së përgjithshme, dhe gjithmonë në kushte sterile. Pasi kryhet dezinfektimi i lëkurës, nëpërmjet një prerjeje të vogël në qafë, mediastinoskopi futet në hapësirën ndërmjet kraharorit dhe trakesë, rreth 10 cm në mediastin. Aty mund të dallohen nyjet limfatike të mushkërive. Burimi i dritës dhe kamera e vogël e mediastinoskopit mundësojnë evidentimin e brendësisë së mediastinit në monitor. Në rast se cilësohet e nevojshme, mund të merret edhe material indor me anë të pincave të vogla (për biopsi) nga nyjet limfatike apo nga masat tumorale. Gjithashtu, para ndërhyrjes kirurgjikale në mushkëri, mund të pastrohen, pra të hiqen pothuaj të gjitha nyjet limfatike të mediastinit, gjë e cila kursen një pjesë të ndërhyrjes kirurgjikale të hapur. Mediastinoskopia zakonisht zgjat nga 30 minuta deri në 2 orë, në varësi të qëllimit për të cilin kryhet.

Kur këshillohet kryerja e mediastinokopisë?

Mediastinoskopia shërben për të diagnostikuar dhe vlerësuar sëmundjet e mushkërive dhe të mediastinit, me prekje të nyjeve limfatike.

Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e mediastinoskopisë janë:

  • Tumori i mushkërive (për të planifikuar operacionin ose rrezatimin)
  • Sarkoidoza: një sëmundje inflamatore, që prek kryesisht mushkëritë dhe nyjet limfatike
  • Limfoma: tumor i nyjeve limfatike
  • Mezotelioma: tumor i mushkërive
  • Timoma: tumor i timusit

A paraqet kjo proçedurë rreziqe apo efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim kryhet nën efektin e anestezisë së përgjithshme, dhe në përgjithësi është i parrezikshëm. Ashtu si çdo ndërhyrje, mund të shoqërohet me hemorragji, dëmtim të organeve apo infeksion. Mund të shfaqen ndërlikime tepër të rralla, si pneumotoraksi për shkak të dëmtimit të mushkërive, dëmtime nervore me paralizë të nervit rekurent, apo vështirësi në frymëmarrje për shkak të paralizës së diafragmës. Kryerja e anestezisë së përgjithshme mund ta ekspozojë pacientin edhe ndaj ndërlikimeve të lidhura me medikamentet e përdorura për anestezinë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.