Furunkula antrakoide (Infeksioni i gjendrave yndyrore, Infeksioni i rrënjës së qimes)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Furunkula (infeksioni i rrënjës së qimes dhe gjendrave yndyrore) më shpesh shkaktohet nga bakterie të tipit të stafilokokut aureus.
Faktorët favorizues:- Diabeti i sheqerit
- SIDA
- Sëmundje të tjera të karakterizuara nga ulje e aftësive mbrojtëse të organizmit.
- Higjiena e keqe
- Prania e substancave të yndyrshme mbi lëkurë, që mund të bllokojnë rrënjën e qimes, duke favorizuar kështu shfaqjen e furunkulit.
Në mungesë të trajtimit të përshtatshëm, infeksioni mund të përhapet nëpërmjet rrugëve të limfës ose atyre të gjakut, duke shkaktuar inflamacione të tyre ose septicemi (helmim të gjakut).
Furunkujt në nivelin e fytyrës janë veçanërisht të rrezikshëm, sepse inflamacioni mund të përhapet në venat e thella të trurit dhe të provokojë atje një trombozë cerebrale. Kjo situatë përbën një urgjencë mjekësore, pasi vë në rrezik jetën e pacientit.
Pacienti me furunkul (infeksion të rrënjës së qimes dhe gjendrave të djersës) paraqet:
- Një kokërr të kuqe dhe të nxehtë nën lëkurë.
- Kokrra është fillimisht e fortë në prekje, më pas zbutet, për shkak të qelbit që grumbullohet në brendësi.
- Dhimbje në zonën e kokrrës dhe përreth saj.
- Kokrra mund të plasi (çahet) spontanisht dhe qelbi të rrjedhë jashtë saj.
- Në rast se infeksioni është përhapur në enët e limfës, skuqja dhe dhimbja përhapen në zonat përreth kokrrës.
- Mund të zmadhohen nyjet limfatike më të afërta.

Diagnoza e furunkulës (infeksionit të rrënjës së qimes dhe gjendrave yndyrore) nga antraksi bazohet në:
- Simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre.
- Inspektimin e detajuar të lëkurës dhe të nyjeve limfatike.
- Mbjelljen e materialit të marrë nga furunkuli, për të identifikuar agjentin shkaktar.
- Analizat e gjakut

Furunkula (infeksioni i rrënjës së qimes dhe gjendrave yndyrore) nuk duhet të ngacmohet asnjëherë, veçanërisht nëse ajo është shfaqur në fytyrë, me qëllim që të evitohet përhapja e infeksionit.
Trajtimi varet nga stadi i përparimit të saj. Nëse bëhet fjalë për një infeksion të lehtë, në stadet fillestare, ai mund të shërohet edhe spontanisht. Përshpejtimi i pjekjes së furunkulës mund të ndihmohet me anën e kompresave të ngrohta, që vendosen në zonën e infektuar të lëkurës. Nëse furunkuli është pjekur dhe është mbushur me qelb, mjeku mund të kryeje një prerje të vogël me bisturi, për të hequr indet e vdekura, e pasuar nga mjekimi në kushte sterile dhe përdorimi i solucioneve antiseptike (kundër infeksionit).
Në rastin e furunkulave të përsëritura, të përhapura dhe tepër të bezdisshme, rekomandohet përdorimi i antibiotikëve me veprim të përgjithshëm (me tablet nga goja ose injeksione).
Nëse furunkula lokalizohet në zonën e fytyrës, trajtimi me antibiotikë është i përzgjedhur, kundrejt ndërhyrjes kirurgjikale, për të evituar mbetjen e shenjave pas ndërhyrjes. Në këto raste, rekomandohet regjimi i shtratit dhe ushqyerja e shëndetshme, me sasi të mëdha lëngjesh.
Si ndërlikime të furunkulës (infeksionit të rrënjës së qimes dhe gjendrave yndyrore) konsiderohen:
- Rishfaqja e saj, si në të njëjtin vend ashtu edhe në vende të tjera. Në të tilla raste duhet të kërkohen faktorë favorizues të infeksionit (shih shkaqet).
- Përhapja e infeksionit në rrugët e limfës dhe ato të gjakut, që mund të çojë në gjendjen e septicemisë (helmimi i gjakut), që rrezikon jetën e pacientit.
- Lokalizimi i furunkulës në pjesën e sipërme të fytyrës, që përbën një rrezik për përhapjen e infeksionit në venat e thella të trurit, dhe zhvillimin e një tromboze në këtë nivel.
- Mbetja e cikatriceve (shenjave), që janë të pakëndshme estetikisht, pas shërimit të furunkulës.