Lemza (Mioklonia frenoglotike)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Lemza është një refleks i pakontrrollueshëm dhe i pavullnetshëm, i ngjashëm me kollën. Ajo shfaqet sa herë që diafragma, muskuli i sheshtë që gjendet ndërmjet kraharorit dhe barkut, kontraktohet në mënyrë spastike në intervale të çrregullta. Në të njëjtën kohë, kordat vokale mbyllin laringun, për të ndaluar menjëherë fluksin e ajrit, duke provokuar zhurmën e njohur të lemzës. Shpeshtësia e lemzës mund të variojë nga 2-60 herë në minutë.
Kur lemza shfaqet në mënyrë kalimtare dhe zgjat vetëm pak minuta nuk përbën problem serioz, por mund të jetë e pakëndshme për personin që e vuan. Episodet e shpeshta të lemzës janë të rralla, por mund të jenë ekstremisht shqetësuese për pacientin. Flitet për lemzë kronike kur ajo zgjat më tepër se dy ditë. Në të tilla raste, nevojitet konsulta me mjekun. Në disa raste të izoluara, lemza mund të zgjasë disa muaj deri disa vite, gjë që e dëshpëron pacientin, pasi një lemzë e vazhdueshme e prish ndjeshëm cilësinë e jetës.
Pasojat e një lemze të vazhueshme janë:
- Paaftësia për të ngrënë ose për të pirë, e shoqëruar nga rënia në peshë dhe dehidratimi
- Çrregullime të të folurit , me fjalë të copëtuara
- Lodhje, frikë, depresion
- Izolim shoqëror
- Çrregullime të gjumit: më shpesh, lemza zhduket gjatë gjumit, por e bën gjumin më të vështirë
- Dhimbje (dhimbje fyti, dhimbje në kraharor dhe në bark, kontraktime të dhimbshme të muskujve të gëlltitjes dhe të frymëshkëmbimit)
- Ezofagit (inflamacion i ezofagut)
- Aritmi të rralla
Në pjesën më të madhe të rasteve, lemza është beninje dhe e shkurtër, dhe bëhet fjalë për irritime të përkohshme të stomakut ose nervit të diafragmës (nervit frenik). Rrallë mund të ndodhë që në origjinën e lemzës të jetë një sëmundje psiqike. Ndonjëherë shkaku i lemzës mbetet i panjohur.
Shkaqet e irritimit të përkohshëm të stomakut dhe nervit frenik janë :
- Ushqimi/pijet e e ftohta ose tepër të nxehta
- Ushqimi pikant
- Vaktet e rënda
- Ngrënia ose pirja shumë shpejt
- Konsumi i sasive të mëdha të pijeve të gazuara
- Konsumi i alkoolit ose duhanit
- Gëlltitja e ajrit në stomak
- Ndikimet psiqike, si frika, të qeshurit, eksitimi, nervozizmi ose stresi
- Shtatzania
- Efektet e padëshiruara të medikamenteve
- Hiperventilimi
Shkaqet fizike të lemzës janë:
- Refluksi gastro-ezofageal
- Ulçera gastro-duodenale
- Inflamacioni i kraharorit ose barkut (psh.një pneumoni ose një abces i diafragmës)
- Kanceri i organeve të tretjes ose frymëshkëmbimit: kanceri i qafës së mitrës , kancer i ezofagut, kanceri i mushkërive
- Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të qafës, kraharorit ose barkut
- AVC (aksidentet vaskulare në tru)
- Skleroza e shumëfishtë
- Trupat e huaj në timpan (daullen e veshit)
- Tumori në tru
- Encefaliti
- Traumat e kafkës
Shfaqja e lemzës me raste është më se normale dhe ndodh tek çdonjëri prej nesh. Gjithsesi, lemza që zgjat më tepër se dy ditë ose që është shumë e shpeshtë duhet t’i nënshtrohet egzaminimit mjekësor.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni ?
- Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
- Mjeku gastro-enterolog
- Mjeku neurolog
- Mjeku ORL
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me lemzën: kur është shfaqur fillimisht, faktorët e mundshëm shpërthyes të saj, nëse shfaqet gjatë gjumit, nëse ka patur episode të mëparshme, në çfarë mënyre është qetësuar në të kaluarën, etj.
- Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë dhe operacionet.
- Informimi i mjekut mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
- Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
Egzaminimi fizik
Gjatë këtij egzaminimi mjeku egzaminon kokën, qafën dhe barkun. Më pas, ai auskulton me stetoskop mushkëritë dhe zemrën, si dhe vlerëson funksionet neurologjike nëpërmjet reflekseve.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike:
- Analizat e gjakut
- EKG (elektrokardiografia)
- Ekografia e barkut
- Laringoskopia
- Gastroskopia
- Radiografia e mushkërive
- Skaneri ose rezonanca magnetike
Trajtimi mjekësor i lemzës varet nga shkaku i saj. Megjithatë, shpesh shkaku mbetet i panjohur.
Trajtimi i sëmundjes kryesore
Nëse një sëmundje kryesore (si psh.një abces i diafragmës ose një tumor) është në origjinën e lemzës, fillimisht duhet të trajtohet ajo.
"Recetat e gjyshes" për ndalimin e lemzës
Për të ndaluar një krizë akute të lemzës, egzistojnë disa teknika të frymëshkëmbimit ose metoda të tjera që lejojnë stimulimin e faringut. Në to bëjnë pjesë: mbajtja e frymës, kollitja, frymëshkëmbimi në një qese, gargara, pirja e ujit të ftohtë, tërheqja e gjuhës ose ngrënia e një cope sheqeri. Ndërkohë, egzistojnë edhe një sërë metodash të tjera, të cilat gjithsesi nuk janë provuar shkencërisht, por që ndihmojnë në ndalimin e lemzës. Faktori më i rëndësishëm është shpërqëndrimi i pacientit në mënyrë që të relaksohet diafragma dhe lemza të zhduket.
Trajtimi meikamentoz
Nëse në origjinën e një lemze kronike nuk është asnjë sëmundje specifike, ose nëse metodat e tjera të këshilluara më sipër nuk japin rezultat, për ndalimin e lemzës mund të ndihmojë përdorimi i medikamenteve. Për këtë qëllim përdoren një sërë substancash, veçanërisht miorelaksantët (që relaksojnë muskujt), antiacidet ose substancat që favorizojnë zbrazjen e shpejtë të stomakut, antiepileptikët dhe neuroleptikët, ose preparatet me bazë kortizoni (me efekt antiinflamator).
Trajtimi kirurgjikal
Ndërhyrjet kirurgjikale, të tilla si bllokimi i nervit të difragmës, janë të mundshme por rrallë të nevojshme.
Mundësi të tjera trajtimi të lemzës:
- Akupunktura
- Hipnoza
- Psikoterapia